GALLAPI ON
  Zona që e pret ringjalljen
 

Zona që e pret ringjalljen

 

Pamje dhe shtrirje e malësisë

 

Malësia e Gallapit është një vend që shtrihet në lindje të Kosovës dhe është pak më shumë se 15% e territorit të vendit tonë, dhe si e tillë është zona më e lënë pasdoresh saqë shumica e kosovarëve jo se nuk e kanë vizituar ndonjëherë porse e kanë vështirë ta gjejnë lehtësisht se ku gjendet. Gallapi si një krahinë në Kosovë I ka më shumë se 120 fshatra, kurse jashtë saj janë mbi 30 fshatra. Harta e Kosovës ka katër cepe. Në veri është Kopaoniku. Në perëndim janë Alpet Shqiptare. Në jug është Sharri. Në lindje është Gallapi. Kjo malësi shtrihet edhe në Serbi, jo vetëm në fshatrat shqiptare, por edhe më gjerë në fshatra që i përkasin komunës së Leskovcit dhe të Vranjës. Malësia e Gallapit është karakterizuar më herët me një jetë të qetë, idilike. Gallapi si trevë shqiptare kufizohet me Llapin, me Rrafshin e Kosovës, me  Anamoravën si dhe me Karadakun, kurse në Serbi kufizohet në pjesën më të madhe me Prokupën, Toplicën dhe Luginën e Preshevës. Përreth Gallapit janë 9 qytete (qyteza; komuna) shqiptare, dhe vetëm Artana dhe Medvegja janë brenda kësaj malësie. Moszhvillimi ekonomik e sidomos mungesa e infrastrukturës ka bërë që shumë fshatra të braktisen nga banorët, dhe tani është krijuar një gjendje me disa katunde të zbrazura. Një numër i madh fshatrash kanë mbetur me dy a tri shtëpi. Zakonisht popullata e kësaj ane lëviz për në qytetin e Prishtinës, më përpara edhe në Dardanë dhe më pak në Gjilan. Lagje të tëra qytetesh janë me popullatë nga kjo trevë në Prishtinë (Vranjevci, Kolevica, Vreshat, Kolevica e Re, Matiçani, Sofalia, Lagjae Spitalit, Taslixhe I dhe Taslixhe II etj.) dhe po ashtu edhe në Daedanë Familje të shumta tani kanë mërguar në shtetet perëndimore. Fshati më I madh i Kosovës është Marevci, dhe bën pjesë në këtë malësi. Maja më e lartë mbidetare është në Koznicë me Malin e Madh me 1260 m.

 

Mungesa e qendrës komunale

 

Në shpërndarjen dhe zbrazjen e malësisë ka ndikuar tej mase edhe mungesa e një qendre komunale urbane në këto anë. Po këtë fat e pati edhe ana e Karadakut dhe Rugova. Krahinat tjera të Kosovës në shumicën e rasteve kanë dy e më shumë qendra komunale. P.sh. Drenica (Gllogovcin dhe Skenderaj), Anamorava (Gjilani, Dardana, Vitia), Llapi (Podujevën), ana e Sharrit (Dragashin) etj. Malësia e Gallapit, përkatësisht fshatrat, bëjnë pjesë në këto komuna: Prishtinë, Gjilan, Dardanë, Artanë, Besianë, Bujanovc dhe Medvegjë. E vetmja qendër komunale plotësisht me sipërfaqe të Gallapit, dhe me shumicë shqiptare, është komuna rurale e Medvegjës, por që nuk ka arritur që të dalë jashtë fatit të trevës duke ia shtuar edhe fatkeqësinë politike. Popullata e Gallapit është kryesish tshqiptarë autokton, megjithëse pas dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit rreth 10.000 “muhaxhirë” kanë gjetur strehë në këtë trevë të Kosovës. Ky numër i muhaxhirëve është shumë më i vogël sesa i atyre që kanë vdekur në Gallap si pasojë e mungesës së strehës dhe e dimrit të ashpër të 1877-78. Popullata serbe që banon në këto anë kryesisht është ngulitur vonë sidomos pas luftërave ballkanike, kurse numri i tyre është nën 10.000 veta të sjellë nga Kroacia dhe Bosna. Fshatrat me populate serbe janë në një gjendje shumë më të mirë ekonomike, infrastrukturale por edhe gjeografike, dhe ato mbesin kryesisht të populluara ashtu siç kanë qenë edhe para luftës së UÇK.

 

Zonat operative të UÇK

 

Në Malësinë e Gallapit, në fshatin Zllash, gjatë luftës çlirimtare ishte vendosur shtabi për zonën e Karadakut, ku u zhvilluan disa beteja dhe ranë dëshmor disa luftëtarë. Ishte një paradoks që në territorin e Gallapit vepronin dy zona operative të UÇK (e Karadakut dhe ajo e Llapit), por që nuk kishte zonë të luftës me emrin e Gallapit, dhe ky fakt flet edhe një herë për një anashkalim dhe përbuzje, edhe pse heroi i Kosovës dhe nismëtari i luftës Zahir Pajaziti është lindur dhe është rritur pikërisht në malësinë pitoreske të Gallapit. Nga kjo anë po ashtu janë edhe pishtarët e lirisë Nuhi Berisha e Kadri Zeka.

 

Figurat, rezistencat dhe planprogrami i trashëguar

 

Serbia disa fshatra të malësisë së Gallapit i ka terrorizuar shumë herë, ashtu si është I njohur rasti me Prapashticën, Dabishevcin, Keçekollën, Mutivodën etj. Në këto anë ka mjaft varreza të ushtarëve të huaj (turq, serbë, bullgarë etj.) të cilët janë vrarë nga kryengritësit shqiptarë të kësaj treve. Nga kjo anë Shaban Palluzha i ka pasur pothuajse ushtarët më besnik. Edhe Azem Bejta dhe Bajram Curri e kanë vizituar këtë malësi. Rezistenca mes shqiptarëve kundër çetnikëve dhe komunizmit jugosllav ka zgjatë më së shumti pikërisht në Malësinë e Gallapit. Deri sa nëpër disa anë të Kosovës ishin hapur edhe shkollat dhe degët e partisë komuniste këtu luftohej edhe pas pesë vjetësh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Çetat e kaçakëve kanë ekzistuar edhe në Gallap, dhe më i njohuri ndër ta është Shyt Vakoci, pastaj Hamdi Mramori etj. Mulla Idrizi i cili nuk është dorëzuar deri në vitin 1949, është figura e fundit e rezistencës së nacional demokratikës shqiptare në ish Jugosllavinë e pas luftës së Dytë Botërore që ka vepruar këtej. Ishte I njohur Hoxha i Brainës për parashikime. Murat Gjakja e Shaqir Grisha kundër turqve. Mustafë Hoxha ishte mbrojtës nga partizanët dhe çetnikët serbë. Sekretari i Lidhjes së Dytë të Prizrenit ka qenë Mehmeti i Zi. Në delegacionin e parë të Kosovës i cili është takuar me Titon më 1945 ka qenë edhe Mehmet Krileva. Ky është delegacioni i parë i Kosovës që ka kërkuar të drejta nacionale në emër të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ana e Gallapit ka qenë zona ku më së paku ka pasur anëtarë të partisë komuniste. Disa nga grupet e para ilegale që kanë vepruar në Kosovë gjatë kohës së monizmit, kundër shtetit jugosllav apo Serbisë, pjesëtarët e tyre kanë qenë nga rajoni i Malësisë së Gallapit. Anashkalimi i kësaj treve ishte planprogram i hershëm i Serbisë, dhe ky sens pavetëdijshëm u është bërë vesvese edhe klasës politike të Kosovës.

 

Rezervati më i pasur arkeologjik ilir në Kosovë

 

Një nga vendbanimet më të lashta në Kosovë të kohës ilire gjendet në fshatin Keçekollë, dhe këtu janë gjetur shumë materiale arkeologjike me vlera të mëdha. Në disa vendbanime edhe sot gjenden varreza të vjetra që mund të jenë ilire ose romake, sikurse edhe materiale arkeologjike e artefakte janë gjendur në këto vendbanime: Gllogovicë, Graçanicë, Rapuhë, Bervenik, Busavatë, Artanë, Koliq, Ballaban etj. Gjatë kohës së Bizantit në këtë anë janë ndërtuar disa kështjella dhe kala, e që janë ndërtuar gjatë kohës së perandorit Justinian me prejardhje ilire.

 

 

Dikur Londra nuk krahasohej me Artanën

 

Gjithë zona e Gallapit është bleroshe dhe s’ka ndonjë pjesë të zhveshur, dhe mjafton ky reliev që të flas për prejardhjen e “Gallapit” nuk ndërlidhet asgjë me ndonjë fjalë serbe apo sllave. Gallapi si emërtim vjen nga fisi ilir gallabi që ka jetuar pikërisht në këto treva. Vendbanimi më i madh i kësaj malësie është qyteti i lashtë Artana, i cili sipas historianit anglez N. Malkolm në fillimin e shek. XVI (para se ta marrin turqit dhe ta shkatërrojnë) ky qytet ka qenë më i madh dhe më i zhvilluar sesa Londra. Në këtë malësi janë të njohura disa miniera: e Artanës, e Kishnicës, e Hajvalisë, e Strezovcit, e Ballabanit dhe e Fllatacisë.

 

Zonë e pastër ekologjike

 

Malësia e Gallapit ka potenciale për zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë, si dhe të turizmit rural. Këtu ka pasur një traditë shumë të gjatë të rritjes dhe kultivimit të qengjave, deleve, edhave, dhive, viçave si dhe pemëve e perimeve të ndryshme. Para 20 vitesh këtu janë rritur mbi 70.000 qengja e që zakonisht i kanë blerë tregtarë nga pjesët tjera të Jugosllavisë dhe jashtë saj. Në vitet e kaluara kryesisht Rrafshi i Kosovës dhe Anamorava janë furnizuar me produktet ushqimore nga kjo trevë. Gjithë Gallapi është plotësisht një zonë shumë e pastër ekologjike.

 

 

Emërtimet ilire, romake dhe bizantine

 

 Shumica e emërtimeve të vendbanimeve të Gallapit janë me prejardhje romake dhe bizantine, dhe për këtë mund të kërkosh për studimin e shkëlqyer të z. Abdullah Konushevcit me titull “Toponimi e Gallapit”. Shumë herë nga persona jo përgjegjës në shkencë, kulturë dhe politikë emërtimet e Gallapit i cilësojnë sikur të jenë sllave, por studimi etimologjik në fjalë dëfton se këto qëndrime nuk janë të sakta, prandaj në zëvendësimin e emërtimeve duhet pasur shumë kujdes, pasi në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për emërtime të reja. Nga terreni shihet se ka shumë emërtime kishtare nëpër këto mjedise. Para se të islamizoheshin shqiptarët e kësaj ane ata të gjithë ishin shqiptarë ortodoksë. Ka fshat që dikur i ka pasur edhe dy a tri kisha kurse edhe sot ende nuk gjendet asnjë xhami. Rrugët nëpër malësinë tonë janë shumë të pakalueshme pasi shumë prej tyre nuk janë të asfaltuara, megjithëse ka shpresë që brenda tri vitesh do të asfaltohen shumica e këtyre rrugëve. Kjo malësi nuk ka barriera gjeografike të ndërlidhjes së një fshati me fshatrat tjera, pasi këtu edhe para shumë e shumë vitesh në secilin fshat kanë funksionuar drumet që kanë lidhur gjithë zonën.

 

 

Mite, legjenda, realitete

 

Ende flitet për mite se në këto anë ka pasur aq dendësi të populates sa prej Artanës e deri në Bervenik maca ka ecë nëpër kulme shtëpish, megjithëse dëgjohen edhe variante të tjera. Kjo dëshmi mitike flet për këtë anë që dikur ka qenë e mbipopulluar. Ka edhe dëshmi se nëpër këtë krahinë ka kaluar rruga romake që është lidhur Adriatiku, Lezha, Prizreni me Artanën dhe Nishin e Danubin. Janë disa gjurmë të toponomisë që e argumentojnë rrugën në fjalë pasi hasen shumë emërtime si kala dhe gjytete, si p.sh. në Artanë, Krilevë, Brainë, Tugjec, Koliq, Grashticë etj Disa fshatra ende i ruajnë legjendat duke thënë se atykëtu janë fshehur pasuri ari në nëntë mushka ngarkesë. Sipas defterit të Vilajetit të Shkodrës së vitit 1485 shihet se kjo anë në këto kohë ka qenë pothuajse tërësisht krishtere, me shqiptarë ortodokse. Dhe në këtë defter përmenden edhe 1agjet e Prishtinës, dhe emri i njërës lagje e quajtur Lukar, ky emërtim dhe ky vendbanim akoma ekziston. Sipas njohurive kjo lagje është marrë me përpunimin e hekurit. Në rajonin e Gallapit sot janë kryesisht myslimanë suni, në Marevc ka dervish, dhe në Slivovë ka edhe shqiptarë katolikë.

 

 

Oborri i Prishtinës është malësia e Gallapit

 

Gërmia që është pjesa më e bukur e qytetit të Prishtinës, tani park nacional, bie në rajonin e Malësisë së Gallapit, dhe me plot gojë thuhet se kryeqyteti i Kosovës Prishtina oborr të vetin e ka pikërisht këtë malësi, por që deri tani ka bërë pak e aspak për jetën e kësaj malësie. “Kap kryet” nuk shprehet ndryshe kur njeriu nuk ka një plan për oborrin e shtëpisë së tij. Në vend të kësaj drunjtë që priten nga këto anë shiten jo vetëm në Prishtinë e nëpër Kosovë, por edhe në Shqipëri, në Serbi dhe Maqedoni. Një ditë mund të ndodh që oborri i kryeqytetit tonë të mbetet lakuriq. Pikërisht nga kjo malësi dikur në Prishtinë ka rrjedhur lumi Prishtevka nga Stallova dhe lumi tjetër Vellusha që rrjedh nga Gërmia, e që janë varrosur para shumë vitesh. Prishtina pa këtë pjesë të kësaj malësie sigurisht se do të ishte një qytet fantazmë, pasi ajri i pastër, freskia dhe shëndeti ambiental në Prishtinë vjen vetëm nga drejtimi i Malësisë së Gallapit.

 

 

Homogjeniteti i banorëve

 

Është edhe një e veçantë për këtë malësi se këtu gjakmarrja dhe vrasjet me motive të dobëta janë në nivelin më të ultë të mundshëm në gjithë territorin e Kosovës. Banorët e kësaj ane mund të thuhet se janë njerëzit e paqes dhe të dinjitetit. Këta banorë kanë një harmoni dhe një respekt mes tyre, dhe kurrë nuk mbahet mend për konflikte mes fshatrave apo lagjeve. Ata njihen edhe për tolerancën e tyre ndaj të tjerëve. Këta banorë edhe pse shumë homogjen në të gjitha drejtimet, ata kurrë nuk kanë zhvilluar një lokalizëm çfarë e gjen aty-këtu në Kosovë.

 

 

Kthimi kah malësia dhe ndryshimet që priten

 

Viteve të fundit kanë nisur që shumë qytetarë prishtinas fundjavat t’i kalojnë nëpër malësinë gati të boshatisur të Gallapit. Po ashtu kohëve të fundit është themeluar një shoqatë me emrin “Galabroi” që së paku t’i prezantojë disa probleme të këtij territori të Kosovës, dhe deri tani janë shënuar disa rezultate. Në radhë të parë po arrihet që të njoftohet opinioni publik me këtë malësi e që është në interes të vendit tonë si shteti më i ri në botë dhe si shteti më i vogël në Ballkan. Në shumë fshatra kanë filluar që të mbahen takimet e vendlindjes, takimet me mërgimtarë, dhe këtë vullnet duhet kanalizuar edhe për vepra e qëllime më të mëdha dhe më fisnike. Çdo cep i Kosovës i kushton Kosovës së nesërme. Gabimet e kaluara nuk riparohen, por prej sot mund të vendosim të jetojmë ndryshe, të mendojmë ndryshe, të veprojmë ndryshe dhe të ndjejmë ndryshe. Të bëjmë ndryshime jo për shkak të histories por për fëmijët tanë. Aty ku s’ka rezultate është vendi për ndryshime. Ata që pajtohen me të keqën dhe me ngecjen ata nuk mendojnë për ndryshime.

Mr. Femi Cakolli

 
  Today, there have been 1 visitors (1 hits) on this page!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free