GALLAPI ON
  Histori nga Gallapi
 
 

 
 

Kadri Zeka kthehet në Poliçkë

 

Hysen Matoshi


 

Përveç ndryshimeve rrënjësore që kanë nisur në infrastrukturën e fshatrave të Gallapit, viteve të fundit kjo trevë është begatuar edhe me monumente të dëshmorëve të rënë në luftën e fundit. Janë ngritur lapidarë, buste dëshmorësh, pllaka përkujtimore etj.

Në vazhdën e përpjekjeve që ora e ndaluar historisë të mësohet gjithanshëm edhe në këtë anë të skajshme të etnisë. Dhe vërtet Gallapi historikisht ishte vatër që lindte djem për atdheun, ishte logu i mejdanit kundër okupatorit. Dëshmorët e shumtë të 1912-s, të përballjes heroike të shqiptarëve të paarmatosur mirë me forca pakrahasueshëm më të shumta serbe, të armatosura me potencialet më moderne të kohës; pastaj dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore për mbrojtjen nga ripushtimi sllav, të cilëve u printe Mulla Idriz Gjilani, lapidarët e memorialët e tyre i kanë vetëm në kujtesën e gallapasve liridasësh. Lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fitorja e saj e shkëlqyer bëri që të ndryshonte qëndrimi ynë për dëshmorët e lirisë. Në vendet e rënies së tyre u ngritën shenjat e kujtesës se liria qe fituar me gjak... Pllaka përkujtimore për ndeshjen heroike të dëshmorëve të UÇK-së në Bullaj të Marecit, busti i dëshmorit të kombit Nuhi Berisha, i vendosur në oborrin e Shkollës Fillore të Tygjecit, busti i dëshmorit Musli Ymeri në Zajçec etj. janë vetëm disa nga shenjat se ky truall iliro-shqiptar i kishte dalzotësit e tij në kohët më të vështira. Megjithëse një numër i madh i këtyre veprave janë rezultat i vullnetit të mire të njerëzve, pra të komunitetit, në këtë drejtim nuk ka munguar edhe interesimi i institucioneve tona. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale me Komunën e Dardanës në pranverën e sivjetme rezultoi edhe me një vepër madhore, me të cilën krenohet jo vetëm Gallapi, por përgjithësisht Kosova e trojet shqiptare.
 


Image and video hosting by TinyPic 


Është fjala për memorialin “Kadri Zeka”, të ngritur në fshatin e lindjes të dëshmorit tonë. Pasi vite më parë u sollën eshtrat e tij për t’u rivarrosur në Kosovë, sikundër edhe eshtrat e bashkëveprimtarëve të tij, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, me ngritjen e këtij memoriali në vendin ku kishte lindur, Kadriu bëhet edhe më i pranishëm në Gallapin e tij të dashur. Ardhjes së tij madhështore, nëpërmjet këtij memoriali, pa dyshim,  i kishte prirë ardhja e idesë fuqi në jetën e tij, ardhja e lirisë. Vlen të theksohet se, përveç institucioneve të zëna ngoje, një kontribut të madh për realizimin e kësaj vepre sa të rëndësishme historike, po aq edhe të bukur e domethënëse në aspektin ideor e estetik, dhanë edhe bashkëveprimtarët e dëshmorit Kadri Zeka, si: Ilmi Ramadani, Ahmet Isufi, Hydajet Hyseni, Basri Musmurati, Mehmet Hajrizi etj., të cilët me praninë dhe fjalët që mbajtën e madhështuan ceremoninë e përurimit të memorialit. Madhështor këtë inaugurim e bënin edhe mijëra pjesëmarrës nga mbarë Kosova. Vepra monumentale e dëshmorit të kombit Kadri Zeka, i cili me vizionaritetin e tij kishte paraparë rrugën e çlirimit të shqiptarëve nga sundimi serbo-sllav, nëpërmjet këtij memoriali nderohet edhe më shumë, megjithëse kurrë nuk do të lartësohet në përmasën e vlerës së vërtetë të aktivitetit të tij. Formula e tij e lirisë ishte bashkimi i potencialeve të shtetit amë me ato të shqiptarëve të mbetur nën robërinë jugosllave dhe sidomos me potencialin e diasporës shqiptare në Perëndim, e cila ishte në një rritje të vazhdueshme. Duke e çmuar drejt rëndësinë e opinionit perëndimor, Kadriu e nisi punën për organizimin e potencialeve të shqiptarëve nga zeroja, me çka nga një mërgatë që organizohej në klubet e atëhershme jugosllave krijoi një zë që për pak kohë do t’i trondiste opinionin liridashës perëndimor, qeveritë e vendeve ku punonin ata dhe institucionet ndërkombëtare. Se cilat ishin rezultatet e punës së tij më së miri dëshmoi vetë reaksioni i shërbimit sekret jugosllav ndaj Kadriut me shokë. Megjithëse i vranë në vlugun më të madh të aktivitetit atdhedashës, udëbëistët jugosllavë nuk e vranë dot lirinë, ngase ajo tashmë në zemrat e shqiptarëve kishte lëshuar rrënjë. Nxënësit tanë nuk do të duhej ta mbaronin shkollimin fillor pa e mbajtur një orë historie në ambientet e bukura të këtij memoriali, pa e njohur veprën e madhe të atdhetarit të pakompromis, organizatorit të pashembullt të potencialeve të gjithëmbarshme kombëtare, lajmëtarit të lirisë, dëshmorit të kombit KADRI ZEKA.

 



Image and video hosting by TinyPic 
 






 Frrok Kristaj

 

Justiniani dardan - Perandor i Bizantit


Pozita gjeostrategjike e trojeve etnike iliro-shqiptare ka imponuar që gjatë historisë popujt e këtyre viseve të ballafaqohen me luftëra të mëdha. Qysh në kohën ilire janë ngritur mbretëri fisesh (ilire) në krye të të cilave kanë qenë mbretër të shquar. Në anën tjetër, nga gjiri i ilirëve në kohën e Perandorisë Romake, përkatësisht të Perandorisë Romake të Lindjes – Bizantit, kanë dalë perandorë që u kanë bërë ballë sulmeve barbare të popujve joballkanikë, duke i dhënë organizim të ri shoqëror, kulturor e ideor-fetar perandorive të tyre (romake e bizantine). Vargu i perandorëve ilirë, që u gjendën në ballë të Perandorisë Romake filloi me Decin, mbret i Romës. Ndërkaq, perandori i parë ilir që u gjend në krye të Perandorisë Romake, ishte Kaludi II (u shpall perandor në vitin 268 të kohës së re), pastaj Aurelani, Probi, Diokleciani, Maksimiliani, Konstanc Klori, Konstandini i Madh me tre djemtë e tij Konstandinin II, Kostancin e Julianin. Më vonë edhe një herë katër burra të gjakut ilir, durrsaku Anastasi I (491-518), Justini I (518-527), Justiniani (525-565) dhe Justini II (565-578) arritën të marrin timonin e Perandorisë Romake të Lindjes - Bizantin, të cilët edhe u përpoqën ta ringjallin madhështinë e dikurshme të Perandorisë Romake. Natyrisht se këta perandorë me veprat e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në histori, por njëkohësisht lanë gjurmë edhe në kulturë, në organizim të perandorive të tyre.

Image and video hosting by TinyPic

Po ndalemi te pjesa e vjetër e Dardanisë, Gallapi, nga kanë dalë shumë figura historike iliro-dardane: Shën Flori e Shën Lauri, Shën Niketë Dardani, Konstandini i Madh, Justini I, Justiniani i Madh dhe Justini II.

 

Shën Flori e Shën Lauri

Tradita dymijëvjeçare e krishterimit në trevat iliro-dardane, nuk mund të mos falte gjatë shekujve edhe shenjtorë vendas. Shën Flori dhe Shën Lauri, që ishin nxënës të Prokulit e të Maksimit, Floriani dhe Laurini, siç njihen shpesh dy vëllezërit binjakë, jetuan në Dardani gjatë gjysmës së parë të shekullit II. Ata ishin gurskalitës. Me pëlqimin e sundimtarëve vendës, ngritën një kishë të krishterë, të cilën ia kushtuan Jezu Krishtit. U martirizuan në Ulpianë, duke mbrojtur kështu tokën e të parëve tanë me gjak të derdhur për të dëshmuar Krishtin.

Në pjesën qëndrore të fshatit Prapashticë gjendet rrafshnalta e Florit (populli i thotë edhe Flur), e cila është e ngjitur me kodrinën e Bërskovicës. Po ashtu aty gjendet kodra tjetër, që quhet me emrin e sotëm Litec (me këtë emër quhet edhe një rrjedhë e lumit të Krivarekës që vjen nga drejtimi i Prapashticës), që në defterët e mesjetës është e njohur me emrin Lutesh, duke na shtyrë të mendojmë se bëhet fjalë për një vend të shenjtë, vend ku janë bërë lutjet apo kishë me bazë të hershme të krishterimit në Dardaninë antike. Për etimologjinë e emërtimit të vendit Kodra e Florit ka mendime të ndryshme. Disa studiues mendojnë se emërtimi i kësaj kodre i përket botanikës, kurse të tjerët, duke pasur për bazë numrin e kishave përreth dhe afërsinë me Brekovicën, mendojnë se ky emërtim mund të lidhet me Shën Florin.

 

Shën Niketë Dardani

Niketë Dardani (340-414) ishte letrar dhe muzikanti më i njohur i të gjitha kohërave për kompozimet sakrale. Ky dijetar dhe muzikant i hershëm i traditës sonë kishte lidhje miqësore me personalitetet më të shquara të kohës në Evropë, si me Aurel Ambrosin, ipeshkëv i Milanos, me filozofin Agostin të Iponës, me poetin Paloin Nolani, me papë Inoçentin I e shumë të tjerë.

Ndër krijimet më të njohura të kompozimeve të Niketës konsiderohet himni “Te Deum, laudeamus” (Ty o Zot të lavdërojmë), por edhe “De psalmodiae bono” e shumë të tjera, të cilat kanë rëndësi të madhe për historinë e traditës sonë kulturore e artistike, qoftë si përmendore të hershme të muzikës dhe muzikologjisë, qoftë si vepra të zgjedhura në repertorin paleokristiane të mbarë botës (Ramadan Sokoli “16 shekuj”, “Eurorilindja”, Tiranë, 1994, faqe 11-48).

Nga fillimi i shekullit të kaluar, kur britaniku A. E. Burn botoi në Cambridge (1905) monografinë “Niceta of Remessiana”, konfirmohet botërisht se ky shenjtor doli prej botës iliro-shqiptare. Vetë Shën Niketa shkruan: “Dardanus sum” - jam dardan.

 

Shën Konstandini i Madh

Konstandini (i biri i Konstant Klorit dhe Helenës), u lind  rreth vitit 280 në Naissus të Dardanisë (Nishi i sotëm) dhe vdiq më 22 maj 337. Ai ishte i njohur si Konstandini i Madh apo Konstandini I. Ishte perandor romak prej 306 deri 337. Asnjë perandor romak nuk ka lënë gjurmë më të thella në kishën e krishterë sesa Konstandini. Ai u lejoi të krishterëve ushtrimin e lirë të fesë (me Ediktin e Milanos, 313). Në këtë mënyrë Konstandini paralajmëron kalimin nga antikiteti pagan në mesjetën e krishterë. Me emrin e tij u pagëzua qyteti fare i vogël Bizanti, sot Stambolli, Konstandinopoli që mbajti plot 16 shekuj.

 

Vendlindja e Justinianit të Madh

Bërvenikun, qytet-treg e gjejmë të regjistruar me emërtimin Bruenico, Bruenich e  Breuenicho dhe e ndeshim për herë të parë në vitin 1280, kohë kjo kur Bërveniku përmendet si koloni e Kotorrit, përkatësisht e Raguzës. Atëbotë në Bërvenik përmendet edhe Kisha e Shën Trifunit, që u ka shërbyer besimtarëve katolikë. Sipas Jeriçekut çdo vend xehetar e ka pasur kishën e vet katolike. I pari që u përcaktua për ekzistimin e Bërvenikut në anën lindore të lumit Llap ishte Ilarion Ruvaraci, përfaqësues i historiografisë kritike serbe, i cili në vitin 1879 konstaton: “Nuk mund të mendohet për Bërvenikun e rrjedhës së Bërvenicës në Ibër, meqë rruga nga Prishtina ose Graçanica për Manastirin e Ravanicës nuk shpie kah Bërveniku i Ibrit”. Një mendim të tillë e mbështet edhe Konstantin Jeriçek në “Studime mbi rrugët tregtare”. Këto konstatime u pranuan dhe nga shumë studiues sllavë, rusë, gjermanë, e në veçanti Jahja Drançolli.

Historiani ynë i mirënjohur, Jahja Drançolli, argumentet e veta i mbështet në diplomën e perandorit Stefan Uroshi, të 15 qershorit 1363. Nga kjo del se Bërveniku si treg dhe xeherore ka ekzistuar në rajonin e Gallapit edhe gjatë periudhës mesjetare. Dihet se në periudhën paraosmane nga Shatorica (vend në Kopaonik mbi Bellasicë) është zgjatur një rrugë e cila është degëzuar në dy drejtime, që është fjala për “rrugën e xehetarëve”, një drejtim i së cilës shkonte për në Bellasicë dhe nga andej lëshohej në Llapin e Poshtëm dhe arrinte në Bërvenik. Të dhënat në terren bëjnë fjalë për ekzistimin e Bërvenikut si qytet në rajonin e Gallapit, ngase kodra që ngrihet në kufijtë e fshatrave Brainë dhe Bërvenik edhe sot nga disa qytetarë quhet Çuka e Brainës, kurse nga të tjerët Çuka e Bërvenikut.

Po ashtu, në Bërvenik dhe në afërsi të Bërvenikut janë zbuluar disa vendshkrirje xehesh (Brainë, Ballaban, Keqekollë, Koliq, Grashticë, Herticë dhe fshatra tjera), të cilat dikur lidheshin me rrugët që çonin në minierat e Artanës, Trepçës dhe Bellasicës. Vlen të përmendet se një rrugë e xehetarëve, që vinte prej Artanës nëpër Gjytetin e Grashticës, kalonte nëpër Shator (kodër e ngritur me të cilën sot kufizohen fshatrat Keqekollë, Radashec dhe Koliq), që shpie nëpër Kështjellën e Sharbanit, kah Suka e Madhe dhe Suka e Vogël, në Rimanishtë, dhe çon në pjesën e poshtme të lumit Llap në Besi apo Lluzhan, e që pastaj në anën verilindore të rrjedhës së Bërvenicës arrin në qytetin mesjetar të Bërvenikut. Lidhja e këtyre dy vendeve bëhej edhe përmes rrugës tjetër të xehetarëve, që kalonte nëpër Kështjellën e Kollçakut (në Koliq) kah Trojet e Gjenovizit dhe Çuka e Zallit (në Ballaban) dhe arrinte në Bërvenik. Nga kjo kuptojmë se nuk është fjala për Shatoricën mbi Bellasicë, por për Shatorin në Malësinë e Gallapit.

Po ashtu, toponimet që dëshmojnë për lashtësinë e Bërvenikut dhe të fshatrave për rreth veçojmë: Çuka e Bardhë, Çuka e Hajrushit, Çuka e Fezës, Goleshi, Kisha e Bërvenikut, Kisha te Zallina, Kisha e Goleshit dhe Trojet e Gjenovizit në Bërvenik, kurse në fshatin Brainë veçojmë Çukën e Brainës me kështjellën ngjitur me Bërvenikun, në të cilën vërehen muret e kështjellës, themele, tulla, gjurmë rrugësh, enë qeramike të ndryshme dhe vegla pune, që dëshmojnë për ekzistimin e një qytetërimi antik dhe mesjetar. Shumica e studiuesve mendojnë se Kështjella e Brainës është Bederiana e rindërtuar nga Perandori Justinian. Në Brainë i hasim edhe këto toponime: Çuka e Zhigut, Çuka e Madhe, Kisha, Lugu i Kishës (që ka edhe ngjyrë metalesh) etj.

Edhe në fshatin Kalaticë, që kufizohet me Bërvenikun, ka gjurmë të objekteve të banimit, si ato te Ara e Shtogjeve, te Përroni i Zidinave, Vorrezat e krishtera etj. Në Ballaban, po ashtu, ka ngjyrë metalesh te Përroni i Samakovës, Trojet e Gjenovizit, Çuka e Zallit, Përroni i Gomurit, që me rrugën nga Bërveniku lidhen me Kështjellën e Kallçakut dhe kështjellat tjera përreth.

Territori i Gallapit ishte nyjelidhëse e shumë rrugëve që mundësonin lidhje më të shkurtra me shumë qytete e qendra tregtare të kohërave më të hershme. Rruga Nish-Shkup e shënuar vetëm pjesërisht në Tabula Peutingeriana, që shkonte nëpër një varg lokalitetesh të antikës së vonë, kalonte malet e Gallapit dhe hynte në pellgun e pjesës më burimore të Moravës së Jugut, duke u bashkuar në afërsi të vendbanimit antik Station vectigalis Illyrici në fshatin Runjevë, me rrugën që nga drejtimi i Ulpianës shpinte Shkup. Ndër rrugët e rëndësishme të lashtësisë ishte edhe rruga Naissus-Lissus, e cila kalonte nëpër kufirin veriperëndimor të Gallapit dhe rruga Nish-Medvegjë-Shkup,  kalonte nëpër pjesën qendrore të Gallapit. Nëpër Gallap kalonin edhe rrugët Ulpianë-Urlanë-Tullarë-Medvegjë dhe rruga Magurë-Lipjan-Banullë-Janjevë-Artanë-Medvegjë-Leskoc, që lidheshin me rrugët tjera ndihmëse të cilat kalonin nëpër rrafshnaltat e Gallapit, si Zllash, Shator, Brain-Bërvenik, Drazhnjë, Balloc e Kodra e Gollakut, që shpiente në drejtim të Nishit.

Po ashtu, rruga për Brainë e Lisinë, të cilat lidheshin me luginën e Jabllanicës, që nga ana e djathtë zbriste në të majtë të Siarinës, kurse në të djathtë çonte në Kitkë për të vazhduar në drejtim të Shkupit. Rrugë tjetër nga Artana për në drejtim të Shkupit ishte ajo që kalonte nëpër Përlepnicë të Gjilanit dhe rruga Artanë-Gllamë-Zhegoc-Zhiti-Kllokot, e cila lidhej me rrugën Ulpianë-Shkup. Përveç këtyre kalonin edhe rrugët nëpër rrjedhat e lumenjve, që lidheshin me rrugët kryesore që çonin në Artanë dhe qytete tjera xehetare përreth Artanës, si rrugët që ndiqnin degëzimet e lumit Krivareka (kështu e quajnë serbët) dhe rruga Prishtinë-Grashticë-Keqekollë-Lisinë. Një degëzim tjetër i kësaj rruge ndahej në Grashticë që shkonte në drejtim të Janjevës. Nga të dhënat e periudhës Antike e të Mesjetës kuptojmë se ka ekzistuar qyteti xehetar e tregtar i Bërvenikut në Malësinë e Gallapit (Qazim Namani “Bërveniku afër Bederianës”, "Lajm", Prishtinë, 6 tetor 2007, faqe 13).

 

 Favius Pjetrus Sabbatius - Justiniani i Madh

Image and video hosting by TinyPic

Në vargun e perandorëve të shquar romakë e bizantinë të gjakut ilir është edhe Favius Pjetrus Sabbatius - Justiniani i Madh. Qe perandor i Perandorisë Romake të Lindjes – Bizantit nga vitet 527-565. Koha e Bizantit nga historia jonë njihet si kohë e errët për shkak se pushtuesit e shumtë, sidomos sllavët dhe turqit, u munduan të përvetësojnë historinë, traditën dhe figurat botërore që i dha gjaku i të parëve tanë. Këtë e bënë për të na cilësuar si ardhacakë. Por, në fakt, ardhacakët sllavë janë ata që i përvetësuan kishat dhe shenjtërit, kurse turqit e bastardhuan kulturën dhe qytetërimin fetar e kombëtar iliro-dardano-arbëro-shqiptar.

Në rajonin e Llapit të tashëm u ndërtuan Kështjella e Laberiumit, kurse u rindërtuan kështjellat në Tezule, Besiana, Labuca dhe Bederiana. Lidhur me Bederianën Prokopi shkruan: “Diku në krahinën e dardanëve të Evropës, përtej kufirit të Bederianës, ishte vendbanimi Taurisium (Turuçica e sotme – v.j.), përkatësisht aty afër ndodhet edhe vendbanimi Tullar, si dhe Tauri, afër Kështjellës së Bederianës. Aty u lind Perandori Justinian... Në afërsi të këtij vendi ndërtoi një qytet të bukur, të cilin e quajti Justiniana Prima...”.

Perandori Justinian ishte pagëzuar me emrin Pjetrus Sabbatius, kurse emrin romak përkëdhelës Justinianus ia kishte dhënë daja i tij - Justini I, perandor i Bizantit nga viti 518-527, i cili e kishte marrë në Konstandinopojë dhe së pari ia kishte dhënë pozitën e lartë të patricit e më vonë edhe e kishte emëruar në gradën e pallatit perandorak si “magister equitum et peditum preasentalis”. Justiniani me kalimin e kohës u bë edhe këshilltar i dajës së tij (Justiniani ishte djali i motrës së Justinit I) për çështje të politikës së brendshme e të jashtme. Në vitin 525 fitoi titullin caesar, kurse më 4 prill të vitit 527 arriti të bëhet perandor, kur edhe gruaja e tij Theodora u kurorëzua si Augusta. Justiniani me Theodorën u kurorëzua në Katedralën e Shën Sofisë, në vitin 525, kurse më 4 prill 527 u kurorëzuan si bashkëperandor-bashkëperandoreshë.

Në fakt, Theodora ishte perandoresha më e aftë romake (e Lindjes dhe e Perëndimit). Ajo ushtroi ndikim në udhëheqjen e politikës së bashkëshortit. Në veçanti dallohej si artizane e lëshimeve ndaj monofiziteve, e sidomos të përfshirjes në legjislacionin e Justinianit të shumë ligjeve që kishin të bëjnë me mbrojtjen e grave, problemet e divorcit si dhe mbrojtjen e prostitutave.

Formalisht sundimi i Justinianit si perandor bizantin njihet nga viti 527, mirëpo ai që nga vitit 518 ishte bashkëperandor me xhaxhain e tij Justinin I. Justiniani ishte perandor 38 vjet. Duke llogaritur kohën kur ishte edhe si bashkëperandor, në fronin perandorak qëndroi më se 47 vjet. Perandori Justinian vdiq më 1 gusht 565, kur edhe u trashëgua nga i nipi i tij Justini II, i cili sundoi deri në vitin 578. Me Justinin II definitivisht përfundon edhe Dinastia e Justinit I dhe e Justinianit, që zgjati nga viti 518-578, pra plot 60 vjet.

Perandori Justinian, si njeri me karakter të fortë, energji dhe inteligjencë cilësore, hodhi poshtë konservatizmin tradicional bizantin. Gjatë sundimit të tij mbi Italinë, Afrikën Veriore, Sardenjën, Korsikën, Ishujt e Balearit e të Ceutenës, Persinë, Spanjën e kështu me radhë, vende këto të cilat i solli prapë nën sundimin perandorak.

Reformat administrative të Justinianit kishin për qëllim forcimin e autoritetit perandorak, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit dhe mbledhjes së taksave.

Perandori Justinian në botë njihet për tri gjëra që kanë lënë gjurmë në historinë botërore: si themelues i botës së qytetëruar, përkatësisht i sistemit legal të civilizimit; për normat juridike të quajtura Corpus Juris Civilis, të njohura edhe si “Kodi i Justinianit” (të shpallur në vitin 534) dhe, së fundi, për ndërtime e rindërtime.

Justiniani gëzonte përkrahje të madhe në realizimin e planeve të tij nga Teodora, si dhe bashkëpunëtorët e tij të talentuar të lëmisë së drejtësisë, administratës, mirëqenies, arkitekturës, ndërtimtarisë e të tjera.

Justiniani i la në trashëgimi njerëzimit një perandori me monumente më të avancuara në trajtë të Shën Sofisë, pastaj ligjin - Kodin Justinian, që edhe në kohët e sotme është bazë për sisteme të civilizimeve.

Ëndrra e Justinianit për ripërtëritjen e Perandorisë Romake në shtrirjen e saj të mëparshme, si dhe fama e tij në aspektin material e kulturor, bëri që Konstandinopojën ta shndërrojë në një qendër të zhvilluar dhe të lulëzuar të botës.

 

Justiniani nip i Justinit të parë

Justiniani i Madh ishte nip i Justinit të parë, që ishte nga Nikja e Dardanisë Ilire. Daja i tij Justini u tregua udhëheqës i paaftë. Justiniani e udhëhiqte Perandorinë qysh para se të kurorëzohej si perandor (527-565). Justiniani u ngrit në fronin perandorak në moshën 40-vjeçare.

Për të zhvilluar perandorinë në pjesët tjera, Justiniani i dha një çmim të lartë në vitin 532 shahut pers Kusros I. Pati përbrenda trazira siç ishte kryengritja e Nikesë, që shpërtheu në Konstandinopojë, në janar të vitit 532. Pas disa çrregullimeve politike, Belisari hyri në Hipodrom me ushtri dhe e shuajti revoltën e “të gjelbërve” dhe “të kaltërve”. Më këtë rast u shkaktua një gjakderdhje dhe qyteti pësoi dëmtime të rënda, mirëpo në anën tjetër kjo i hapi rrugën Justinianit për zbatimin e programit të tij. Kështu, pas revoltës, filloi punimet për ndërtimin e kishës së re në vend të kishës së dëmtuar rëndë të Shën Sofisë.

Në vitin 533 Justiniani ndërmori disa ekspedita të udhëhequra nga Belisari kundër mbretit vandal në Afrikë. Armata që ia kishte vënë Justiniani në dispozicion Belisarit përbëhej prej më se 10 mijë këmbësorëve edhe nga më se 5.000 kalorës dhe 3.000 barbarë që konsideroheshin si aleatë. Me fitoret e arritura kundër Gelimerit, i cili kishte mbajtur një pjesë të ushtrisë dhe një pjesë e kishte dorëzuar nën komandën e të vëllait Tata, në ishullin e Sardineve, Belisari arriti ta pushtojë Karagen për një kohë të shkurtër. Pas kësaj fitoreje Belisari u kthye së bashku me robërit e zënë në Konstandinopojë, ku Justiniani i la të vendoste për sundimin në Afrikë.

Sulmin ndaj gotëve të jugut Justiniani e bëri me zbarkimin në Itali në vitin 535. Ushtria e udhëhequr nga Belisari nuk hasi në ndonjë qëndresë deri në Palermo dhe më 31 dhjetor të vitit 535 hyri në Sirakuzë. Në pjesën tjetër të kohës ai përparoi me ushtrinë e vet deri në Napol ku ishin garnizonet e gotëve, të cilët i theu. Në dhjetorin e ardhshëm Belisarin e gjejmë me ushtri të ngulitur në Romë, duke u përgatitur për kundërsulmin e gotëve të jugut. Pas një viti rrethimi të Romës me ndihmat e marra nga Justiniani, Belisari vazhdoi marshimin e tij me të njëjtën ushtri drejt Ravenës, ku hyn në vitin 540. Justiani që kishte për qëllim zbatimin e planit të tij, pranoi një mbretëri të gotëve të jugut në pjesën veriore të Italisë, duke e siguruar këtë pjesë të perandorisë dhe të qëronte hesapet me perandorinë persiane në jug të kufijve.

540, Khusroi u hodh me ushtri në Antioki dhe e pushtoi. Në vitin 541 Justiniani e dërgon Belisarin në vijën e frontit, mirëpo Khusroi ishte përqendruar në Lazaricë ku Lazi, një prijës armen, kishte krijuar një lidhje të fuqishme. Luftërat bizantino-perse në këtë kohë vazhduan deri në vitin 561 kur arriti një marrëveshje, kurse pjesa lindore e Detit të Zi i takonte Perandorisë së Justinianit.

Prapë Justiniani vendosi që të dërgonte Belisarin në pjesën perëndimore dhe e rimori Romën në dhjetor të vitit 546, mirëpo menjëherë pasi repartet e Belisarit hynë në Romë,  ai mori urdhër nga Justiniani që të ndërmerrte një ekspeditë kundër rebelëve në Siçili.

550 Justiniani emëron prijës të ekspeditës më të madhe në Itali, kushëririn e vet Germanusin, i cili do të vdesë aty nga një sëmundje. Në vend të tij Justiniani vë Narsin, i cili po ashtu ishte një udhëheqës i aftë me një karrierë ushtarake të ndritshme. Ky arrin që t’i mundë gotët në vitin 552.

Gjatë kohës së sundimit të Justinianit, Perandoria Bizantine arrin kulmin e lulëzimit në të gjithë lëmenjtë e jetës dhe jo vetëm në kulturë, siç ishte e njohur më parë si dhe pas Justinianit. Gjatë kësaj kohe u hartua edhe Kodi i Justinianit (528), i cili u institucionalizua dhe hyri në fuqi rreth vitit 534.  

Justiniani vdiq më 565. Ai i kishte dhuruar Perandorisë Bizantine çastet më të ndritshme në historinë e saj. Gjatë kohës së tij perandoria shtrihej nga Armenia deri në brigjet e Spanjës e nga Danubi deri në Afrikë. Detin Mesdhe e shndërroi në një Liqen Bizantin. Vdekja e tij i hapi rrugën perandorit që mbante emrin e tij Justini II.

Pra, Justniani kishte arritur atë që nuk e kishte bërë asnjë perandor tjetër romak, ngase ai e kishte pushtuar pothuajse gjithë zonën e Mesdheut, që shtrihet përtej Lindjes së Mesme (e cila ishte vetë bizantine), përgjatë brigjeve evropiane dhe atyre afrikane. Perandoria i kishte fituar përsëri pothuajse kufijtë e kohës së Oktavianit, përkatësisht këta kufij ishin fituar vetëm nga Justiniani i Madh. Bizanti ishte kthyer në superfuqi të vetme të Mesdheut (shekulli VI), që do të thotë se Mesdheun e mbizotëronte Pax Romana. Justiniani ia kishte arritur qëllimit - rikthimin e triumfit romak (reconquista), por pasardhësi i tij nuk ishte i aftë ta ruajë këtë fuqi. Pavarësisht nga fitoret e Herakliut kundër Persisë, dukej se Bizanti ishte i dënuar që ta mblidhte fuqinë e tij në Azinë e Vogël, në viset greke dhe në viset e Dardanisë Ilire të Ballkanit.

Justiniani adaptoi përfundimisht krishterimin në një religjion të vetëm në shtetin bizantin. Ai kishte vendosur një unitet në kishën e krishterë. Kishte ngritur monumente madhështore: Kishën e Shën Sofisë, Kishën e Shën Irenës, Kishën e Shenjtorëve Sergo e Baku, që ia ndërruan pamjen e deriatëhershme të Konstandinopojës, i cili qytet në atë kohë ishte bërë edhe port kryesor i tregtisë ndërmjet Evropës dhe Azisë. Madje, në vitin 552, kur disa murgj kishin sjellë vezët e krimbit të mëndafshit, Justiniani kishte ngritur industrinë e mëndafshit, e cila u bë ndër më fitimprurëset e perandorisë.  

Megjithatë, pas krishterimit, lindja e një feje të re në Mesdhe, islami, dhe ndarja e të krishterëve, kisha dhe sekte, u bërë shkak që të bëhet një rindarje e fuqive në Mesdhe dhe në Evropë.

Kontributi i Justinianit ishte tepër i rëndësishëm edhe në çështjet kishtare. Në Konstandinopojë qytetarët ishin të ndarë në “demo”, të cilët përkrahnin edhe grupet e ndryshme sportive që aktivizoheshin në arenën e qytetit. Fillimisht veprimtaria e këtyre grupeve (demo) u duk vetëm si sportive, por me kalimin e kohës filluan të shprehin edhe mendimet politike e fetare. Demot më të shquar ishin “të gjelbërit” (ortodoksë, aristokratë) dhe “të kaltërit” (monofizistët, besonin se Jezusi kishte një natyrë të vetme hyjnore), pastaj vinin “të bardhët”, që ishin aleatë të “të gjelbërve” dhe të “kuqtë”, aleatë të “të kaltërve”.

Ndaj, për shumë historianë, Justiniani edhe mbeti perandori i fundit romak, që do të thotë se Justiniani ishte perandori më i shquar i Perandorisë Romake. Prandaj arsyet kryesore që Justinianin e vendosin midis të mëdhenjve të Romës janë: veprat e mëdha të artit dhe infrastruktura e ndërtimeve, pastaj kodifikimi i drejtësisë romako-bizantine, politika e tij ushtarake si dhe ndërtimet dhe rindërtimet.

 

Ndërtimet
Duket se në kohën e Justinianit perandoria kishte përjetuar një zhvillim ekonomik dhe kulturor të madh. Sidoqoftë nga aspekti historik çdo gjë që mundi të nxjerrë në pah kjo perandori, që nga Konstandini i Parë e deri te Konstandini i fundit, pasqyrohet më mirë në kohën e Justinianit të Madh, përkatësisht veprat e ngritura në kohën e Justinianit të Madh, kalojnë në numër dhe madhështi të gjitha mbetjet e dinastive të tjera bizantine. Madhështore ishte edhe veprimtaria e Justinianit e ndërtimeve të mureve mbrojtëse në viset kufitare veriore - Danub, zonat kufitare lindore (Biminak deri në Detin e Zi) dhe zonat juglindore (Eufrat). Përndryshe Perandori Justinian njihet edhe për ndërtime e rindërtime - fortifikoi 44 caqe e rindërtoi 68 (dikund thuhet 69) të tjera në Epir, Maqedoni e në Dalmacinë Ilire.

 

Kodi i Justinianit

Në fushën e legjislacionit, prej vitit 528 dhe deri në vitin 534, u hartua Kodi i Justinianit që harmonizoi dhe modifikoi të gjithë legjislacionin e vjetër. Vlera e tij për qytetërimin  perëndimor është e pallogaritshme, sepse në formën që e sjellë Justiniani, filloi të përdoret në Evropë që nga shekulli XII (Luan Përzhita “Dy kolosët e Dardanisë”, Albanica, nr. 61, Prishtinë, 2006, faqe 70-73).

Kodit të Justinianit iu dha autoriteti statutar në vitet 533-534. Prej asaj kohe ekziston edhe termi “kodifikim”, që ka të bëjë me një proces të grumbullimit dhe të rregullimit të ligjeve në një sistem të unifikuar normash juridike të shkruara dhe të proklamuara. Në fakt, Corpus Juris Civilis - Kodi i Justinanit - është një monument në historinë legale të jurisprudencës botërore. Me paraqitjen në trajtë sistematike të rezultateve mijëvjeçare të së drejtës romake Kodi i Justinianit u bë bazë për sistemin bashkëkohor të ligjit civil. Justiniani bëri klasifikimin dhe rikrijimin e kushtetutave nga perandorë të ndryshëm romakë në një kod të veçantë që përbëhej nga 4.652 ligje. Ai po ashtu e bëri përmbledhjen prej 50 vëllimeve të vendimeve kryesore që kishin qenë në përdorim qysh nga juristët e shekullit II e III të kohës së ligjit romak. Me ligjet e Justinianit për herë të parë ishin liruar skllavët dhe ishte lejuar shitja e tokës, ishte siguruar barazia e të pasurve me të varfërit, ishte siguruar mbrojtja e qytetarëve e kështu me radhë. Ligji, kishte thënë Justiniani, është arti i mirësisë dhe i drejtësisë. Puna e mëvonshme legjislative e Justinanit (deri në vitin 565) është e njohur si “Novela Constituciones” pastaj ishte siguruar që “Corpus Iureis Civilis” të dalloj nga “Corpus Iureis Canonika” romake. Bile, nuk është e tepërt të thuhet se asnjë libër nuk ka lënë gjurmë në historinë e njerëzimit sa Corpus Iureis Civilis i Justinianit. Kjo vepër përmban të gjitha ligjet e kodifikuara të Justinianit në 2.200 faqe të lidhura në tri vëllime tani të standardizuara në botimin e “Berlinit”. Nga kjo del se Perandori Justinian ishte ndër figurat më kreative dhe më të larta në historinë e jurisprudencës botërore. Kjo punë monumentale e Justinianit inspiroi edhe sisteme legale të shteteve evropiane. Në fakt, diturisë legale juridike të Romës së vjetër i dha ngjyrë plotësisht të re doktrina juridike e Justinianit. Justiniani thoshte “Edhe vetë autoriteti perandorak duhet t’i përkulet ligjit”.

Përndryshe, para epokës së Justinianit të Madh Drejtësia Romake kishte probleme për  shkakun se ekzistonin shumë burime juridike midis të cilave gjykatësit duhet të zgjidhnin se cili ligj ishte i drejtë për rastin e caktuar dhe cili jo. Çështjet e drejtësisë e kishin shqetësuar edhe Konstandinin e Madh, i cili nuk kishte gjetur zgjidhje, kurse Teodosi i Dytë dhe Valentiani i Tretë e kishin bërë një zgjidhje, sipas të cilës gjykatësit duhej t’i drejtoheshin një trupi gjykatësish të cilët e jepnin mendimin e tyre. Kjo mënyrë e ndarjes së drejtësisë ishte aq problematike saqë e detyroi Justinianin t’i mbledhë të gjitha ligjet në një kod të përbashkët ligjor, i cili do ta përcaktonte me qartë çdo vepër kundërvajtëse si dhe do ta përcaktonte ndëshkimin për të. Për t’ia arritur qëllimit, Justiniani vendosi (më 13 shkurt 528) një grup prej 10 këshilltarësh juridik me kryetar Tribonianin. Detyrë e këtij grupi ishte që të mblidhte çdo normë juridike nga ligjvënësit e parë romakë (si Gaiusi, Adriani etj.), në mënyrë që të gjenin ndëshkimin e caktuar. Vepra përfundoi pas një viti dhe ngeli e njohur si Codex Justinianus. Codex Justinianus përbëhej nga 12 libra të ndarë në kapituj të shkruar në gjuhën latine. Përveç ligjeve të vjetra, ekzistonin edhe vendime të Justinianit për tema të cilat nuk ishin prekur nga ligjvënësit e mëparshëm. Bashkë me Kodin dolën në qarkullim edhe “pesëdhjetë përgjigje” (Quinquangita Desiciones).

Pas këtyre Justiniani vashdoi në krijimin e parimeve (instituteve) dhe të Rejave (Neare). Të Rejat u shkruan në gjuhën greke, derisa deri atëherë gjuha zyrtare e Perandorisë ishte gjuha latine. Do përmendur se Justiniani e kishte kuptuar rëndësinë e përdorimit të të gjuhës greke për shkak se popullata e Bizantit atëbotë e fliste më shumë gjuhën greke (Justiniani nuk e fliste gjuhën greke). Pikërisht për këtë Justiniani quhet perandori i fundit romak pasi që pas tij udhëheqja e Bizantit ngadalë do t’i humbë karakteristikat romake, përkatësisht latine. Ndaj, kur Bizanti sipas gjuhës do të jetë kthyer “në pronë greke”, shumë historianë do ta vënë në dyshim karakterin perandorak të Bizantit, sepse atë periudhë do të fillojnë ta quajnë mbretëri.

Vepra me rëndësi të madhe historike botërore e ligjvënësve të Justinianit do të mbetet bazë e drejtësisë romake, që do të zbatohet në Bizant deri në  vitin 1453. Gjithashtu me punën e Justinianit (Corpus Juris Civilis) drejtësia romake u bë më “njerëzore”, sepse ishte hera e parë kur kërkohej që gruaja mund të ndahej nga burri, pastaj kërkohej që gratë të marrin pjesë në trashëgimi, të njihet e drejta e fëmijëve të jashtëligshëm etj. Po ashtu, ishte hera e parë në historinë e njerëzimit kur ligjeve njerëzore iu jepej prejardhja te Zoti dhe kur ndarja e drejtësisë quhej si një vepër e shenjtë. Drejtësia romake, ashtu siç ishte kodifikuar nga Justiniani i Madh, mbetet deri më sot baza e ligjeve të pjesës më të madhe të vendeve të Evropës, bazë juridike e shumë shteteve të Afrikës dhe Amerikës Latine, bazë e Kebekut si dhe e Luizianes të SHBA-ve (Nikollë Loka “Dinastitë iliro-shqiptare me famë botërore”, Mirdita, Tiranë, 2004, faqe 78-86).

Nga e gjithë kjo del se veprat e Justinianit si “Digestin”, “Kodi” dhe “Institutet”, si një trup zhvilimor i normave shoqërore të Justinianit, bëjnë pjesë në “datat më të rëndësishme të drejtësisë botërore të të gjitha periudhave kohore”.

 

Kanunet kanë bazë te Kodi i Justinianit

Dhe, tani shtrohet pyetja ku mbetën krejt këto norma juridike që u hartuan nga Justiniani ynë i Madh, e të cilat i njeh bota e ne jo, të cilat bota i ka të shkruara e ne jo dhe bota i ka në histori e ne jo? Ato norma, në të cilat thirret bota, na i zhdukën pushtuesit, ata që tentuan për të na e zhdukur edhe historinë, dhe ne tani ato vlera i marrim nëpërmjet të të huajve dhe nga historitë e të huajve.

Megjithatë, ato norma mbetën në kujtesën e brezave tanë dhe u trashëguan me mbamendje, që më vonë, të reformuara sipas kohës dhe mjedisit, u bartën dhe u cilësuan si Kanuni i Arbërisë, përkatësisht i Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Më pastaj, njihet Kanuni i Labërisë, Kanuni i Maleve, kanunet e katundit Kastrat (1891-1892), marrëveshja në mes të Shalës dhe Nikajt (1850), Besëlidhja ndërmjet Shalës, Shoshit, Nikajt e Merturit (1894), marrëveshja në mes Nikajt e Currajt (1895), vendimi i katundit Vukël (1902), Kanuni i gjashtë bajraqeve të Dukagjinit (1913) e të tjera, të gjitha të pashkruara e deri te Kanuni i Lekë Dukagjinit, që e voli nga populli dhe e kodifikoi Atë Shtjefën Gjeçovi (u botua si vepër postume më 1933). Albanologu Milan Shuflaj supozonte se ky kanun duhet të jetë kodifikuar nga bashkëluftëtari i Gjergj Kastriotit - Lekë Dukagjini, zotërimet e të cilit kapnin një sipërfaqe nga Zadrima e Sipërme e deri në Ndërfand e nga aty deri ku bashkoheshin dy Drinat (Drini i Bardhë dhe Drini i Zi).

Në fakt, të gjitha këto norma kanunesh supozohet se në njëfarë mënyre janë mbamendje të brezave që nga normat juridike të Justinianit të Madh.

 

 

Prishtina e mban emrin e Justinianit

 

Në vitin 518 Ulpiana u rrënua plotësisht nga një tërmet i madh. Këtë qytet - Ulpianën antike - e ngriti Perandori i Madh bizantin Justiniani dhe e quajti Justiniana Secunda, kurse më vonë ky emërvend u transformua në Istriniana, përkatësisht Pri (që do të thotë qytet) Istriniana, pastaj Pristrina dhe së fundi Prishtina, që do të thotë Qyteti i Justinianit (Muharrem Cërabregu “Gjeo dhe hartolinguistika – Hartografia I”, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1990, faqe 255-350 ).



 
  Today, there have been 2 visitors (10 hits) on this page!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free