GALLAPI ON
  Gallapi
 

Abdullah Konushevci

Toponimi e Gallapit

(Studim etimologjik)

Islam Veliut, përzemërsisht

Historiku i kËsaj monografie

Pas botimit të punimit “Toponimi e Gallapit” me nëntitullin “Mbi emërvendet Keçekollë dhe Tugjec” në numrin 2 të revistës “Gallapi”, si dhe shkrimit për Damastionin, Islam Veliu, bamirës dhe mik imi i shtrenjtë, e shtroi një si propozim punën e shkrimit të një monografie për emrëvendet e zonës së Gallapit, sa për të më ndihmuar mua, po aq edhe për të bërë një studim më serioz në këtë fushë. Me një guxim djaloshar i hyra një ndërmarrjeje vërtet të madhe, një ndërmarrjeje që, mund të thuhet figuratisht, ‘të këputë në mes’, meqenëse në këtë fushë studimesh nuk kemi ndonjë projekt kaq të madh, që do të mund të na ndihmonte, qoftë edhe si udhëzues i thjeshtë. Ç’është e vërteta, për këtë zonë, si dhe për toponimet e saj, kur e kur dhe etimologjinë e tyre, kishte bërë një monografi akademiku shovinist serb, Atanasije Urosheviq, i cili ishte autor edhe i monografisë për toponimet e Kosovës të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, si dhe i librit për Kosovën[1]. Që të dy këto monografi, jo vetëm se ishin skajshmërisht subjektive, por bënin edhe shtrembërimin e fakteve të ndryshme historike, si dhe toponimike e etimologjike. Megjithatë, pasi sigurova librin e detorësve të Mikel Llukareviqit[2] nga dr. Hysen Matoshi dhe pasi e kisha që moti edhe librin e Pulahës, puna e dokumentimit historik filloi të ndriçohej më mirë dhe shtrembërimet e Urosheviqit viheshin re gjithnjë e më shpesh. Sigurimi i hartës osmane të vitit 1530 nga Ramadan Mehmeti qe një ndihmesë edhe më madhe, sepse nga ajo mund të siguroheshim për krahinat e ndryshme të kësaj zone dhe të bënim më lehtë ubikimin e ndonjë fshati të diskutueshëm, sikur ndodh me Kamenicën e ndonjë tjetër.

Kështu, në këtë hartë kemi krahinat: Ostroviçe, Bana, Leskofça, Topolniçe, Nova-bërda, Sirçe, Yasenovik, Gllama, Kremenat, Suteska, Istaro-sile. Pra, në këtë hartë mungon plotësisht Kriva Reka aq shumë e propaguar e Urosheviqit, e cila do të shfaqet vetëm në regjistrimin e viteve 1566-74, që ne e kemi parë me të drejtë si kalk të apelativit kelt *camm ‘lumë i shtrembtë/i lakuar’, e cila më vonë u ritrajtuar gjuhësisht si Kamenica, duke sjellë edhe shembuj të tjerë nga onomastika angleze me këtë apelativ.

Një ndihmesë e çmueshme në këtë punë ishin edhe monografitë për fshatrat Desivojcë, Busovatë, Herticë, Hogosht, Vele Gllavë, Prapashticë, Hashani, Bashkinë e Llukarit[3], por puna më e madhe u bë me vizitat, që u bëmë fshatrave me z. Islam Veliu gjatë një periudhe pothuajse njëvjeçare.

Megjithatë, një ndihmesë e çmueshme u sigurua edhe nga burimet e ndryshme historike, të cilat i kishin hulumtuar historianët tanë, si Selami Pulaha, Muhamet Tërnava, Skender Rizaj, Jahja Drançolli, Jusuf Osmani, studiuesi Iljaz Rexha, [4]

Gallapi, si një zonë toponimike, duke qenë pothuajse i izoluar pas pushtimit osman, pavarësisht se në antikë dhe në Mesjetë, siç mund të vihet re nga toponimet e tij, kishte një zhvillim të bujshëm, është me interes të madh në fushën e studimeve onomatologjike dhe etimologjike.

Sipas kërkimeve tona të deritashme, në këtë zonë toponimike hasen shtresime të ndryshme, që nga ato ilire a parashqiptare, si: Ballabani, Baraina, Batllava, Braina, Boleci, Busovata, Bushinca, Dabesheci, Dashnica, Desivojca, Dyzi, Grashtica, Gllama, Gurashi (Gjurisheci), Koliqi, Krileva, Makoci, Makreshi, Poliqka, Tugjeci e Zajeçeci; po ashtu edhe gale a kelte: Bërveniku, Kam(enica); latine e bizantine: Berivojce, Draganca, Dragoci, Hajkobilla, Hajnoci, Hajvalia, Hodeci, Hodanoci, Gllogovica, Gregjeniku, Kosovika, Kalatica etj.; gote: Badoci, Gmica, Hogoshti, Hertica, Kishnica etj. Me apelativ osman deri më tash dyshojmë se është vetëm fshati Karaçevë, kurse fshati Dyz është vetëm një riformulim gjuhësor i formës shqipe *dus-/dush- ‘dushk’. Një kalk osman duket se është fshati Svircë (Isvirçe ‘Zvicër’) për të përshkruar fisin e Helvetëve. Me origjinë sllave duket se janë toponimet: Jallaça, Gubaci, Izvori. Me origjinë arumune duket se është fshati Goguloc dhe Stanishor.

Megjithatë, një dritë më e madhe do të hidhet pasi të përfundohet kjo monografi, kur dhe do të kemi mundësi të japim një pasqyrë më të plotë.

Të shtojmë në fund se, si çdo projekt i rëndësishëm, edhe ky yni hasi në pengesa e vështirësi, sepse na u ndërpre botimi i shkrimeve plot katër muaj nga z. Selim Pacolli, drejtor i gazetës “Lajm”, kurse më vonë, kur na u lejua botimi, pas dy-tri shkrimeve, filloi censurimi i tyre nga z. Rushit Ramabaja, redaktor i shtojcës “Lajm për kulturë”, si dhe nga Ibrahim Kadriu, redaktor i kulturës i gazetës “Zëri”. Por, bashkë me këto pengesa e vështirësi, filluan të shfaqen edhe dashamirës të projektit, si zoti Nexhat Rexha, pastori dr. Femi Cakolli, prof dr. Nazim Qehaja, Sadri Ramabaja, agronim Refik Shabani.

Disa karakteristika të toponimisë së Gallapit

Një nga karakteristikat dalluese të toponimisë së Gallapit është edhe krijimi i ojkonimeve me anë parashtesash, sidomos të parashtesës d(ë)-, e cila është mjaft e lashtë dhe joprodhimtare tashmë në fjalëformimin e shqipes[5]. Mu për këtë arsye edhe i kemi kushtuar një vëmendje të posaçme paraqitjes tabelare dhe dokumentimit të saj në periudha të ndryshme. Së pari, këtë problem e kemi trajtuar te disa hidronime ilire, si në Tab. 1.1.

 

Në këto barazime do të und të hynte edhe fjala dre(r), e cila ka kognatët e saj në gjuhët gjermanike (*rahiaz), të cilën e shpjegojmë si një formë pikërisht të parashtesuar d- + *roi-no (Pokorny 2. rei- 859, Watkins 2. rei- 70.).

Po këtë dukuri e kishte vënë re edhe akademiku rumun Sorin Paliga, por për një korpus toponimesh fare të tjera. Ne kujtojmë se format me ad- janë një interpretim roman i parashtesës ilire-shqiptare d-, sepse –d- antevokalike në atë periudhë do të duhej të kishte dhënë /dh/.

Janë jo pak fjalë edhe të burimit të pastër të shqipes, që janë rrjedhuar duke u shtuar parashtesën d-, si në Tab. 1.3

Duke u mbështetur në të gjithë këta shembuj dhe të tjerë të këtij lloji, ne kemi nxjerrë përfundimin se edhe shumë ojkonime a emra fshatrash, qoftë të motivuara nga ndonjë hidronim ose dendronim, të zonës toponimike të Gallapit janë përftuar duke u shtuar parashtesën d-, si në Tab. 1.4

Rasti i Desivojcës, dëshmuar si Deshivojevci, si dhe si Desiv dhe Desil, është identik me atë të Dishnicës, ku –n është mbaresë e shumësit. Dihet se në Dishnicë kishte edhe një hidrocentral që punonte me fuqinë e ujit të përroit në të. Që të dy këto raste flasin se kemi të bëjmë me forma të parasthesuara të rrënjës IE *is- ‘i fuqishëm’, njësoj si Er-eniku < *Air-enik me origjinë kelte, ku rrënja *is- iu shtrua rotacizmit.

Një formë të ngjashme parashtesimi, por tash me parashtesën k(ë)r-/g(ë)r- e gjejmë edhe te një varg toponimesh të tjera, siç mund të shihet edhe në tabelën 1.5.

 

Evoluimi u > o në osmanishte është një dukuri e njohur, e cila ka prekur jo pak toponime në regjistrimet e ndryshme të kadastrave, si dhe në ndonjë hartë të kësaj zone. Kjo dukuri ishte karakteristike edhe për trajtimin e persizmave në osmanishte, siç mund të shihet në tabelën 2.1.

 

 

 

Toponimet e Gallapit

Bosovata/Busovata

Dokumentimi historik. Emërvendi Busovata përmendet në gjysmën e parë të shekullit XV si Bosovata dhe Busovata (Boxovata, Buxovata) në librin e detorësve të tregtarit të Novo-Bërdos Mikel Llukareviq (Diniç, “Iz Dubrovačkog arhiva” I, 47, 88). Po ashtu del edhe në regjistrat osmanë si Busovata (S. Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, f. 677). Sipas Urosheviqit, kur na paskan ardhur shqiptarët, e paskan gjetur vendin të shkretë dhe se pjesa më e madhe e fushës ishte e veshur me pyje, kurse një pjesë të kësaj fushe e punonin serbët e Miganovcit (A. Urošević, “Toponimi Kosova”, f. 19-20). Urosheviq thekson se ky është një fshat shqiptar në Kriva Rekën e Novo-Bërdos.

Mikrotoponimet. Lugina e Staneve, Kërsh’i Madh, Vorret e Çifutëve, Malishta, Likenët, Stanet, Zabel’i Madh, Bokat, Bungishta, Çuka, Zabel’i Hajredinit, Livadh’i Madh, Kodra Vosës, Baret, Ligata, Guri i Likës Gur’i Mullirit, Rrasat, Përron’i Firit, Kron’i Hasës, Kron’i Syve, Krojet, Fusha e Leprit (Halit Sylejman-Maliqi, “Busovata ndër shekuj”, “Era”, Prishtinë, 2006, f. 16), si dhe: Gropështina. Molla Haxhisë, Ara e Avdylit, Lug’i Thanave etj.

Të theksojmë se në Wikipedia italiane Busovata përmendet si fshat mikpritës dhe koloni sase dhe hebraike në Mesjetë.

Etimologjia: Sipas P. Skokut (ERHSJ, 242-243) fjala sllave ‘bus’ me kuptimin ‘plis, bucë, bos’, e përhapur vetëm në serbo-kroatisht, sllovenisht dhe bullgarisht mund të jetë një relikt i substratit iliro-trak. Zgjerimi semantik i fjalës ‘plis, bos, bucë’ në kuptimin ‘kasolle’, ‘altar’, falë parimit të metonimisë, përdorimit të pjesës për tërësinë (pars pro toto) mund të provohet edhe nga fjala latine caespes, -itis ‘plis, bucë, por dhe kasolle’. Sipas Çabejt (SEFSH, A-B, f. 344) kjo fjalë ndeshet në Shestan si ‘busë’, në Has ‘bâc’ për ‘top dheu’, në Çerem të Tropojës si ‘bâz’, në anë të Tropojës ‘bâo:s’, në Kosovë ‘bâsa’ sh. dhe ‘bosë’, Gjakovë ‘bazë’, te Arbanasi ‘bons’, te ER ‘bas’ me kuptimin ‘top bore’. Ai këtë fjalë të gegërishtes veriore e sheh si huazim krahinor prej skr. bûs ‘plis dheu me bar, një copë vend me bar’. Pra, pavarësisht se sipas Skokut kjo fjalë duket të jetë një relikt trako-ilir, sepse shtrihet vetëm në serbo-kroatisht, sllovenisht dhe bullgarisht, pra jo dhe në gjuhët e tjera sllave, Çabej mbron mendimin se kemi të bëjmë me një huazim krahinor. Në një version anglisht të fjalorit tonë etimologjik, fjalën ‘bos’ e kemi rrjedhuar nga rrënja indoevropiane *bheu-/*beu- ‘m’u frye, m’u âjë’ (< *be:u-ti- ose *be:-ti), ku e kanë burimin edhe një varg fjalësh të tjera të shqipes, si: bucë (khs. patronimin Bucoll), bymoj, mbush, fuçi (Pokorny 2. b(e)u-/bheu- 98.) etj.  Me kuptimin ‘kasolle’ kjo fjalë ndeshet edhe te një formë sllave ‘busenica’, sipas kumtimit gojor të Haxhi Mehmetajt. Megjithatë, kujtojmë se është i qëndrueshëm mendimi i Çabejt për nazalizimin sekondar a dytësor. Prandaj, mendojmë se forma Bosovata, por dhe Busavata në popull, dëshmuar edhe te Llukareviqi, duhet të jetë parësore, krahasuar me Busovata, që ne e gjejmë një trajtë dytësore. Por, ky emërvend është në të vërtetë një kompozitë këpujore sajuar nga Bos-a-vata (krhs. patronimin Vata te shumë familje shqiptare, që duket se ka karakter komemorativ, pra, përkujtues të vendlindjes së banorëve). Ndryshe, jo shumë larg këtij vendbanimi ndodhet edhe fshati Busi< Bosi me evoluimin e rregullt o > u, kur /o/ ndodhet në pozitë para-pastheksore. Te ky apelativ e kanë burimin edhe emrat e fshatrave: Bos-ce, Bos-ot-in, Bos-(a)t-an, të gjitha të dëshmuara në këtë zonë toponimike. Po ashtu, në Shqipëri kemi edhe togfjalëshin Qafa e Busenit (“Gjeografia fizike e Shqipërisë”, 1, f. 353).

Braina, Ballabani, Bërveniku dhe Bushinca

Pavarësisht se zona e Gallapit, për shkak të rëndësisë gjeostrategjike dhe pasurive minerare, qe nën ndikime të ndjeshme të kulturës kelte, romake, gote, bizantine, saksone, sllave, osmane, megjithatë, ajo ruajti edhe një numër jo të vogël emërvendesh me apelativë të pastër (para)shqiptarë a ilirë, të cilët, merre nga ta marrësh, janë në një numër shumë më të madh se të tjerët. Madje, edhe huazimet kelte, latine, gote, bizantine, sllave, osmane iu shtruan ligjësorive karakteristike të sistemit të fjalëformimit të shqipes, sikur e provojnë mbaresat e shumësit, ligjësoritë tingullore, prapashtesat e ndryshme etj.

Braina

Dokumentimi historik. Njëri nga fshatrat, që është dëshmuar historikisht mjaft herët -1378- është Braina, kur, krahas emrit të tij, përmendet edhe kisha e Shën Mërisë së Brainës (Novakoviq, “Zakonski spomenici” 513, cituar sipas A. Urosheviq, “Toponimi Kosova”, f. 15). Urosheviq, ndonëse e pranon se ai është një fshat shqiptar në Llap, megjithatë, ai pohon se gjysmën e shtëpive e përbëjnë muhaxhirët e Jabllanicës, kurse fshatin gjoja e paskan populluar shqiptarët në fund të shek. XVIII nga krahina e fisit Gash të Shqipërisë, të cilët këtu kishin takuar serbët, që ishin konvertuar në islam. Nga këta serbë, sipas tij, rrjedhin Gubavcët, kurse prej tyre kanë rrjedhur edhe Poturët, që u shpërngulën më 1919 në Turqi.

Mikrotoponimet. Disa nga mikrotoponimet karakteristike, marrë nga Latif Xhela, janë: Fusha e Madhe, Gurra e Nizamëve, Gurët e Zekës (tërvesa), Karolli, Arat e Han’s (që i rrezon rrezja e hënës), Çuka e Konakut, Prroni i Madh, Bregu i Hajrisë, Kumulleci, Rogat e Mdhaja, Lugu i Gusav, Mali i Dubravës (rrethuar nga të gjitha anët me përroje), Kisha, Zallina mi Kishë, Kroni i Ftohtë, Mrizet e Rekalive etj. Megjithatë, duke u nisur nga mikrotoponimi Braina e Madhe (çukë/sukë) i fshatit Metergovc, na thotë mendja se territori i këtij fshati ka qenë shumë më i madh dhe më i gjerë në të kaluarën, duke përfshirë edhe vetë Metergovcin.

Etimologjia: Në librin “Gjuha shqipe 11” patëm shprehur mendimin se emërvendi Brainë është ndërtuar nga apelativi ilir bra ‘vëlla’ dhe prapashtesa –ina, karakteristike edhe për Zall-inën në këtë fshat, Tu Rrafsht-ina në Bërvenik dhe për një varg emërvendesh të tjera. Po nga ky apelativ duket se rrjedh edhe patronimi Bra-ishor, si dhe fjal shqipe brez ‘gjeneratë’. Po morëm parasysh faktin se ky fshat banohet nga vëllazëria e fisit Gash, atëherë kuptimi i saj është i qartë vetvetiu, sepse banorët e tjerë, siç e pohojnë edhe vetë, janë ardhacakë nga Jabllanica.

Të theksojmë se një shpjegim krejt tjetër e jep z. Rexhep Doçi me një tip metateze të panjohur në gjuhët sllave (“Onomastikë ilire-shqiptare në Ballkan”, IAP, Prishtinë, 2006, f. 348.).

Ballabani

Dokumentimi historik. Sipas Urosheviqit “Ballaban është fshat shqiptar në Llap. Pjesën dërrmuese të shqiptarëve e përbëjnë muhaxhirët nga Jabllanica dhe Toplica. Fiset e vjetra shqiptare janë ngulitur në fillim të shek. XVIII nga viset e fisit Krasniqe në Shqipëri. Nga serbët që jetonin atëherë në fshat mbeti fisi Rusinovci, i cili në fillim të shek. XIX kaloi në islam dhe me kohë u shqiptarizua. Ballaban është emër vetjak turk dhe me këtë emër fshati përmendet në regjistrin turk të ekonomive shtëpiake më 1455 (Monumenta turcica II, 2/1, f. 257)” (Urosheviq, f. 7.). Te Pulaha e gjejmë si Balaban (f. 683) si pjesë të ndonjë fshati.

Mikrotoponimet. Ballbani është po ashtu një fshat i Gjirokastrës (GJFSH, f. 93, 316 e 317). Ç’është e drejta, kemi të bëjmë me dy fshatra: Ballabani i Epër (i Vjetër), që shtrihet në kodra dhe Ballabani i Poshtëm, që shtrihet në rrafsh. Disa nga mikrotoponimet më të rëndësishme të këtyre fshatrave janë: Qafa Plepit, Kazani (mal), Zid’i Keçekollës, Nërmjetës (mal), Kallçaku (mal), Zid’i Koliqit, Livadhet e Koliqit, Blinaja, Mal’i Qarrave, Kisha, Luja (rrufshak), Samakova, Prron’i Gomurit, Kroni, Gurra, Bregi, Trolli, Kron’i Ahishtës, Çuka Zallit, Ulica etj.

Të vihet re numri i madh i mikrotoponimeve me apelativin ‘mal’ ose i emrave që shënojnë male, krahas fjalëve ‘çukë’, ‘qafë’.

Etimologjia: Meqenëse ky fshat dëshmohet që më 1455, mendojmë se shkencërisht është e paqëndrueshme që ky emërfshati të rrjedhohet nga ndonjë emër vejtak, sepse emërvendet, me trajtën e tyre të dëshmuar me shkrim, flasin se këto vendbanime kanë ekzistuar së paku 2-300 vjet më parë. Pra, emri i fshatit i takon padyshim periudhës paraosmane. Duke u nisur nga ky parim, kujtojmë se ojkonimi a emërfshati Ballaban do trajtuar si një kompozitë këpujore Ball-a-ban (khs. Bos-a-vata, por dhe ball-a-ballë, ball-a-faqe), ku gjymtyra e parë është apelativi i shqipes ‘ballë’, i cili, siç thekson Çabej, në toponomastikë shënon kryesisht lartësira. Sipas Joklit (ZONF X 194 v.) ballë, me emra malesh si Balle Ballja, me Balldreni etj., ka pasur që herët edhe kuptimin ‘mal, malësi’ (shih më sipër mikrotoponimet karakteristike të këtyre fshatrave), dhe Maja e Ballecit i përgjigjet sipas tij emrit të vendit bregdetar Baletium të ilirishtes (mesapishtes) së Apulisë. (...) Në këtë mes me ballë duket se lidhet edhe Iballe ” (SEFSH, II, A-B, f. 148-149). Këtë apelativ të shqipes, me kuptimin ‘mal’ ne e gjejmë edhe tek Ballsh, Ballovc, Ballatë, po dhe emri i katundit B(a)llatë, me zhvendosjen e theksit në rrokjen e parafundit dhe rrëgjimin e rrokjes së parë ball-bëll- > bll- në po këtë zonë toponimike,  kurse gjymtyra e dytë ‘ban’ (khs. t-ban, banoj, banesë etj). Duket se me këtë apelativ, veç Baletium-it të ilirishtes së Apulisë, hetuar nga Jokli, është formuar edhe emri i fortesës së Dardanisë, Balesiana (Proc. De aed. IV 4).

Homonimia që krijon ky ojkonim me fjalën turke balaban ‘i madh; botaurus stellaris; arushë cirku’ tregon për dukurinë e njohur në gjuhësi si miq të rrejshëm.

Bërveniku

Dokumentimi historik. Ky emërfshat përmendet për herë të parë më 1280 si Breuenico si qytet-xeherore (Drançolli, “Raguzanët në Kosovë”, IHK, Prishtinë, 1986, f. 60-61)), kurse te libri i Llukareviqit si Bruienich (M. Dinić, “Iz Dubrovačkog arhiva”, SANU, Beograd, f. 73). Sipas Urosheviqit “Bërveniku është fshat shqiptar në Llap nën kodrën me të njëjtin emër me gjurmë të një fortese në majtë të saj. A. V. Solovjev dyshonte në ekzistencën e këtij qyteti në Mesjetë në Llap (GSkND, III 28), por edhe pozita e tij nuk është në përbërjen e Llapit dhe Bërvenicës siç thuhet në artikullin “Bërvenik” në Enciklopedinë kombëtare të St. Stanojeviqit, por mjaft larg nga lumi Llap, madje afër hapësirë kufitare të Llapit dhe Jabllanicës. Deri në shek. XVIII fshati ishte serb. Shqiptarët filluan të nguliten në të nga fshatrat fqinjë nga fillimi i shek. XIX. Emri i fshatit rrjedh nga fortesa sipër tij, e cila ka qenë fillimisht prej trarësh” (Urosheviq, TK, f. 15-16).

Mikrotoponimet. Më të dëgjuara, sipas plakut 80-vjeçar Liman Neziri, janë: Lug’i Fez’s, Livadh’i Zymerit, Kroni i Moll’s, Zallina, Qafa Mrizit, Lâma Bregut, Golesh (kodër), Tuthanat, Tukuvraajeti, Turrafshtina, Tusokaku, Qarrishta, Tumereja, Kisha, Çuka. Siç mund të vihet re, karakteristike për këtë zonë toponimike, ashtu sikur e hetoi edhe Zijadin Munishi (“Mbi tipat dhe mbi disa veçori të strukturës leksiko-gramatikore të mikrotoponimeve të fshatit Gmicë të Gallakut” në “Onomastika e Kosovës, IAP, Prishtinë, f. 319-330) është njëfjalëzimi a univerbacioni: Tukuvraajeti<tuk u vra Ajeti, Tumerêja < tu me rêja, Ara Lakut, Çuka Bardhë, Narënerodë < Në arë nër (nën) odë, Kron’i Selancit, Lug’i Poturit, Lama Hashimit etj.

Etimologjia: Në një shkrim për metatezën e likuideve patëm theksuar se ky ojkonim a emërfshat dëshmohet si Bruienik. Ndryshe nga Urosheviq, mendojmë se emri i këtij fshati del nga rrënja kelte breu- ‘i shpejtë’ i lumit me të njëjtin emër (khs. toponimet angleze Bruton, Brewham, “Dictionary of English Place-name” të A. D. Mills, Oxford, 1998, f.53 dhe 59). Po me kuptimin ‘lumë’ është përdorur edhe mbiemri sllav bystro ‘i shpejtë’ në emrin e lumit Bistrica. Se emra të ndryshëm krahinash, qytetesh e fshatrash janë motivuar nga hidronimet, dëshmojnë edhe: Drenica, Llapi, Gallapi, Podrimja, Devolli, Dropulli, Mati etj.

Megjithatë, si në shumë fjalë të tjera të shqipes, ashtu edhe në këtë ojkonim kemi dukurinë e metatezës së likuideve R – V > V – R, kur zanorja e rrokjes së parë të theksuar kalon në pozitë të patheksuar (khs. britmë, por bërtas; klithmë, por këlthas; krismë, por kërcas). Prandaj, meqenëse theksi bie në rrokjen e parafundit a penultima, aq karakteristik për parashqipen dhe shqipen, forma Breu-enik kalon rregullisht në Bërvenik. Po kjo mund të thuhet edhe për Bërrnicën e Epërme dhe Bërrnicën e Poshtme nga apelativi kelt berw- ‘kodër’, ku pas metatezës së likuideve dhe evoluimit të rregullt –rw- > -rr-, mori formën e sotme Bërrn-icë, ku –n-, si tek emërvendi Hajnovc, është mbaresë e shumësit e shqipes. Prapashtesa –enik te Bërv-enik, haset edhe tek emërvendi Gregj-enik i po kësaj zone toponimike, si dhe tek emërlumi Er-enik, kurse është e shpeshtë tek emrat e piteve të ndryshme, si: hith-enik, rreth-enik, ras-enik etj. Duket se kemi të bëjmë me një konglutinat prapashtesor, formuar nga prapashtesa e vjetër e shumësit –en dhe prapashtesa –ik.

Alternimi b/m qe tipar karakteristik edhe i ilirishtes

Alternimi b/m në ballë, në trup dhe në fund të fjalës dhe jo p/m, siç mendon e shprehet ndonjë gjuhëtar yni, provohet në një varg fjalësh jo vetëm të trakishtes: Abydon :Amydon, Andrabus : Andramus, Bargos : Margos, Basteira: Masteira, Bendis : Mendis, Doberos : Domerus, Serbolia : Sermulia, Tibiskos : Timesis (R. Katiçiq, “Ancient Languages of the Balkans”, Mouton, 1976, f. 144), por dhe te një varg fjalë të ilirishtes dhe shqipes: Abantia : Amantia, Bathis (në Dalmati) : Mathis (lumi Mat në Shqipëri), Bardhylis : Mardhylis, Albana : Almena (Hahn), po dhe te bush : gë-mushë. Pra, për aq sa mund të thuhet se ky është tipari më karakteristik i trakishtes, po aq mund të thuhet se është veçori e posaçme edhe e ilirishtes dhe shqipes. Ky përfundim yni duket se e forcon edhe më shumë mendimin e gjuhëtarëve, si Sorin Paliga, që ilirishtja, trakishtja e dakishtja gjan të krijojnë një degë të përbashkët gjuhësor të gjuhëve të vjetra të Ballkanit. Po e vëmë në spikamë këtë fakt, meqenëse dëshirojmë që lexuesit ta kenë më të lehtë për të kuptuar disa nga emërvendet që do të trajtojmë në këtë vazhdim për toponiminë e Gallapit, sikundër janë Batlava dhe Bushinca.

Batlava

Sipas Urosheviqit, Batllava është një fshat shqiptaro-serb në Llap. Banorët e vjetër janë një vëllazëri e fuqishme dhe e degëzuar me origjinë serbe, mbiemri i së cilës është Levak. E përqafuan islamin më 1840. Shqiptarët e tjerë janë muhaxhirë nga Jabllanica, vendosur më 1878. Banorët e tashëm serbë i takojnë periudhës pas Luftës së Parë Botërore (TK, f. 8-9).

Disa nga mikrotoponimet karakteristike, marrë nga Qazim Maliqi, banor i moshuar i këtij fshati, janë: Therrajat e Sheqë Boshnjakut, Kodra e Surdullit, Arat e Boshnjakëve, Mullini/Fusha e Batllavës, Kulla e Madhe, Kulla e Vogël, Gurishta e Shajkocit, Zllapusha, Çuka e Drazhnjës, Çuka e Brainës, Bungu i Dyzit, Lugu i Osmanit etj.

Etimologjia: Duke përfillur alternimin b/m të tipit Bathis : Mathis, ne mendojmë se rrënja e këtij emërvendi është (bat- mat, një apelativ ky i shqipes me kuptimin ‘buzë lumi, breg deti, kum zalli’ (Çabej, SGJ, I, f. 233-234). Ky apelativ ruhet edhe tek emri i lumit Mat, dëshmuar te Vibius Sequester si Mathis fluvius (Krahe. GN 28), nga e mori emrin edhe krahina e Matit. Çabej mendon se Matoas (emri i vjetër i Danubit) afrohet me çek. Metuja ‘degë e lumit Elba’, me irl. math ‘rërë’ etj. Ne përkrahim mendimin e Joklit që mendon për një burim prej gr. amathos, porse duke përkrahur edhe mendimin e Beekes (Greek Inherited Lexicon) se, në të vërtetë, amathos ‘kum, rërë’ është një fjalë joindoevropiane, në marrëdhënie afrie me fjalën shqipe ‘mat’. Ndryshe, -ël te Batl-ava duket se është prapashtesa zvogëluese e shqipes (khs. zogël, gogël, pikël), kurse –ava një prapashtesë karakteristike sllave në emra lumenjsh: Drava, Morava, Nishava etj. Duket se nga ky apelativ është formuar edhe emri i fshatit Batushë.

Baraina

Dokumentimi historik. Nuk përmendet te M. Llukareviq. Sipas Urosheviqit “Boroina - fshat shqiptar në Llap. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve janë muhaxhirë nga Jabllanica dhe Toplica, të ngulur më 1878. Vëllazëritë më të hershme të shqiptarëve janë ngulur nga krahinat e fiseve Shalë dhe Gash të Shqipërisë në fillim të shek. XIX. Gjatë ngulimit takuan serbë në fshat, nga të cilët e ka prejardhjen vëllazëria shqiptare Glog. – Forma e kryehershme e emrit ka qenë Borovina” (TK, f. 14).

Nga Komisioni për emërvendet e Kosovës është sugjeruar si formë e drejtë trajta Boranë, që kundërshtohet nga R. Doçi, i cili mendon se ky emërvend është me bazë të lashtë antropnimike nga rrënja ilire-shqiptare bar- (f. 348). Mendohet se në shek. XV në të ka ekzistuar një kishë.

Mikrotoponimet. Më të rëndësishmet mikrotoponime të këtij fshati të derdhur kodrinor, të cilat na i tregoi plaku Xhafer Bajrami (Gjakali), që shtrihet në të dy anët e liqenit të Batllavës, janë: Ara Masshpie, Ara Mishpie, Ara e Balisë, Ara e Epër, Ara e Rexhepit, Ara e Gomurit, Ara e Lugut, Ara e Prronit, Ara e Hajdarit, Arat e Dobratinëve, Ara e Fatës, Blinaja, Çuka e Drazhnjës, me të cilën kufizohet me fshatin Drazhnjë; Çuka e Gjakalive, Dardha Ujce, Krojt e Seçit, Ledina, Lluga, Mali i Nërmjetave, Mali mi Ara t’Epra, Mali tu Ara e Tafës, Mali tu Ara e Balisë, Mali tu Ledinat, Mali tu Çardaku, Prroni i Halilit, Prroni i Rakitave, Prroni i Lakut, Prroni i Gurrzajs, Prroni i Qarrave, Prroni i Livadhit, Prroni i Çushakut, Prroni i Shkaut, Prroni i Zi, Prroni i Demës, Prroni i Madh, Prroni i Sokës, Rrafshi i Çukës, Rrezja, Tu Bublakt, Tu Gurra, Zabeli i Kapitit.

Me një fjalë, apelativët kryesorë, nga të cilët janë formuar këto emërvende janë ‘arë’, ‘çukë’, ‘dardhë’, ‘bli’, ‘krua’, ‘mal’, ‘përrua’, ‘rrafsh’, ‘rreze’, ‘zabel’ etj. Vihet re sheshit se mbizotërojnë mikrotoponimet me apelativin ‘përrua’, një rast ky me siguri sui generis në onomastikën shqiptare, sado që jo më pak miktrotoponime me këtë apelativ ka dhe fshati Hogosht; pastaj ‘arë’, ‘mal’ etj.

Etimologjia: Nëse ky emërvend segmentohet si Bar-aina, atëherë gjymtyra e dytë e tij na çon te apelativi ain-‘një, unik’, forma latine aen-, që dëshmohet tek emërvendi i dëgjuar liburn Ain-ona (Ptolem. II, 16,2), Aenona ((Plin. NH III 21) me variantet e mëtejshme Elona, falë disimilimit n – n > l - n (sot Nin, falë aferezës së shqipes dhe zëvendësimit të rregullt të prapashtesës –ona me –in në gjuhët sllave), pastaj D-aino, dëshmuar si Daynum dhe Daynus për Vaun e Dejës etj. (Lexuesit e interesuar më shumë rreth emërvendeve të ndërtuara nga ky apelativ, mund të lexojnë punimin tonë Liburnian Toponyms në Internet, si dhe shkrimin tonë për veprën e Hanit “Udhëtimi nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit”). Në të vërtetë, ky emër edhe rrokjezohet kështu nga banorët e këtij fshati si bar-aina. Fakti se në afërsi të këtij fshati janë edhe emërvendet e shpeshta me apelativë (para)shqiptar, si Bra-ina, Ball-a-bani, Bat-ëlava, sikur na jep dorë që te ky ojkonim të gjejmë edhe një mbështetje për një oazë të emërvendeve ilire dhe kelte të kësaj zone, që mund të merret edhe një si lloj Olimpi parashqiptar, falë bjeshkëve të mbuluara pothuajse rregullisht nga mjegullat e dendura. Megjithatë, sado që ne mendojmë se kemi bërë një etimologji të qëndrueshme, për hir të së vërtetës, duhet të shtojmë se indoevropianisti i dëgjuar amerikan Douglas K. Kilday shfaqi rezervat e tij, duke ofruar një etimologji të dijetarit gjerman .U. Hubschmied (“Bezeichnungen von Göttern und Dämonen als Flussnamen”, Bern 1947, f. 21) se emri i lumit në Gjermani në formën e latinizuar Aenus nuk mund të rrudhet në rrënjën *ein-, sepse forma e tij moderne Inn kërkon një paraformë me geminacion *enn-, të cilën dijetari gjerman e bie të ardhur nga neutri i keltishtes *ennon <*etnon ‘zog’ < *petH2-no ‘me fluturue’, duke identifikuar kështu lumin me një hyjni aviane, ndaj gjermanët e ruajtën formën me asnjanës të shpirtëzuar, mendim ky po aq bindës, sidomos po patëm parasysh se edhe Bërveniku është me origjinë kelte.

Bushinca

Dokumentimi historik. Sipas Urosheviqit “Bushince – fshat serbo-shqiptar në Kriva Rekën e Novo-Bërdos. Si baoshincë në Toponicë (Baoxinzi in Toponiza) përmendet në gjysmën e parë të shek. XV në librin e detorësve të tregtarit të Novo-Bërdos, dubrovnikasit Mikel Lukareviq (Mihailo Dinić, “Iz Dubrovačkog arhiva”, SANU, Beograd, I, 44, 74, 89). Emri i fshatit flet për themeluesit e saj ardhacakë nga Zeta, ndoshta mu nga një degë e fisit të vjetër të dinastisë së Balshajve. Ndërmjet serbëve në fshat ka mjaft fise të vjetra. Shqiptarët janë muhaxhirë nga Jabllanica, kurse jetojnë në lagjen Kosovica, në të cilën deri me ngulimin e tyre (1878) kanë jetuar serbët. Kosovica (Chosoviza) në librin e Llukareviqit (f. 28, 29) përmendet si fshat më vete në shek. XV” (TK, f.20).

Në të vërtetë, në librin e Llukareviqit kemi emërvendin Kosovika (Chosouica: nën nr. 19 të detorësve, f. 28 kemi Radiç de Chosouica dhe në rreshtin e dytë të faqes tjetër, 29, Marcho de Chosouica), por jo Chosoviza, siç del në këtë libër, prandaj kemi të bëjmë me një shtrembërim të qëllimshëm, sepse ky mendim i tij u mor si i drejtë edhe nga studiuesi Skënder Gashi, i cili pohon se emërvendi Kosovë po na u shfaqka në gjysmën e parë të shek. XV si Kosovica. Po ashtu, mendja nuk ma thotë që Baosinci të jetë Bushinca e sotme e Novo-Bërdos. Në defterin e Kazasë së Novo-Bërdos më 1498 është regjistruar si Bushicë, kurse në defterin e Saxhakut të Vushtrrisë më 1566-74 si Boshanicë (Jusuf Osmani, “Vendbanimet e Kosovës, 13. Dardana (Kamenica) dhe Artana (Novobërda), Prishtinë, 2004, f. 79-80).

Etimologjia: Mendojmë se ojkonimi Bush-incë, së bashku me Lë-bushë do rrjedhuar nga rrënja indoevropiane *bheuH- ‘me qenë, m’u rritë’, e lidhur ngushtë me rrënjën gjermanike *busk- ‘gëmushë, kaçubë’, huajtur në frëngjishten e vjetër si bosc, italishten e vjetër busco ‘dru’, Latinishten e vonë buscus ‘pyll’. Te kjo rrënjë e kanë origjinë edhe fjalët shqipe bimë, bisk, biskonjë, mbij. Forma gë-mushë (khs. ojkonimet Mush-icë, Musht-isht) kujtojmë se përligj ndërrimin pothuajse të rregullt b/m në parashqipen a ilirishten: Bradhylis/Mardhylis, Abantia/Amantia, Bathis/Mathis (shih punimin tonë Dalmatian Place-names), Albena/Almena (Hahn) ose Matiqan/Batlavë/Badovc etj. dhe në këtë pikë nuk pajtohemi me etimologjinë e Çabejt që fjalën ‘gëmushë’ e nxjerr nga sllavishtja grm ‘id.’. Pra, fjala ‘bush’, sikundër dhe varianti i saj ‘gë-mushë’ janë në të vërtetë fjalë të trashëguara të shqipes, që provojnë si të sak ndërrimin e rregullt b/m.

Onomastikë

Berivojca/Berivojce

Dokumentimi historik. Berivojca e sotme është një vendbanim fushor i tipit të grumbulluar (J. Osmani, Vendbanimet e Kosovës – Dardana dhe Artana, f. 67), i cili, sipas të njëjtit burim është dëshmuar sipas defterit kadastral të Vilajetit Vëllk të vitit 1455 me emrin Perivojce.

Mikrotoponimet. Karakteristike për këtë fshat janë: Arat mas kishe, Ftojtë, Bria e Madhe, Shakadanca, Bellopoja, Livadhi i Ibrës, Arat e Gata, Arat e Dulahut, Ograxha, Sekivan, Tërska, Smërdan, Ulica, Zabeli i Vogël, Llokva etj (po ai, po aty).

Etimologjia: Forma më e vjetër e këtij fshati, Perivojce, po t’i hiqet prapashtesa zvogëluese –ce (khs. Bos-ce, Desivoj-ce, Boljev-ce po në këtë zonë toponimike), tregon se forma e kryehershme e këtij toponimi ishte Perivoj, huajtuar nga gjuha bizantine periboli ‘kopsht’, me ndërmjetimin e shqipes –li- > -j-. Një formë më e re, pa këtë evoluim –li- > -j- ruhet të huazimi shqiptar perivol (G. Meyer, EWAS, f. 328), që ai e gjen me të drejtë të ardhur nga greqishtja e re periboli. Meyer e dëshmon vetëm për arbërishten e Siqelisë, kurse, sipas Çabejt (SEFSH, IV, N-RR, f. 172) fjala dëshmohet edhe në Shqipëri, sidomos në toskërisht. Por, në Veri dëshmohet që te Buzuku: (...) e shetatën ndërpër perivolt të burit vet ‘et deambulabat in pomario viri sui’ (LIV, Dainieli, 13, 4 e 7). Kjo fjalë, sipas Çabejt, ka hyrë edhe në serbokroatishten (privoj), rumanishten dhe arumanishten (perivole). Pra, forma e sotme Berivojca (serb. Berivojce) është një formë dytësore, që i është përshtatur ndjenjës gjuhësore sllave, duke shtënë në përdorim rrjedhojat e foljes beriti ‘me vjelë’ (khs. abstraktin berba ‘vjelja’).

Sipas Wikipedia italiane, në Berivojce janë ngulitur sasët për të shfrytëzuar argjendin e rrethinës.

Bolec/Boljevce

Dokumentimi historik. Bolevci, me trajtën më të hershme, dokumentohet si Bulofçi në defterin kadastral të Sanxhakut të Vushtrriës më 1566-74, banorët e të cilit përmenden si dhurues të manastirit të Deviçit në Drenicë më 1764 (Urosheviq, TK 14).

Etimologjia: Duke shkruar për parashtesën ilire an- në: Andetrion, Dalmati (Strabo),

Anausaro, stacion rrugor (TP Miller IR col. 571-573. Rav. IV 15), Andarva/Anderba, stacion rrugor (Miller IR col. 462-471. IA Cuntz 338, 7. Rav. IV 16), krahas emrit të fisit ilir Dervanët (Appiani Alexandrini, Historia Romana, Illyrica, paragrafi 28), Andizetes, fis panon (Strab. VII 314. Ptol. II 15,2), Andautonion (Ptol. II, 14,4), qytet në Panoni, iu pata rrekur shpjegimit të emrit ilir Bulentum/Bolentum, që, sipas Skokut, nëse është i drejtë mendimi i Joklit (Idg. Jb. VIII, f. 93) se Bulentum > Bulet afër Dubrovnikut mund të jetë me origjinë ilire dhe të lidhet me fjalën shqipe mbulim ‘krua, burim’, atëherë emri i këtij vendi mund të krahasohet me stacionin rrugor Bolentium në Dravë, duke e parë atë në dritën e parashtesës ilire an-, duke trajtuar sidomos emërvendet Ombula/Jambula, si dhe varianteve Obla/Ubla, toponime këto rreth të cilave zhvilluan një polemikë me tone kur e kur mjaft kritike Eqrem Çabej dhe Idriz Ajeti: i pari duke mbrojtur origjinën shqipe të tyre, kurse i dyti atë sllave. Duke mbrojtur paradigmën a gjedhen e ndërtimit të toponimeve ilire, vumë në spikamë se Ambula/Ombula janë në të vërtetë forma të parashtesuara të rrënjës bul: *en + bula > Anbula > Ambula me evoluimin e rregullt –nb- > -mb-. Forma Ombula duket se është trajtë sllave me ndërrimin e rregullt a > o në toponimet e ndryshme ilire.

Prandaj, duke marrë parasysh të gjitha këto, mendojmë se forma e dëshmuar Bul-ofçe e emërvendit Bolec është parësore, kurse ajo Bolec është një formë administrative me evoluimin e rregullt të osmanishte të u-së në o.

Të shtojmë se edhe gjuhëtari sllav I. Popoviq, sipas S. Gashit (“Emra ilirë të vendeve e të lumenjve në Serbi”), duke shkruar për kontinuitetin e emrave trakas e romanë-ballkanikë, gjen në hapësirën e sotme të Serbisë edhe toponime me prejardhje ilire, përkatësisht dardane. Kështu, për emrin Boleç të një katundi të Serbisë, autori thotë se nuk ka kurrfarë lidhjeje me sllav. boleti e Boleslav dhe se këtu kemi të bëjmë me një formim ‘ilir’ me –ent-io ose –etio, duke përsëritur kështu mendimin e Skokut.

Sipas Wikipedia italiane, gjan se në Mesjetë ka pasur në këtë fshat një prani të pakicës sase. Në jug të Bolecit, në lokalitet është sidomos i shpërndarë mbiemri me origjinë sase Utman (Hüttman, Hütterman?).

Bunjaku

Fshat i tipit të shpërndarë, 5 km në perëndim të Novo-Bërdos, trajtuar nga administrata serbe si lagje e saj.

Mikrotoponimet. Mikrotoponimet më karakteristike: Lâmët, Karakash, Guri Ngul, Lugu i Xhamisë, Tu Kodra, Tu Ara e Shpatit, Tu Roga e Gatë, Tu Ara e Bregut, Tu Kreksi, Narmifusha, Gur’ i Keq, ku thuhet se ka qenë burgu i Kalasë e ku janë zbuluar disa varreza me skelete përmasash më të mëdhaja se të zakonshmet (J. Osmani, VK, 13, f. 216).

Etimologjia: Emërvend i formuar nga apelativi i shqipes bun ‘shtëpi e ulët e ndërtuar me gurë të palidhur me gëlqere; kasolle e vogël e mbuluar me dërrasa dhe gjethe, tëban’. Jokli e lidh këtë fjalë me foljen buj, më tej me emrin e fisit Buni të liburnëve të vjetër (‘banorë’) e me emrin e qytetit ilir Bounnon dhe me emrat topikë Basibounon të trakasve. Prej parashqipes duket se rrjedh fjala e serbo-kroatishtes bunja ‘gropë, shpellë, kasolle primitive’, bunjac në Dalmaci. Këtë mendim të Joklit e përkrah Pokorny, Antun Mayer, kurse Krahe e krahason me gr. bounos ‘breg, kodër’, por pa përjashtuar një lidhje me toponimin Bounos të Apulisë së vjetër edhe me fjalën shqipe. Si apelativ është i shpeshtë në onomastikën shqiptare: Buni Sores, Buni Thorës, Buni i Valbonës, me prefiksin lë-: Lbuni, Maja Lbunit, me parashtesën tër-: Bjeshk’ e Tërbunit etj. (Çabej, SEFSH, II, A-B, f. 371-372). Duket se si prapashtesa –an, si –ak janë përdorur si në etnikë, po ashtu edhe në topikë të ndryshëm, duke shënuar kështu toponimi jo vendin, por banorët e vendit. Sipas Skokut, bunja është në lidhje me it. bugna f. ‘1. pietra sporgente, risalto nel muro, 2. bugno m ‘koshere’, fr. bouniau ‘habitation’, shq. bun m, bunë, buje ‘bujtinë’ që lidhet me foljen buj ‘banoj’ mbase me origjinë para-i.e. (ERHSJ, A-J, f. 237). Me prapashtesën –jan gjan të përdoret tek emërvendi Bujan-oc < Bun-jan-oc, si dhe tek emërvendi Bujan, që u bë i njohur nga Konferenca e Bujanit. Duket se si ban (khs. bânj, tban, banoj, banesë), si bun (khs. bûnj, bujtinë, përbuj) janë pjesore aktive të emërzuara.

Butoc/Butovac

Dokumentimi historik. Fshati Butoc (serb. Butovac) është një fshat i vogël i Mramorit në Luginën e Kosovës. Shtrihet psohtë Bregut të Butocit, nga rrjedh Suteska, dega e djathtë e Graçankës. Përmendet, sipas Urosheviqit (TK 20), në dokumentin e Graçanicës së kral Millutinit (GSND III 127). Në të jetojnë vetëm shqiptarë, të cilët autorët serbë i trajtojnë si muhaxhirë të Toplicës të ngulitur më 1878, ku, sipas tyre, kishin jetuar serbët si çifçinj të Gjinollëve të Prishtinës. Me të ardhur shqiptarët ata na qenkan shpërngulur në fshatrat Zllatar, Matiçan dhe Kolovicë etj.

Mikrotoponimet. Më të rëndësishmet mikrotoponimet të këtij fshati, marrë nga Mustafë Sopa, janë: Ahishta e Madhe, Ahishta Mishpia, Ahishta e Starakuqit, Ara e Rexhës, Ara e Rrafshit, Ara e Grykës (te Shtogat), Ara e Rekës, Bllata (ujëcinë), Çuka, Fusha e Madhe, Goleshi, Hija e Madhe (mal), Kroni i Shpisë, Kroni i Krekcit, Kroni i Hajdukut, Kroni i Keq, Kroni i Ahishtës, Kroni i Maliqit, Kroni i Shehrit, Kroni i Thanës, Livadhi i Tafës, Livadhi i Rexhës, Lugi i Livadhit, Lugu i Orrnicave, Livadhi te Thana, Mellina, Mullini i Dukës, Mullini i Behës, Podina, Prroni i Butocit, Për Lug t’Thiut (mal), Prroni i Çeshmës, Roga e Bajrakut, Rrezja e Vjanove, Rrezja e Rrafshit, Starakuqi, Tu Mrizet (Samakova), Tu Kisha, Udha e Orrnicave, Udha e Potokut, Udha e Rrafshit, Zabeli i Kodrës, Zabeli i Pashës (Gërmia).

Etimologjia: Duke marrë parasysh mikrotoponimin Mellina ‘vend i mellës, një lloj dheu i bardhë si deltinë për të bërë enë; ledh lumi, lym’ si dhe faktin se banorët e Grashticës e të Mramurit pohojnë se në Butoc kanë marrë botë për të larë flokët dhe për të bërë enë prej dheu, na thotë mendja se ky ojkonim është formuar nga apelativi ‘botë’, i cili i zgjeruar në prapashtesën –oc, që mori theksin mbi vete, duke shkaktuar evoluimin o > u, kur o-ja është në pozitë para-pastheksore, mori formën e sotme Butoc < Botoc.

Ky apelativ i (para)shqipes duket se ndeshet, sipas Hanit, edhe tek topikët Bottiaea Bottiaia Bottia të Makedonisë Jugore e të Gadishullit të Kalqidikës, kurse Jireçeku me apelativin ‘botë’ e afron emrin e malit Botin pranë Nevesinjës (Çabej, SEFSH, II, A-B, f. 296). Gjasat janë që edhe toponimi Butel i Shkupit të jetë formuar nga ky apelativ i shqipes.

Rreth etimologjisë së emërvendit Damastion

Dëshmitë historike dhe arkeologjike

Damastioni, për disa, kryeqytet i Dardanisë, për disa të tjerë një qendër e prerjes së monedhave që në shek. IV-III para erës sonë, zgjoi, zgjon dhe do të zgjojë edhe më vonë interesimin e jo vetëm arkeologëve, historianëve, gjuhëtarëve, por edhe të gjithë atyre që kanë një ndjenjë të kultivuar për të kaluarën antike të trojeve të sotme.

Dëshminë e parë për ekzistencën e Damastionit na e jep Straboni në “Gjeografinë” e tij: “Pas Epidamnit dhe Apollonisë gjer në malet Keraune banojnë bylinët, taulantët, parthinët e bryget; aty afër janë edhe minierat e argjendit në Damastion, rreth të cilave dyestët vendosën sundimin e tyre, si dhe enkelenjtë, të cilët i quajnë edhe sesaretë” (IIAA, f. 159). Në pjesën e parme të monedhës është figura e Apollinit, hyjnisë pa dyshim më të adhuruar të botës antike, kurse në shpinë emërvendi i farkimit të tyre, DAMASTION.

Lidhur me lokacionin e Damastionit janë shkruar artikuj të ndryshëm. Sipas A. Stipçeviq, disa e kanë lokalizuar në Shqipërinë e Jugut (rrethi i Gjirokastrës), kurse disa, si R. L. Beaumont në Shqipërinë e Veriut, në rajonin e Dukagjinit ose të Mirëditës. Po kështu me këtë problem u mor edhe Antun Mayer “Polozaj Damastija, Numizmatika, 2-4/1934-1936, f. 181-183 (IIAA, f. 152).

Me lokacionin e Damastionit të përmendur nga Straboni janë marrë edhe arkeologët e tjerë sllavë, si Dubravka Ujes dhe Katarina Romiç në punimin me titull “Pozita e qytetit Damastion” (GSAD, fq. 77-98. ), të cilat pohojnë se qyteti minierë ndodhej afër kufirit të Peonisë. Sipas tyre, teoritë ekzistuese kanë propozuar 16 lokacione të ndryshme. Janë gjetur rreth 40 monedha të Damastionit, por në një shumicë shumë më të madhe në Kosovë, në zonat që kufizojnë me territorin nën kontroll të peonëve gjatë shek. IV p.e.s. Duke marrë parasysh dëshmitë në dispozicion, lokacioni i Damastionit në ose pranë burimeve të argjendit është shumë më i gjasshëm. Zonat e hulumtuara nga këto arkologe janë Malin e Zi (duke përfshirë Bërskovën), Kosova (duke përfshirë këtu malet e Kopaonikut, Trepçën dhe Novo-Bërdon) dhe Maqedoninë (zonën e Zletovës). Ndonëse nuk janë gjetur dëshmi të eksploatimit ekstensiv të argjendit në Kosovë në kohët pararomake, modelat e monedhave prej argjendi të gjetura në këtë rajon, i shtrëngojnë të përfundojnë se kandidat numër një i lokacionit të Damastionit duhet të jetë Kosova. Kurse, dëshmitë e një veprimtarie të tillë të braktisur të rafinimit në Shqipërinë e Veriut dhe në afërsi të Ohrit, që janë një përdorur për ta gjetur lokacionin e Damastionit në këto zona, në bazë të dëshmive gjeologjike dhe gjeomorfologjike, janë me gjasë një refleks i materialit të vrazhdë të importuar dhe, prandaj i burimeve të pamjaftueshme në të cilat mund të mbështetej veprimtaria e prerjes së parave e Damastionit.

Problemit të Damastioni i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe historiani ynë, Zef Mirëdita, i cili, midis të tjerash, thekson: “Në vitin 1961 në jugperëndim të Janjevës, në vendin e quajtur ‘Bijela Zemlja’, janë zbuluar mbeturina të një vendbanimi antik dhe, meqenëse e tërë kjo zonë është e njohur si vend xeheror, i cili është shfrytëzuar edhe para dominimit romak, rreth galerive të xeheroreve me siguri është ndërtuar vendbanimi për xehetarët. Pastaj, duhet theksuar se pikërisht në këtë trevë janë gjetur më së shumti monedha të Damastionit, kurse si Straboni, po ashtu edhe Palimpsesti i Vatikanit i përmendin xeheroret e argjendit, të cilat gjendeshin në afërsi të Damastionit. Pikërisht këto të dhëna na bëjnë të mendojmë se Damastioni duhet të lypim në afërsi të Kishnicës, respektivisht të Janjevës apo të Prishtinës. Veç kësaj, për një lokalizim të tillë flasin edhe mbeturinat arkeologjike te Kishnica, ku edhe sot edhe sot shihen mbeturinat e ndërtesave”. Këtë mendim e kishte shprehur më parë, para gjetjes së monedhave, edhe Emil Çershkov. Zef Mirëdita, duke e përmbyllur vështrimin rreth Damastionit, shtron me të drejtë nevojën e ndriçimit të lokalizimit të kësaj qendre të rëndësishme jo vetëm në aspektin historik e arkeologjik, por edhe filologjik (SD, fq. 106-107).

Etimologjia e emërvendit Damastion

Nga të parët, që është marrë me etimologjinë e emërvendit Damastion, është ilirologu i dëgjuar gjerman, Hans Krahe. Ai, në veprën e tij thotë: ”Damastion, (Strabo, 7, 326). Zu gr. da ‘Erde’ dhe mastoV ‘Brust’. Vgl. greich Ortsnamen wie DimastoV (Hesych s.v.).”

Duke e krahasur me emërvendin grek Dimastos, Krahe mendon se Damastioni është një kompozitë e sajuar nga apelativat grekë da ‘dhe, tokë’ dhe mastos ‘kraharor, gji’. Këtë filolog të madh, në një shpjegim të tillë e çon jo vetëm krahasimi me emërvendin e ngjashëm grekë, por edhe forma e tij e greqizuar nga prapashtesa –ion.

Një mendim fare tjetër nga ai i Krahas shfaqi Anton Mayer në veprën (Mayer, fq. 32-33), i cili, te emërvendi Damastion sheh etimonin *damas-, dalë nga rrënja i.e. dhe- : “Der Namen Damas-tion hat seinen nächsten Verwandten wohl in Damas-ia, Stadt der Likatoi, Licates oder ‘Lechanwohner’, die wsper akropoliV, d.i. ‘arx Alpibus imposita’ war (Strab. IV 6,8). Man könnte sie zur abgetönten Wurzel dem- ‘bauen’ stellen, doch hat das Venetische, zu dem der zweite Name wohl gehört, idg. o nich wie das Illyrische zu a gewandelt, darum wird es sich empfehlen, in den Namen die Schwundstufe der Wurzel dhe- ‘stellen, legen’ zu sehen und mit ai. Dhaman- ‘Satzung, Gesezt, Wohnstatte’ und gr. Jaimos oikia, sporoV juetia Hes. zu vergleichen. Ferner dürften hiehergehören: thrak. Uscu-dama ‘Hochburg’ (Tomaschek, Die Alten Thraker II 2, 57 f.), der Pflanzenname koadama potamogeitwn Dioskor., die zahlreichen Ortsnamen auf –dava sowie Datos, Küstenort der Edonen (: alb. Dhatë ‘Ort’), nach Jokl bei Ebert 13, 287. 1, 89. Dagegen ist mir die Zugehörigkeit von Domavia zweifelfaht: es könnte mit gr. Jwmos ‘Haufe, Schober’ zur abgetönten Vollstufe dieser Wurzel, aber auch mit gr. doma, - atoV ‘Haus’ zur abgetönten Dehnstufe von dem- ‘bauen; Haus’ gehören und bezüglich der Bildung mit abg. domovit ‘Hausherr’, kroat. domovina ‘Heimat’ als dom-ouia verglichen werden.”

Ai, duke marrë parasysh paralelizmat me rrënjën venete dem-, e cila bie ndeshë me rregullat e fonetikës historike, krahasimet me konkordancat trake –dama /-dava te Uscudama, koadama; mendimin e Joklit, që e përafron me formën arkaike dheut < dhatë ‘vend’, sjell përfundimin se rrënja e tij është damas- ‘ngulim, Siedlung’, duke e përqasur me greqishten dama, sll. domovit, kroat. domovina si dhe vendbanimin e njohur të minierës së argjendit në Bosnjë, Domovia.

Për studimet jo vetëm gjuhësore, por dhe historike e arkologjike, ka relacioni i Pjetër Bogdanit i vitit 1684, ku, midis të tjerash, thuhet: “Duke ecur prej Prizrenit drejt veriut, arrihet për një ditë udhëtim në Fushë-Kosovë. Është ky vend shumë i rrafshtë, i rrethuar me xeherore të arit, të argjendit dhe të metaleve të tjera, të ruajtura në qytetin e Novobërdës, që gjendet në malin mbretëror të Argjentinës…” (Bogdani, fq. 20).

Në një shkrim të shkruar para një viti e sa, lidhur me toponimet antike të Dardanisë, dërguar edhe në revistën IJAS, patëm theksuar se këtij vargu toponimesh i kemi shtuar me të drejtë edhe toponimin Damastion, ku kemi gjetur një apelativ të shqipes, që është njëjësi primitiv i demit < dam, që e shohim si shumës të singularizuar (khs. sing. ka, pl. qe, sing. dash, pl. desh, sing. anë, pl. enë).

Si mund të shihet nga fjala e sotme lug(a)shtajë/lugajë, si dhe nga vargu i toponimeve: G(ë)r+ -asht+ prapashtesa sllave –ica, Pak + -asht+ prapashtesa sllave –ica , Prap+-asht+ prapashtesa sllave –ica, Petr+ -asht+ prapashtesa sllave –ica, Akr+ -asht+ prapashtesa sllave –ica, Ship+ -asht + prapashtesa sllave –ica, vihet re lehtë se –ast > –asht qe një prapashtesë e vjetër e shqipes .

Lidhur me toponimet antike, që krijojnë një grup më vete toponimik me prapashtesën –ast, le të shohim emërvendin EmASTos në Dardani, krahas atij EmONA në Liburni ose atij EmATHİA, emri i lashtë i Maqedonisë. Këtë prapashtesë të lashtë e ka edhe toponimi TediASTum, qytet në Liburni, DrivASTum në Shqipëri. Këtu mund të bëjë pjesë edhe emërvendi i qytetit antik PerAST në Bokë të Kotorrit të Malit të Zi.

Mendimi i A. Mayerit se ky emërvend mund të lidhet me ngulim, shtëpi është i qëndrueshëm vetëm si dam-, rrënjë kjo që mund të jetë zhvilluar nëpërmjet metafonisë në dem e dim, temë kjo që e kemi trajtuar në një numër më të hershëm të “Sheshit”.

Në antikë ka jo pak toponime që lidhen me emrin e demit. Kështu, kemi emërvendet Buthoe, Buthrotos, themelimin e të cilave Stefani i Bizantit e lidh pikërisht me flijimin e demave në themelet e tyre ose me legjendat e ndryshme për Kadmin që përshkon Ilirinë në një çift qesh (IIAA, f. 417).

Nga burimet historike e dimë se Dardania binte në me qe të mëdhenj, kurse gjithë ky rajon, si vë re dhe Jireçek, mbushullon me toponime me emra qesh, për të cilat kemi bërë fjalë në një punim polemizues me gjuhëtarin sllav Aleksandër Lloma.

Parashtesa iliro-shqiptare d-

Parashtesa d- me variantin - është e shpeshtë në shqip: drojë, krahas rojë, dvarret (lëndohet, khs. varrë), dbjerr, krahas bjerr, dlir, krahas i lirë (khs. edhe A. Xhuvani-E. Çabej, “Parashtesat e gjuhës shqipe” në Vepra, I, ASH e RPSH, 1980, f. 370).

Sipas gjithë gjasash, kjo parashtesë duket se është, njësoj si në greqishten e vjetër (khs. d-akru ‘lot’, d-ektu ‘rrjet’), me origjinë të panjohur, sepse gjuhët indoevropiane mendohet me të drejtë se janë gjuhë prapashtesore.

Po në këtë funksion e kemi gjetur këtë parashtesë edhe tek emrat e lumenjve dhe emërvendeve: D-riv-astum (sot Drisht me ruajtjen e theksit inicial të ilirishtes), vendbanim pranë lumit Kir (khs. lat. rivus ‘lumë’, Rrjol < lat. rivelus, K-riv-açë), D-ril-on (khs. K-ril-evë), , D-rin, D-ren-icë etj. në “Albanain Inherited Lexicon”, rrjedhuar nga forma e nazalizuar e rrënjës *rinu- e rrënjës IE *reiH- ‘me rrjedhë, me vrapue’, si dhe e formave të saj të prapashtesuara *ri-l- dhe *rei-wo-, *roi-no- (Pokorny 3. er- 326. Watkins reiH- 71.). Po këtë parashtesë e patëm vënë re edhe te toponimi Shkalla e Dunjas (khs. Un(j)amir për Ujëmirë), si dhe tek emërvendi Vau i Dejës (A. Konushevci, “Virgjinat, legjendat dhe homoseksualët”, “Zëri”, 18 janar 2007).

Këtë dukuri e kishte vënë re edhe akademiku rumun Sorin Paliga, duke shkruar për emërvendet ilire në Slloveni: Davçe < Ad Avçe, Damar < Ad Amar, Deles < Ad Alesso, Deveà < Aveaco, Darte < Arte. Megjithatë, nëse nuk kemi të bëjmë me një interpretim latin të këtyre toponimeve, është e vështirë të shpjegohet /d/ si e tillë në pozicion intervokalik, kur dihet se /d/ intervokalike ka rrjedhuar /dh/.

E bëmë këtë digresion për të bërë më të qartë etimologjinë e toponimeve që do të trajtojmë në këtë shkrim, mbase, të fundit, për toponiminë e Gallapit.

Dabisheci

Dokumentimi historik. Në veprën “De Aedeficis” të Prokopit të Cezaresë, te fortesat e ndërtuara rishmi nga Justiniani, përmendet edhe emri i kështjellës Dabanos, sajuar nga tema dab- dhe konglutinati prapashtesor –anos. Po kjo temë, sipas bindjes sonë, shfaqet edhe në dy emërvende të mëvonshme, Dabisheci në Gallap dhe Dabinovci në rrethin e Toplicës, komuna e Kurshumlisë. Po ashtu, e gjejmë si emër të një përroni – Dabovac - të fshatit Jasenovik (Urosheviq, 38). Për më tepër, një formë të fshatit Dajkoc e gjejmë të dokumentuar edhe si Dabkoc. Forma e kryehershme e Dabish-ecit duket se ka qenë Dabeshec (khs. fshatin ngjitur me të Vaganesh), që mori formën e sotme Dabishec për shkak të disimilimit e – e > i – e (khs. sl. beseda > bisedë).

Sipas dijetarëve serbë, fshati përmendet më 1355 dhe duket se është një emërvend honorifik për Dabizhivin (Urosheviq, TK, 37-38). Në librin e detorësve të Llukareviqit gjejmë formën Dabixiuouzi (Diniq, DA, 89), kurse te Pulaha (PK, 699) e gjejmë në formën Dabzhijofc në kuadër të Nahijes Kremenat. Megjithatë, në Kosova Vilayeti Salnamesi 1896 e gjejmë si Dabeshifçe.

Për shkak të pranisë së një kishe, gjasat janë që pikërisht emërvendi Dabesheci të jetë një vazhdim i fortesës antike Dabanos, sado që mund të jetë edhe fashti Dabinoc. Serbët, që ishin në këtë fshat, sipas burimeve sllave, ishin kolonistë të vendosur pas Luftës së Parë Botërore.

Mikrotoponimet. Disa nga emërtimet e rëndësishme gjeografike të këtij fshati janë: Ara e Gog’s, Ara e Veselit, Ara Kurtit, Kroni i Keq, Kroni i Lugut t’Bric’s, Kroni i Mihalic’s, Livadhi i Madh, Livadhi i Qarrave, Mali n’Brica, Mali’ Lugit t’Bric’s, Mutivoda, N’Balltak, Prroni i Mutivod’s, Reka e Dabishecit, Tu Rovinat, Zhari etj.

Etimologjia: Po morëm parasysh se na shfaqet edhe në hidronimi, mund të mendohet me të drejtë për një formë të parashtesuar d-ab të rrënjës *ab- ‘ujë’. Se kemi të bëjmë me një hidronim, këtë e pohojnë edhe emrëvendet e tjera me këtë rrënjë: Dab-inoc, Dab-koc (sot Dajkoc), Dab-oc, si dhe forma Dab-anos e dokumentuar te Prokopi i Cezaresë etj.

Për përdorimin e rrënjës *ab- në hidronime, po përmendim emrin e lumit kelt Abona dhe atë latvian Abava. Nëse jemi të ndërgjegjshëm për zëvendësimin e prapashtesës –ona në emërvendet ilire me –in në sllavisht (Nar-ona > Nor-in, Albona > Lab-in, Skard-ona > Skrad-in, Gir-ona > Zir-in) mund të rindërtojmë me të drejtë formën Dab-ona te Dab-in-oc.

Desivojca/Desivojce

Dokumentimi historik. Fshati Desivojc, dëshmuar te Lukareviq si Desivojevci/ Deshivojevci, duket se paraqet njërin nga emërvendet më të vështira për t’u shpjeguar dhe për t’i gjetur një kuptim të qartë dhe të arsyeshëm. Origjinën e këtij emërvendi Skok e gjen të lehtë, duke pohuar se folja desiti ‘me ndodhë, me ndeshë’ dhe rrjedhoja e saj, antroponimi Desivoj, qenka bazë e toponimit Desivojce (ERHSJ, 394-395). Te Pulaha (PK, 700) haset në formën Desilofc, kurse në Kosova Vilayeti Salnamesi 1896 edhe si Desivçe.

Sipas autorëve Dr. sc. Sadri Shkodra, Hasan Bunjaku dhe Dr. sc. Faik Shkodra të monografisë “Desivojca nëpër shekuj” (Prishtinë, 1988) përmes fshatit Desivojcë kalon lumi me të njëjtin emër (f. 24).

Mikrotoponimet. Disa nga toponimet e rëndësishme të këtij fshati janë: Ara Gatë, Arrnica Duçanit, Bishtaki, Bishtlugi, Breg’i Zitit, Butia, Cipeli, Damidolli, Dardhat e Brahim Surdullit, Dardhat e Mrizit, Dardhat Truç, Gurina, Gurra Epër, Gurra Islamve, Kahfinjerat, Komanaci, Krojet e Pyll’s, Kron’i Askerit, Kron’i Avdisë, Kron’i Ligatës, Ligatat, Mal’i Netutit, Matona, Osoji, Plepishta, Prron’i Ram’s, Vjosat etj (Po aty, f. 208-209.).

Etimologjia: Sipas të gjitha gjasave, etimoni i këtij emërvendi ka qenë forma e parashtesuar d-is ‘lumë i fuqishëm’ (< *H1is- , forma e shkallës zero e rrënjës *eis- ‘i fuqishëm, i shenjtë’, khs. gr. hieros ‘i fuqishëm, i shenjtë’) dëshmuar edhe në emrin e lumit Isamnus (sot Ishëm), në emërvendin e lumit Istri/Histri (Danubi i sotëm), në gadishullin dhe krahinën e Ilirisë Istria/Histria, në emërvendet Isniq, mbase dhe Izerniq (sot Irzniq), kurse në keltisht në emrat e lumenjve Isara, Isaurus dhe në atë të gjuhëve baltike si Is(t)ra. Forma e dëshmuar shkrimore Desiv- dhe Desil- dëshmojnë për disimilimin a shpërngjashmimin i – i > e – i (khs. serb. liçiti > leçit). Pra, kjo na bën të përfundojmë se forma e kryehershme ka qenë Disiv- ose Disil-, varësisht nga prapashtesa.

Drenoci

Ky fshat shtrihet afër përroit të Drenocit, rreth 12 km në jug të Kamenicës. Sipas Jusuf Osmanit (VK, 13, f. 95) hasen në këtë vendbanim gjurmët e një kishe katolike, ku është gjetur në gërmadha një pllakë me mbishkrimin latin”Te Christe Actore Pontifex...” (“Ty Krisht Krijues Prift/Papë”). Veç këtij Drenoci, kemi dhe Drenocin e komunës së Deçanit, Drenocin e Klinës, Vlashki Drenocin etj.

Etimologjia: Ndryshe nga Rexhep Doçi (“Onomastika e Drenicës”, I, IAP, 2005), si dhe nga studiuesi Shefki Sejdiu (“Sprova etimologjike”, “Era”, 2002), që mundohen ta shpjegojnë toponimin Drenoc dhe Drenicë nga një antroponim ose apelativ sllav dren ‘thanë’ apo shq. dren ‘bishë mali’, ne mendojmë se si emërvendi Drenoc i Gallapit, po ashtu edhe Drenica, si emërtime janë motivuar nga hidronimi d-ren ‘lumë’ < *roi-na:/-no, duke parë edhe te këto toponime parashtesën iliro-shqiptare d-ren (khs. emrin e lumit gjerman Rhine, kelt. Renos). Se krahina të tëra kanë marrë emrin nga lumenjtë dëshmojnë Llapi, Gallapi, Mati, Dropulli, Podrimja etj.

Të shtojmë në fund se këto mendime tona i kemi shprehur edhe në forume të ndryshme shkencore, si Cybalist dhe sci.lang, ku dhe kemi marrë miratimin për ekzistencën e një parashtese d- me origjinë të panjohur në gjuhët paleo-ballkanike, sikundër dhe faktin se shembujt e ofruar janë bindës dhe me gjasa të mëdha për të merituar saktësinë e interpretimit të etimologjisë së hidronimeve dhe të toponimeve të motivuara nga hidronimet.

Ndikimi bizantin

Në këtë shkrim do të mundohemi të rrokim tri toponime, që sipas bindjes sonë, tregojnë për një zonë me një ndikim të ndjeshëm bizantin, ndaj dhe të kishës lindore, sidomos me përdorimin e mbiemrit grek hagios/hagia ‘i shenjtë’ në vend të mbiemrit latin sanctus ‘i shenjtë’, që është shumë më i përhapur në emërvendet e ndryshme të sistemit toponimik të shqipes, ku zotërojnë zonat me një ndikim shumë më të madh të kishës perëndimore, khs. lat. Sanctus Nikolas, gr. Hagios Nikolaos ‘Shën Kolli’, Hagios Georgios ‘Shën Gjergji’, por Hagia Sophia ‘Urtia e Shenjtë’. Megjithatë, duhet të theksohet se oronimi mali Hajmel në Shqipëri, si dhe maja Hajle në Bjeshkët e Nemuna duket se kanë një origjinë tjetër dhe më parë janë fjalë të burimit indoevropian, duke u lidhur me rrënjën e prapashtesuar *H2ak’-na: ‘majë’ (Pokorny 2. ak’- 18) me zhvillimin e rregullt –k’n-/-g’n- > -nj- > -j-.

Duke marrë parasysh jo vetëm këto ojkonime a emra fshatrash, por dhe një varg emërvendesh të tjera të kësaj zone toponimimike, siç do ta shohim edhe më vonë, mund të përfundojmë se Gallapi në Mesjetë kishte një organizim shumë të fortë kishtar.

HAJNOVCI

Dokumentimi historik. Hajnovci (serb. Ajnovce), sipas Atanasije Urosheviqit është një fshat serbo-shqiptar në Kriva Rekën e Novo-Bërdos. “Si Hajnovci (Hainovzi) përmendet në gjysmën e parë të shek. XV në librin e tregtarit të Novo-Bërdos Mikel Llukareviq (Diniq, “Nga arkivi i Dubrovnikut”, I, 39, 41, 49, 51, 53, 80, 81, 83, 84, 88). Në fshat nuk ka serbë vendës, sepse fshati u shpërngul rreth kryengritjes së parë serbe. Më vonë e përtërinë ardhacakët e rinj serbë. Shqiptarët janë muhaxhirë nga fshatrat Vrapc e Shilovë të Jabllanicës. Emri i fshatit rrjedh nga mbiemri i dalë nga emri vetjakë Hain, sepse në librin e përmendur të detorësve (Toponimi Kosova, f. 88) përmendet edhe qerrja e Hajnit.

Ky fshat dallohet për objektet e ndryshme sakrale, të shenjta, siç dëshmojnë rrënojat e manastirit dhe të kishës, që mendohet së është mbindërtuar mbi themelet e një bazilike të hershme bizantine.

Etimologjia: Duke marrë parasysh se këto fshatra Hajnovci i Epër dhe Hajnovci i Poshtëm mbushullojnë me faltore të ndryshme, ne besojmë se gjymtyra e parë haj- është një huazim nga greqishtja hagios/hagia ‘i/e shenjtë’ me shqiptimin e rregullt të –gi- >  -j. Mbaresën –n, si te Karma < Karpna e shohim si mbaresë të shumësit, për të cilën flet edhe forma sllave Ajnovce, kurse prapashtesa –ovac është e burimit sllav. Prandaj, këtë gjymtyrë e gjejmë të përbashkët edhe te toponimet Hajkobillë dhe Hajvali. Në një formë, ne na del e barasvlershme me shën- < lat. sanctus ‘i shenjtë’ (khs. emërvendet Shmri, Shbak, Shën Gjin, Shirgj, Karashëngjergj etj). Me një fjalë, duke qenë kjo një zonë e ndikimit të ndjeshëm bizantin, është e kuptueshme që të shtinte në përdorim mbiemrin greke hagios në vend të atij latin sanctus. Përdorimi i këtij mbiemri, por në një formë tjetër, vihet re edhe te Hagia Sophia “Diaj e shenjtë’, bazilika patriarkale në Stamboll (turq. Ayasofya). Pra, nëse pajtohemi se kisha është mbindërtuar mbi themelet e një bazilike, atëherë është e kuptueshme pse ky emërvend mori emrin Hajnovc.Me një fjalë, mbiemri grek u është vënë atyre vendeve që janë shenjtëruar, duke përqafuar fenë e kërshterë dhe që janë organizuar në aspektin kishtar.

Hajkobilla

Hajkobila, sipas një burimi elektronik (http://www.sumadinac.de­/manastiri/­manastiri_a.­htm) na qenka quajtur Prozhdrikobilla, sipas Dabizhav Prozhdrikobilla, kurse kur paskan ardhur shqiptarët në shek. XVIII e paskan përkthyer sipas qejfit të tyre. Në lagjen e xhamisë gjenden gjurmët e një kishe navate/anijatë.

Etimologjia: Lidhur me gjymtyrën –kobillë të emërvendit Hajkobillë ne mbrojmë ende mendimin që kemi shprehur në shkrimin “Toponimet latine-romane” se kemi të bëjmë me një formë të betacizuar, si te emërvendi Kopiliq, të fjalës latine villa ‘shtëpi’. Për shkak të kishës, që arkeologu ynë Haxhi Mehmetaj e daton të periudhës së Mesjetës, në saje të rekognoscimit të kryer në krye më të më 1944 nga Instituti i Monumenteve dhe i Muzeut Rajonal të Prishtinës, mendojmë se ky emërvend mori përpara mbiemrin grek hagios/hagia ‘i/e shenjtë’ (lexo: hajos/haja) ‘e shenjtë’. Përpjekjet e disa sihitorianëve për t’ia veshur këtë emër ekzistencës së heroit të padokumentuar, legjendar, Millosh Kopiliq, kanë të bëjnë më shumë me mungesën e njohjes së traditës së letërsisë gojore, që fitoren e një ushtrie mbi një tjetër e lidh me motivin e dredhisë (kopilisë), që nga Kali i Trojës te “Iliada” e Homerit e deri te këngët e ndryshme kreshnike.

Të theksojmë se me toponiminë e Hajkobillës është marrë edhe S. Gashi në punimin “Toponimia e katundit Hajkobillë” (“Përparimi”, nr. 5/1971; f. 806-811).

Hajvalia

Sipas A. Urosheviqit, “Hajvalia, është fshat srbo-shqiptar, 2 km në verilindje të Graçanicës. E themeluan kolonistët turq, çerkezët më 1864, por e lëshuan kur Serbia më 1878 po i afrohej Kosovës. Në pronat e tyre po të njëjtin vit erdhën muhaxhirët shqiptarë nga Toplica dhe Jabllanica. Ata u shpërngulën në pjesën më të madhe në Turqi më 1913, kurse pas Luftës së Parë Botërore në pronat e tyre u vendosën kolonistë nga viset tona të ndryshme” (“Toponimi Kosova”, SANU, Beograd, 1975, f. 1-2).

Pra, siç mund të shihet, autori nuk bën as përpjekjen më të vogël për të dhënë ndonjë shpjegim rreth etimologjisë së emërvendit Hajvali (serb. Ajvali). Megjithatë, në studimet tona ka pasur përpjekje që etimologjinë e këtij vendi ta lidhin me apelativin e turqishtes ayva (lexo: ajva) ‘ftua’ (S. Uka, “Shtresa gjuhësore turke e toponimeve” në “Onomastika e Kosovës”, Prishtinë, 1979, f. 370.).

Etimologjia: Gjymtyra e dytë –val e emërvendit Hajvali është apelativi latin vallis ‘luginë’, dëshmuar edhe në varg emërvendesh të tjera, si: Vilanës, Valkal, Valdanos etj. dhe në formë të betacizuar tek emërvendet Balincë, Balindoll. Pra, kuptimi i saj është ‘luginë e shenjtë’ < hagia valles.

Ndikimi i gotishtes në onomastikë

Nga historia e dimë se janë gotët gjermanikë dhe avarët aziatikë që pushtuan tokat e banuara me ilirë në mesin e shek. IV. Megjithatë, nga studimet më të reja mësohet se së paku dy grupe gotësh, Thervingi dhe Greuthungi, që në shekullin III filluan invadimet e para serioze ‘barbare’ të Perandorisë Romake që nga viti 262, duke plaçkitur Bizantin më 267, kurse një vit më vonë ata pësuan një disfatë rrënuese në Betejën e Nishit dhe dhe u tërhoqën pas nëpër lumin Danub më 271. Ky grup u vendos në veri të Danubit dhe themeloi një mbretëri të pavarur, duke u përqendruar në krahinën e braktisur romake të Dakisë (http://en.wikipedia.org/wiki/Goths). Ky pushtim pati ndikimin e tij edhe në gjuhët e këtij areali. Supozohet me të drejtë se fjala shqipe tirq rrjedh nga një kompozitë e vjetër thiobroc ‘knee-breeches’ (kilota të gjata), shkulkë ‘dru që ngulet përkohësisht si shenjë për të treguar se kullosa është e lirë; dru me bigë i ngulur në tokë’ < Goth skulka, fat me kuptimin ‘dhëndër, bashkëshort, burrë’ (khs. fj. e urtë: Arë pa shat dhe vajzë pa fat nuk jet.) Po ashtu mendohet se janë me origjinë gote edhe fjalët ‘petk’ dhe ‘magar’. Ne mendojmë se ndajfolja gati dhe rrjedhojat e saj duhet të jetë me origjinë gote, ku fjala gatan në suedisht ka kuptimin ‘rrugë’ (khs. ang. road ‘rrugë’, por ready ‘gati’, që të dyja nga e njëjta rrënjë IE *rridh- ‘kalëroj’).

Sado që deri më tash nuk është bërë ndonjë studim më i thelluar rreth kësaj çështjeje, mendojmë se ndikimi i gotishtes vihet re edhe te një varg toponimesh, dy nga të cilat do t’i trajtojmë në këtë punim, sepse si huazimet nga gotishtja, si emërvendet janë një dëshmi i vazhdimësisë së popullsisë sonë në këto troje.

Hertica

Hertica është një fshat kodrinor, që mendohet se është një vazhdim i një vendbanimi të vjetër: janë gjetur kroje me gypa të pjekur dheu, lugu i madh i të cilëve është bërë nga guri në formë rrethi me diametër 1.30 cm; varret e vjetra, kisha te Pollomët dhe në Lagjen e Drivashajve; Qyteza në Çukë të Batllavës, si kala e njohur, ndërtuar sipas sistemit natyror (F. Pushkolli); mbeturinat (zgjyra) e mbetura me rastin e shkrirje së xehes. Është të theksohet edhe gjuetia e drerëve, dhelprave, lepujve, derrave të egër etj., si dhe se kufizohet me Turiçicën (Z. S. Muçolli, Hertica, 15-70).

Disa nga mikrotoponimet e rëndësishme të këtij vendbanimi janë: Ara e Madhe/e Vogël, Arat Maslâme, Arat Mikatun, Ara e Medës, Ara tu Brijat, Arat Matanë Ligate, Arat e Terigut, Arat e Komajt, Ara e Hujë, Ara e Lakut, Arat e Tërpezës, Breg’ i Bardhë, Bregu i Rrasave, Bërduka, Breg’ i Lkenit, Breg’ i Fshisave, Dafina (pyll), Lak’ i Bjeshkës, Lejthishta, Lejthishta e Bjeshës, Livadhet e Mshtisë, Livadhet e Kuk’s, Livadhi i Makës, Ligata e Brahimit, Lugu i Marpapes, Lug’ i Rog’s, Lug’ i Dardhave, Lug’ i Dradh’s s’Butë, Lug’ i Theknës, Lug’ i Plakit, Lug’ i Grave, Lug’ i Cucs, Lug’ i Rrgallave, Tu Grunet, Tu Gurt e Shal’s, Tu Gantat, Gurrat e Mek’s, Tu Humëza (botë, argjilë e bardhë), Kodra e Love, Rrezja e Gjarpijve, Rrezja e Zhareve, Sekullari, Shurrjegu, Shkalla e Keqe, Shkozina, Shullan’ i Madh, Shpati i Tërpezave (pyll), Tërpezat (lokalitet në të cilin gjenden tri galeri të xeherores së Drazhnjës), Dardha e Pites etj (Muçolli, 334-346).

Etimologjia: Në formë të shkruar ky fshat dëshmohet që më 1455 (Oblast Brankovica) si Hrance, Hratica, Rtica. Po ashtu hasen edhe format Harance ose Herançi (Pulaha, 679). Duket se forma më e drejtë sllave ka qenë Hratnica, siç mund të shihet nga format Hrance dhe Hratica. Rtica është një formë pa laringale. Forma shqipe është Herticë < Harticë me metafoninë e shkaktuar nga dukuria e njohur si i-Umlaut, që, sipas gjasash, është parësore, sepse te forma Hrat-n-ica vihet re metateza e likuideve e sllavishtes a – r > r- a, falë së cilës Hart(n)ica kaloi në Hratica/Hrance. Te –n(a) ne shohim mbaresën e shumësit si te Hajnoci, Bërrnica, sepse në disa harta topografike (Z. Muçolli, 15) hasen edhe Retica e Epërme dhe Retica e Poshtme, emërtuar më vonë nga forma shqipe Herticë. Mendojmë se ojkonim është formuar nga apelativi gjermanik *herutaz ‘dre, dre i rritur’ (khs. ang. hart ‘dre i rritur’, sued. hjort). Po nga ky apelativ duket se janë krijuar edhe ojkonimet Ranillug në rrëzë të Karadakut të Shkupti dhe Rance në rrëzë të Cërralevës. Për më tepër, ne mendojmë se edhe fshati ngjitur për Herticën, Turuçica, një fshat shumë i zhvilluar në këtë kohë, me asimilimin u – e > u - u (khs. f. pranë Reçicë) është një formë e parashtesuar tu- + Retia (khs. tu- + gje te Tugjec, tu- + menisht te Tumenisht) me evoluimin –tj- > -ç- në gjuhët sllave (khs. raçun < rationem, Parentium > Poreç, Bolentium > Boleç, Bratia > Braç etj.).

Për përdorimin e dendur të këtij apelativi në emërvende, po përmendim vetëm disa nga ojkonimet e ndërtuara nga ky apelativ: Harthill ‘kodër e shkelur shpesh ose e frekuentuar nga drerët’, Hartford ‘va i shkelur shpesh nga drerët’, Hartland ‘pronë ose fermë e vizituar nga drerët’, Hartshorn ‘kodër që ka formën e brirëve të drerit’ etj. (DEPN, 167-168).

Një arsye tjetër që na shtynë të kërkojmë origjinën gote të këtij ojkonimi, përveç gjuetisë së kaprojve, bjeshkëve, janë edhe mikrotoponimet Tërpezat < Trepezat (khs. Trep-ça), Ara e Tërpezës, Shpati i Tërpezës, që po ashtu, siç kemi shprehur mendimin edhe më herët, duket se është me origjinë gote (khs. variantet gjermanike dorp, terp ‘fshat’).

Hodanoci dhe Hodeci

Fshat në juglindje të Kamenicës, që shtrihet në të dy anët e rrugës që lidh pjesën juglindore me fshatrat e Veriut dhe të Lindjes së Kamenicës. Mikrotopnimet më karakteristike janë: Gradisha, Ara e Shën Paunit, Ara e Pamukut, Livadh’ i Begut, Gur’ i Shpum (J. Osmani, VK 13, 114-115).

Etimologjia: Me prapashtesën –an janë formuar në gjuhën shqipe një numër i madh emërvendesh a topikësh: Dushkan, Gjergjan, Kajan, Koleshan, Kurman, Kuqan, Letan, Lleshan, Llukan, Mezhguran, Poliçan, Stërstan, Shegan, Shirgjan, Tregan, Tudan (Xhuvani-Çabej, “Prapashtesat... ” në Aleksandër Xhuvani, ASH e RPSH, f. 437). Këtij numri topikësh mund t’i shtohen edhe: Beran, Dam-an-ek, Hodan-oc, Letan-s, Maleshgan, Matiçan, Peran, Skivi-an etj. të Dardanisë.

Për këtë arsye ne e shohim topikun a ojkonimin Hodano(v)c të segmentueshëm në Hod-an-ovc, ndërtuar nga apelativi greke he hodos ‘udha’. Po nga ky apelativ është formuar edhe fshati tjetër, Hodeci. Hodanoci dëshmohet në formë të shkruar si Hodojofca në defterin e Kazasë së Novo-Bërdos më 1498, kurse Hodeci dëshmohet në formë të shkruar në defterin kadastral të Sanxhakut të Vushtrrisë më 1566-74 (Po ai, 117).

Hogoshti

Dokumentimi historik. Hogosht (serb. Ogoshte), fshat shqiptar i Novo-Bërdos. Sipas dijetarëve serbë është dëshmuar më 1395 si ou Holgoshti, kurse te libri i detorësve i Llukareviqit, gjysma e parë e shek. XV, si Hogoste. Te Pulaha dëshmohet si Hogoshta (i braktisur) me pjesën Hrupina (678). Përmendet në të Kisha e Shën Mërisë. Për lashtësinë e tij flasin disa të dhëna, si: gurethemelet e një kishe në „Kërshlan”, themelet e një kishe në lagjen e “Kastratëve” në fshat, një vegsh(pitos) i madhësisë mesatare i gjetur pikërisht në oborrin e Osman Kastratit, një pllakë e shkruar, e cila ende s’është deshifruar në tërësi, disa varreza të gjetura në lagjen “MURTAJ”, një shigjetë e vathë të gjetur 60 vjet më parë tek ara e Mulla Hysenit etj. Siç thuhet edhe në monografinë “Hogoshti” të mr. Hysen Latifit dhe të mr. Latif Sermoxhajt (Prishtinë, 2002) ky fshat duket se ka ekzistuar edhe në periudhën romake, sepse atributin i Rimit e kanë disa mikrotoponimet, si Kroni i Rimit, Bunari i Rimit, që gjenden në lagjen e Kastratëve, afër Prronit të Rupes (f. 16). Mendja na thotë se te mikrotoponimi Rupes duket se kemi të bëjmë me një formë metatetike të apelativit latin urbs, -is ‘qytet’ me çzëshmimin a desonorizimin e rregullt të mbylltores së zëshme /b/ në të pazëshme /p/.

Mikrotoponimet. Disa nga mikrotoponimet karakteristike të këtij fshati janë: Agajt (lagje fshati), Ara Hetes, Ara Jasharit, Ara Veselit, Ara Ukës, Arat e Mdhaja, Ara e Konakut Ahishta, Ahi, Arrnicat, Breg’i Hates, Bujnovc (kodër), Bunga Bardh, Çufrraku, Dardhishta, Dardha Truç, Firaja, Gur’i Hutit, Guri Ngul, Guri Kafjetolles, Gur’i Çikës, Gurzina, Kitka, Kron’i Lejthis, Krojt e Melles, Kron’i Shkozes, Kron’i Thatë, Karpina, Mriz’i Dashit, Meli, Përsllopi, Prron’i Mshices, Ramnishta, Rrahishta, Stërsheli etj.

Etimologjia: Megjithëse përmendet për Kishën e Shën Mërisë, kujtojmë se në të vërtetë ky emërvend mori formën e tij nga Shpirti i Shenjtë (Holly ghast > Holigost, falë evoluimit –ll- > -l-, khs. format e dëshmuara ou Holgoshti, po dhe atë Ho(l)gost), gjurmë kjo e gotëve ose e ndonjë fisi tjetër gjermanik, që kishte pranuar kërshterimin. Pra, nëse njëra kishë është e njohur si Kisha e Shën Mërisë, atëherë ajo tjetra do të jetë njohur si Kisha e Shpirtit të Shenjtë, nga dhe e mori emrin.

Gallapi/Gollaku

Së pari, po theksojmë se, ndryshe nga gjuhëtarët tanë tradicionalë dhe pozitivistë, në kërkimet tona onomatologjike priremi nga parimi i mbështetur edhe në onomatologjinë angleze se forma e folur është më burimore, më e sak nga forma administrative e përdorimit të një toponimi, sidomos në viset ku kemi dëshmi për pushtime të ndryshme dhe administrata të huaja, që shformuan ose përshtatën toponimet sipas ndjenjës së tyre gjuhësore.

Forma e folur në popull, më e shpeshta, që, sipas nesh, është më burimorja, më e saka, është ajo që shfaqet në togfjalëshin emëror a sintagmën nominale Llap e Gallap, edhe pse mund të haset edhe ajo Llap e Gallak. Forma Gollak, sipas bindjes sonë, është një përshtatje gjuhësore e administratës sllave, që mundohet këtë rajon me gjelbërimin më të madh, ta shpjegojë me apelativin sllav gol (lexo goll) ‘i zhveshur, lakuriq’, e që nuk i shkon aspak në aspektin përshkrues a deskriptiv.

Te forma Gallap (më e vjetër Gallab) ne kemi parë një fjalë të përbërë nga parashtesa ga- dhe rrënja llap. Parashtesa ga-, dikur prodhimtare, është një variant a variacion i parashtesës g(ë)-, e cila dëshmon për një hapje të ë-së në a në pozitën paratheksore (A. Xhuvani – E. Çabej, “Parashtesa e gjuhës shqipe” në Aleksandër Xhuvani, “Vepra”, I, ASH e RPSSH, Tiranë, 1980, f. 371-372). Këtë parashtesë, sipas tyre, e gjejmë te ga-lamsh (lamsh), ga-lavër (lavër), ga-lmuq (lmuq), ga-zheloj (zheloj) etj. Në kërkimet tona onomatologjike, këtë parashtesë e kemi gjetur edhe tek emërfshati Ga-dime, krahas emërvendit Dimçe. Nga ana tjetër, ne kujtojmë se kjo parashtesë shfaqet edhe te ga-rrumel (khs. rrum, rrumbullak), z-ga-fellë (khs. i fellë/thellë).

Megjithatë, t’i hedhim një sy strukturës fonetike të hidronimit Llap. Lëngëtorja grykore laterale /ll/ mund të heqë origjinën e saj nga togje të ndryshme bashkëtingëlloresh, sikundër janë togjet –ln-, -sl- etj.

Pikërisht grupi i fundit i bashkëtingëllore na ka shtyrë që origjinën e lumit a hidronimit Llap ta kërkojmë te rrënja indoevropiane *sleubh- ‘me rrëshqitë, me rrjedhë’, ku dhe e ka burimin fjala shqipe “lumë’, e cila mund të rrjedhoret lirisht, sikur provoi Huld, nga forma pa s-mobile *(s)lubh-no, ku grupi –bhn- u asimilua në –mn- për të marrë fund në shqipen e re në –m- (khs. *H2op-no > Lat. amnis ‘lumë’, shqip amë; lat. somnus, shq. gjumë, gr. hypnos, të gjitha nga rrënja i.e. *swep-no). Ky evoluim mund të ndiqet edhe te urdhërorja Ama! e foljes jep, që në të folme të ndryshme shfaqet si ap, e cila nga forma ap-ma, përfundoi në ama (khs. fal-ma, thirr-ma). Kjo tregon se si grupi konsonantik –pm-, si ai –pn-, përfunduan në gjuhën shqipe në –m-.

Duke pasur parasysh këto ligje fonetike të gjuhës shqipe, nuk e patëm të vështirë që emrin e lumit Llap ta rrjedhojmë nga forma e shkallës o *sloubh-o e rrënjës bazë *sleubh- (Pokorny sleub(h)- 963.), duke përfillur tashmë rregullën e provuar *-sl- > -ll-, *-ou- > -a- dhe shurdhimin a çzëshmimin e zakonshëm të mbylltores së zëshme dybuzore /b/ në /p/. Trajta sllave Llab, për këtë arsye, ruan një formë më arkaike, sepse huazimet zakonisht janë më konservative se transformimet që pëson fjala në gjuhën dhënëse. (Këtë mendim e kemi mbrojtur edhe në njësinë “Amëz” të “Wikipedisë”, enciklopedisë së Harvardit, e cila sot besohet se është më besnike se vetë “Britannica”.)

Për një përftim të emrit të lumit nga folja me kuptimin ‘me rrjedhë, me rrëshqitë’ mund të krahasohet emri i lumit Danub nga rrënja i.e. *deH2- me siguri nga forma kelte Danuvius, av. da:nu ‘lumë’, që në shqipe rrjedhoi emrin dhjamë nga forma e prapashtesuar *de-mo, sikundër dhe në greqisht dhmos ‘id.’ (Pokorny da:- 175).

Lidhur me hidronimin Llap dhe historinë e studimit të tij është marrë në mënyrë mjaft shteruese studiuesi ynë prof. dr. Shefki Sejdiu në studimin “Gjurmë lashtësie në onomastikën e trevës së Llapit” (“Sprova etimologjike”, “Era”, Prishtinë, 2002, f. 59-66), duke e lënë çështjen e origjinës së këtij hidronimi ende të hapur, sepse si bazë e tij merren në studimet e derisotme rrënjët IE *albh-, por dhe *lab-. Megjithatë, ky studiues i spikatur yni nuk vë ose nuk sheh ndonjë lidhje në mes Llapit dhe Gallapit.

Me etimologjinë e horonimit a të krahinës Gallap është marrë edhe studiuesi Begzad Baliu, i cili është përpjekur që emrin e saj ta shpjegojë të motivuar nga fitonimi galeopsis ‘hithër e rregme; hith i egër’, duke u nisur nga fakti se emri i Dardanisë është motivuar nda dendronimi ‘dardhë’ (cituar sipas Rexhep Doçi, “Onomastikë ilire-shqiptare në Ballkan”, IAP, 2006, f. 445.). Nga ana tjetër, duke u nisur nga një përqasje e gjeografit Muharrem Carabregu të fisit dardan Gallabroi (Gallabi) me emrin e kësaj krahine, i cili mendon se banorët e Gallapit formuan Kalabrinë, po ky autor mbron mendimin se horonimi Gallap dhe Kalabri janë të formuara nga emri i fisit të dardanëve ilirë Galabri (f. 72-73), madje duke pohuar se ky shpjegim është i mbështetur edhe nga dëshmi të tërthorta.

Po theksojmë se emrin e këtij fisi dardan ne e kemi shpjeguar si kompozitë të Gal-abroi, ku Abroi janë një fis i njohur ilir, emri i të cilit sot shpjegohet me të drejtë nga apelativi i shqipes ‘afër’, kurse gjymtyrën e parë e kemi parë si etnonim të keltëve, që shfaqen në formën romake si Gal- (Caesar, “De Bello Galico”: Gallia est omnis divisa in partes tres, quarum unam incolunt Belgae, aliam Aquitani, tertiam qui ipsorum lingua Celtae, nostra Galli appellantur...). Pra, sipas gjasash, kemi të bëjmë me një fis kelto-ilir, njësoj si Japodët.

Draganca

Dokumentimi historik. Draganca/Draganac është një nga vendbanimet mjaft të rëndësishme të Gallapit, sepse përmendet në dokumentet e shkruara që më 1381, kur princ Lazari themeloi manastirin e Ravanicës në kufijtë e Përlepnicës (J. Osmani, VK, 6, f. 74.). Po këtë e pohojnë edhe burimet sllave: “Fshati përmendet rreth vitit 1400”. (Monumenta serbica, f. 198.). Në një hartë austriake të vitit 1689 përmendet me emrin Dragovac (J. Osmani, po aty.), kurse me emrin Debregançe, përkatësisht Draganicë del në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896 dhe 1900.

Topografia. Fshati shtrihet në pjesën e sipërme të Përroit të Dragancës, nën Majën e Malit. Se ishte një vendbanim i banuar herët dhe i përshtatshëm flet fakti se ai ndahet në Dragancën e Vjetër dhe Dragancën e Re. Kufizohet me Makreshin e Poshtëm, Mozgovën, Busovatën, ku u gjet njëra nga shpellat më interesante në këtë zonë.

Mikrotoponimet: Mali i Vjetër, Arat e Hoxhës, Arat e Gllamës, Viria, Kron’i Virisë, Kron’i Hajdukut, Arat e Ruhanit, Livadhi i Bajrakut, Llazi, Ara e Bunarit, Manastiri, Pllandishta, Plluzhina, Grosheta, Lotra etj. Kur është fjala për Arat e Hoxhës, si dhe për Gurin e Hoxhës, kujtojmë se kemi të bëjmë më shumë me Gurin e Haxhës, vend i shenjtë (hagios ‘i shenjtë’ > haj-os > haxh); Arat e Haxhës, vend ku u gjetën themelet e një vendbanimi të vjetër për shkak të evoluimit a > o në sllavishten (J. Osmani, po aty dhe A. Urosheviq, TK, 1975 45 dhe i njëjti “Novobrdska Kriva Reka” 1996 87).

Etimologjia: Duke shkruar për toponimet (neo)latine patëm theksuar se Drag-o-bia dhe Drag-o-bili përmbajnë gjymtyrën e parë drag- me kuptimin ‘shpellë’, sipas parimit të metonimisë, zëvendësimin e vendit me emrin e banorit të saj, meqenëse shpellat konsiderohen, sipas besimit popullor, vendbanim i dragonjve. Po këtë dukuri patëm vënë re edhe te mikrotoponimi Dragoti në Poliqkë. Kjo dukuri hetohet edhe te toponimi Vrima e Dragoit, emër shpelle te Mali i Shpiragut, si dhe te Guri i Drangoit, emër shpelle në ekstreme të trevës gjuhësore, në anët e Preshevës (H.Islami – R. Ismajli GjA II 1969 221, 1970 266) dhe te Hora e Arbëreshëve në Sicili (Skiro CT CVIII), sikundër mund ta gjejmë në “Studime etimologjike në fushë të shqipes” III 1987 301).

Pra, emërvendi Dragancë është sajuar nga rrënja drag- dhe konglutinati prapashtesor –ancë.

Dragoc/Dragovac

Dokumentimi historik: Gjasat janë që ky vendbanim të jetë dokumentuar për herë të parë më 1556, siç mund të mësohet nga libri i Pulahës, në njësinë I. Nahija Kriva Reka (f. 695), ku del në formën Dragoleshnica. Falë z. Ramadan Mehmeti dhe një kopje të një harte osmane të vitit 1530, Dragoci del në formën Drago-lishinçe (1530 Tarihinde Vëlçëtrën Livasë Novabërda ve Prishtine Kazalari) në Nahijen e Jasenovikut.

Topografia: Fshat në burim të lumit Graçanka në shpatijet e malit Koznicë (<Kozanicë). Kufizohet me Izvorin, Slivovën, Kukavicën, Llabjanin.

Etimologjia: Si ky emërvend, si ai më sipër duket se janë motivuar nga prania e ndonjë shpelle në afërsi. Forma shqipe mund të jetë nga ajo greke drakos, kurse ajo sllave është një mbiemër i emërzuar. Për emërvendet e ndërtuara nga ky apelativ shih emërvendet më sipër, si dhe emërvendet: Dragushë, Dragaj, Draga etj. Nga ky apelativ mund të rrjedhë edhe emri i Çukës së Drazhnjës, dëshmuar në hartën e cekur më sipër si Draxh-ine, për shkak të galerive të shumta nëntokësore.

Motivimi i emrave të fshatrave nga emrat e drurëve

Dukuria e motivimit të emrave të fshatrave a ojkonimeve nga emrat e drurëve a dendronimeve është një gjë e ditur në onomatologji. Nga këto emërvendi, jo vetëm në onomastikën tonë, por edhe në atë angleze, ta zëmë, zotërojnë dendronimet ah, dush-k: me një variacion formash të shumta, si: Oake/Oaken ‘(vend në) dushkajë’, Oakengates ‘grykë ku rritet lisi/dushku’, Oakford ‘va pranë dushkajës’, Oakworth ‘ngastër e lisit’, Oxted ‘vend ku rritet lisi’ etj. Po këtë dukuri e hetojmë edhe në onomastikën sllave: Dubrova (Polica), Dubrovina, Dubrovsko, Dumbrowa, Dubrovac, DubrovnikLendavën e Poshtme, Dubrovnik (në Dalmati) etj. (Skok, ERHSJ 449), të gjitha nga apelativi dub ‘lloj lisi; druri në përgjithësi’ e po ashtu edhe në onomastikën shqiptare: Dushk, si emërvendi i përhapur në gjithë truallin e shqipes; Dushkajë (Zerqan, Leshë, Kosovë); Baldushk pranë Tiranës, Dushkan në Kërrabë, Dushnik në anët e Beratit, Dushkarak në anët e Vlorës, Dushnjesh, katund i Pukës; Dushkë në anët e Shijakut etj. (Çabej, SEFSH 19-20). Me formën e rrëgjuar a të kontraktuar Dush, këtë apelativ të shqipes e gjejmë te forma e dyfishuar e patronimit Dudush; në Dardani te Dush (më e hershme Dusa/Dusje) tek emërfshati Dyz; po ashtu këtë formë e gjejmë në Korthpulë-Qelëz si Gropë e Dushit, krahas Gropës së Qerretit ‘mal i qarrit’; fshatrat Dush dhe Dush i Vogël në Llapushë (Doçi OISHB 231); Dush i Epër dhe Dush i Poshtem në rrethin e Pukës ((Ermanno Armao, “Vende, kisha, lumenj, male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore”, Korbi, 2006, f. 74), Dushman, emër i krahinës së Veriut, si dhe emri i një fshati sot të zhdukur të Dardanisë (Kosovës). Po ashtu, ky apelativ haset në shumë patronime me karakter komemorativ, si: Dushaj, Dushaku, Dushballt, Dushi, Dushulloci (po ai, po aty.). Me një denduri më të vogël shfaqet dendronimi ‘ah’ në format ahishtë, ashtë, asht. Si oronim është shumë i përhapur me formën ahishtë, kurse me ashtë, pos në Veri të Shqipërisë, e kemi gjetur në fshatin Koliq, formë kjo e pranishme edhe te Dashtnicë dhe Grashticë. Në Tropojë del në formën mashkullore, si Ashti i Gjarpnit dhe Ashti i Markofshit etj.

Dashnica

Dokumentimi historik. Për herë të parë emri i këtij fshati përmendet me regjistrimin e viteve 1566-74 (Pulaha, 700) në formën Dazhdaniça si fshat i krahinës Topolonica. Në formën sllave e gjejmë si Dazhdince, kurse forma shqipe e tij është Dashnicë/Dazhnicë.

Topografia. Fshat i derdhur malor me burime të shumta ujore dhe pyjore, ku mbizotërojnë pyjet me dru ahu. Duket se kemi të bëjmë me dy Dashnica: Dashnicën e Jerlive (vendësve) dhe të Muhaxherëve (Ramabajve, Vrapcëve etj.).

Mikrotoponimet. Ara e Barakut, Dardha e Gatë (dardhishtë), Dardha e Osmanit, Jabuça, (zabel), Kodra (ahishtë), Kodra e Bajralive, Kron’i Ftoftë (në ahishtë), Kron’i Namanit, Kron’i Shehut, Lagjja e Marofcit, Livadh’i Madh, Llazina, Magura (ahishtë), Mal’i Isufoviqe, Mullin’i Dazhnicës, Tu bunaret, Zabel’i Salihut, Zidolli (ahishtë). Këto mikrotoponimet u volën nga Hatixhe Jerliu, banore e vjetër e këtij fshati. Për toponimin e fundit Urosheviq (NKR, 115-116) thotë se është një formë e shtrembëruar e zli dol ‘lugu i keq’, kurse ky është një oronim a emër mali, prandaj ky është një shpjegim jo vetëm joshkencor, por edhe qesharak. Lidhur me mikrotoponimin Vorret e Shkjeve, i shpeshtë në mikrotoponimi, ne mendojmë se kemi të bëjmë me varrezat e popullsisë që e pranoi skizmën, sepse kjo fjalë, sipas Pedersenit, shënon jo vetëm sllavët, por edhe grekët, që kishin përvetësuar skizmën, besimin ortodoks.

Etimologjia. Meqenëse apelativi sllav dazhd ‘shi; picërrak’ nuk haset askund në onomastikën sllave, është e natyrshme që burimin e tij ta kërkojmë te ndonjë apelativ i shqipes. Do pasur parasysh se apelativi i shqipes ashtë/ahishtë ‘pyll ahu’ ka gjetur një përdorim të dendur në toponimi: “Një pyll me aha quhet ahishtë e në Veri ashtë (khs. patronimin Kolë Ashta, v.j.), të dyja edhe toponime, si Ahisht’e Gegës pranë Pogradecit, po në Qerem të Tropojës mashk. Ashti Gjarpnit, A. Markofshit (Çabej, SEFSH, A-B 19-20). Ne priremi që te ky emërfshati të shohim një formë të parashtesuar të shumësit d-asht-n- (khs. edhe D-ab-eshec, D-ishivojcë po në këtë zonë toponimike) me rrëgjimin a reduktimin e rregullt të togut –tn- > -n- në shqipen e vjetër (khs. zonë < zotnë, monë < motnë etj.). Pra, forma Dashnicë ose ajo Dazhnicë doli nga paraforma Dashtn-icë, që e shpjegon edhe formën e saj të dokumentuar Dazhdaniça ose Dazhdince me një tingull anaptitik /a/ ose /i/ në formën osmane ose sllave. Për këtë shih edhe emërvendin Grashticë më poshtë.

Dyzi

Dokumentimi historik. Për herë të parë dokumentohet në vitin 1455 si fshat i krahinës së Llapit (Pulaha, 686) si Dusa dhe Dusje, kurse më 1477 si Dushci dhe më 1487 si Dushevci (Urosheviq, TK 47). Në vjetarin e vitit 1896 del si Ispançe-i Dyz ‘Dyzi spanjoll’ si fshat i kadillëkut të Prishtinës. Megjithatë, nga kërkimet në terren, mendojmë se kemi të bëjmë me protezën e rregullt të i-së para fjalëve që fillojnë me spirante, sepse kjo fjalë duket se lidhet me fjalën greke spanos ‘i pamjekër, i paflokë’ me kuptimin e njerëzve me këto tipare, ekzistencën e të cilëve e pohuan edhe banorët e fshatit.

Mikrotoponimet. Këto mikrotopinime u morën nga Sylejman Rrmoku, 60-vjeç, mësuesi i parë në shkollën e Zajeçecit. Ahishta, Bung’i Dyzit, Dushkaja, Gur’i Gjarpnit, Gur’i Keq, Kron’i Halitit, Kron’i Temit, Livadh’i Musës, Mal’i Kolikës, Mal’i Musës, Mahalla e Bllacëve, Mullin’i Ruhanit, Prron’i Kishës, Reka e Dyzit, Reka e Spancës, Rrezja e Malit t’Gurit t’Keq, Shamak (khs. Sham-a-llukë), Troje (Mëhalla e Hajdarajve), Zllapusha.

Etimologjia. Sipas studiuesit serb A. Urosheviq, forma e sotme e shformuar e emrit të fshatit Dyz e ka burimin te rrënja duh ‘frymë, shpirt’, që e provojnë format e dokumentuara me shkrim, si Dusje, Dushci dhe Dushevci (shih më sipër). Gojëdhëna e banorëve është se ky emër u përftua pas djegies së Dushkajës, e cila u bë dyz ‘rrafsh’. Kjo legjendë dhe kulti i druve, i gjallë edhe sot në këtë zonë (shih më sipër Bung’i Dyzit), na shtynë të besojmë se kjo formë e turqizuar e këtij emërvendi na çon te apelativi i shqipes dush-k,që e gjejmë shpesh në onomastikën shqiptare, si Dushku (Lushnjë, Gramsh, Peqin, Gumenicë), Dushkë (Zerqan, Leshë), Dushkajë (Deçan). Formën Dudushi, pa mbylltoren /k/, e gjejmë në patroniminë e Gjirokastrës, si dhe në Dushnjesh (Pukë) etj. (Çabej, SEFSH, III 363-365). Si Dushnja e gjejmë në Malësi të Gjakovës.

Grashtica

Dokumentimi historik. Në dokumentet e shkruara del së pari Defterin Kadastral të Kazasë së Novobërdës më 1498/1499 (Ilaz Rexha), kurse në regjistrimin e viteve 1566-75 me emrin Grashenica si fshat i krahinës Treboshnica (Pulaha 698). Në hartën e vitit 1530, në anën tjetër, po në kuadër të krahinës Troboshtiçe, del në formën Grashtiçe.

Topografia. Fshat i derdhur kodrinoro-malor rreth burimit të lumit Prishtina. Banorët i takojnë kryesisht fisit Krasniqe.

Mikrotoponimet. Ara e Lisit, Baçevishtë (kodër e madhe), Gjyteti, Gropa e Gjove, Hamarishta (shehri i vjetër), Hanishtat, Kalaja e Madhe, Kalaja e Vogël, Kisha, Kron’i Ftohtë, Kron’i Gajtanvodës, Livadh’i Lifit, Lug’i Gjytetit, Lug’i Gurit, Lug’i Voneve, Lugdardhëshej (< Lugu i Dardhës së Shejës), Lugmiçeshmi (< Lugu mbi Çeshme), Madeni, Mellat, Pllanishta, Pllavsi, Prron’i Grashticës, Prron’i Fellë, Roga e Gurëve t’Kuq, Roga e Linit, Rogat e Butocit, Rrezja e Kishës, Sabutia, Sigirida, Tu Ahi (gjyteti), Udha e Love (Lopëve), Vonet e Durakut etj. Një përshkrim shterues të mikrotoponimeve jep Ali Sh. Berisha (“Bashkia e Llukarit”, Prishtinë, 1998, f. 308-309).

Është të theksohet se ky fshat ndahet në Grashtica e Epër dhe Grashtica e Poshtme. Po ashtu, po theksojmë se sipas burimit tonë, Hamdi Krasniqi, mikrotoponimi Tu Ahi, që ndodhej në pjesën e quajtur Gjyteti, tregon se aty ishte një ah shumë i vjetër, të cilin e kishin prerë, me gjithë frikën nga mallkimi që mund të merrnin mbi vete.

Etimologjia. Mendojmë se forma parësore e këtij vendbanimi ka qenë Grashticë, siç del edhe në hartën e vitit 1530, kurse forma Grashenica < Grashtenica është një dëshmi e shumësit të formës Grashtë, sepse fshati duket se u zgjerua në Grashtica e Epër dhe e Poshtme. Pos mikrotoponimit Tu Ahi, kemi edhe mikrotoponimin tjetër Ara e Lisit, që janë tregues të kultit të drurëve në këtë zonë onomastike. Të gjitha këto janë arsyet që na shtyjnë të shohim tek emri i këtij fshati një formë të parashtesuar g(ë)r- + ashtë- të apelativit ashtë ‘pyll me aha’, zgjeruar në prapashtesën zvogëluese –ica. Për një variacion të parashtesës g(ë)- me një epentezë të një r-je të konsultohet burimi te emërvendi Dashnicë.

Megjithatë, nëse lumi Grastenichia i Shqipërisë së Veriut  është një shtrembërim i fjalës shqipe Krasniqe (Armao 172) dhe duke marrë parasysh se banorët e kësaj zone janë në përgjithësi të fisit Krasniqe, nuk është larg mendsh që edhe Grashtica me formën e dëshmuar Grashenica < Grashtenica të jetë një formë e romanizuar e Krasniqes.

Gmica

Dokumentimi historik. Fshati Gmicë dokumentohet me formen e shkruar Dminzi in Hogoste (M. Diniq, Iz Dubrovackog Arhiva, 54, 73, 88) qysh në gjysmën e parë të shek. XV (1437). Megjithatë, më 1455 (Pulaha, 677) shfaqet me format Dimçe dhe variantin Diminica si fshat i Vilajetit Topolnica. Në regjistrimin e viteve 1566-74 ai shfaqet me formën Dimnofc (Pulaha, 697) si fshat i Vilajtetit Leskofc. Në Vilajetin e Kosovës të vitit 1896 ai del si Gamençe.

Topografia. Fshat i derdhur malor i pasur me pyje, livadhe dhe ara, që kufizohet me Sfircën, Shahiçin, Gjurishecin, Meshinën dhe Tugjecin. Fshati ndahet në tri lagje: Mahalla e Matoshëve, Lecajve dhe Korçajve. është fshat kufitar me Serbinë dhe sot i takon komunës së Kamenicës (rreth 16 km larg).

Mikrotoponimet. Falë kërkimeve te R. Doçit dhe sidomos të Zijadin Munishit (Onomastika, 319), mund të thuhet se është nga fshatrat me mikrotoponiminë më të studiuar: janë regjistruar mbi 230 mikrotoponime. Sipas Ziajdin Munishit, në këtë fshat kemi mikrotoponimet e hershme dhe të pashpjegueshme, si: Lug’i Vic’s, Livadh’i Shto:r’s, Azdrefci, Kulibinet, të cilat ndiqen nga mikrotoponimet paraotomane ose të kërshtera: Kron’i Bogdanit, Kron’i  Mak’s, Mal’i Kish’s, Kisha etj. Karakteristike janë edhe mikrotoponimet: Dera Madhe, Çuka, Bleta, Pula, Rrezja, Çelishtë, Lejthishtë, Dardhishtë, Rrahishtë, Çelishtë , krahas Çela etj.

Etimologjia. Me etimologjinë e këtij fshati nuk dimë se është marrë kush deri me sot. Megjithatë në Wikipedia mund të haset një përpjekje për të ndriçuar etimologjinë e këtij fshati. Duke parë në të gjurmët e sasëve (saksonëve), autorët mendojnë se emri i tij duhet të rrjedhë nga fjala gjermane Gemeinde “bashkësi, komunitet” ose Münde “grykë”. E drejta, mikrotoponimi Livadh’i Shto:r’s edhe mund të shpjegohet me ndihmën e gjermanishtes si Livadh i Shtërgut, Lejlekut a Kanjushës (gjerm. Der Storch “shtërg, lejlek”, khs. ang. stork “id.”, shq. shtërg). Por, nga ana tjetër, mikrotoponimi Dera Madhe flet për një traditë të ngulitur mesjetare shqiptare, sepse togfjalëshat Dera Madhe dhe Shpi e Fortë janë një çift sinonimik.

Nga format e shumta të dokumentimit të saj, si Dminzi, Dimçe, Diminica, Dimnofç, Gamençe dhe forma e folur Gmicë (forma sllave Gmince, Urosheviq NKR 95) është e vështirë të nxirret ndonjë përfundim i qëndrueshëm. Forma shqipe Gmicë mund të ketë evoluar natyrshëm nga forma Gmince me rrëgjimin e rregullt të togut –nc- / -ns-–c-/-s- (khs. *me:ms- > mish) dhe si formë parësore të merret forma Dmincë/Gmincë, që mund të jetë një formë e parashtesuar d-+ mincë (khs. d- + ab-esh-ec te Dabeshec, d- + ishil/d- + ishiv te Desivojcë dhe d-+ asht-n-icë te Dashnicë), karakteristike për këtë zonë toponimike. Po përfillëm parimin e ligjit të parsimonisë ose briskut të Occam-it, atëherë do të ishte shumë e natyrshme që etimologjia e këtij fshati të shpjegohet nga apelativi gjerman Minz ose Minze ‘mjedër’, antroponim dhe patronim ky i përhapur shumë në onomastikën gjermane, i cili në këtë zonë toponimike na del i parashtesuar: D-mincë. Por, forma Gmicë/Gmince lidhet me huazimin gmina “bashki, komunë” (< gjer. Gemeinde ‘bashkësi, komunitet’) të polonishtes, që flet për një shkallë shumë të sofistikuar dhe diturake të sllavizmit të saj, sepse në serbisht dhe në kroatisht nuk ekziston një huazim i tillë, po përjashtuam huazimin gmanja ‘tokë e komunës, bashkisë’ < Gemeine (Skok, ERHSJ, 574).

Shënim. Mikrotoponiminë e Gmicës e kanë trajtuar seriozisht: Rexhep Doçi në punimin “Toponimia e katundit Gmicë të Gollakut” në “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë, 6, 1976 dhe Zijadin Munishi në studimin “Mbi tipet dhe mbi disa veçori të strukturës leksiko-gramatikore të mikrotoponimeve të katundit Gmicë të Gollakut” në “Onomastika e Kosovës”, IAP, Prishtinë, 1979. Po ashtu, shënime të rëndësishme mund të gjenden edhe në librin e Jusuf Osmanit “Vendbanimet e Kosovës. Dardana (Kamenica) dhe Artana (Novobërda)”, 13, Prishtinë, 2004.

Gllama

Dokumentimi historik. Për herë të parë ky emërvendi përmendet në regjistrimin e popullsisë së kadillëkut të Novobërdos në shekullin XV si emër krahine, e cila përfshinte katunin Makresh i Poshtëm, katunin Makresh i Mesëm, katunin Pusotica, katunin Guretishta, katunin Stanishor, katunin Makresh i Epërm, katunin Oskorusha dhe katunin Grosheta (Rexha, 85-86). Megjithatë, ai përmendet edhe si emër fshati i krahinës Treboshec, por në formën katuni Glami Dolna dhe katuni Gorna Glami (po ai, 104, 106). Si horonim a emër krahine haset edhe në hartën e vitit 1530, në të cilin përfshiheshin fshatrat: Gr.- Koretishte (Koretishte e Epërme), Istanishor, Makresh-i Bala (Makresh i Epërm), Makresh-i Zir (Makresh i Poshtëm), Dl./Gr.- Punishe (Ponesh i Poshtëm dhe i Epërm) etj. Glama, si krahinë, del të përmendet në regjistrimin e viteve 1566-74 si emër i krahinës, që përfshinte fshatrat: Bosotinc (sot Bostan), Gorna Kurtishina, Grushta, Istanishor, Makrish Bala (Makresh i Epërm), Makrish Zir (Makresh i Poshtëm), Oskrovisha, Posnan dhe Turgjinofc, i braktisur (Pulaha, 695). Sipas historianit Skënder Rizaj, Gllama kishte në përbërje të saj 10 fshatra (Kosova, 50), i cili, midis të tjerash, thotë se ndoshta emri i kësaj krahine është Golemi i sotëm në afërsi të Gilanit (po aty, f. 70). Është të vihet re zëvendësimi i prapashtesës –esh me –ish (Makresh > Makrish) nga paraqitja e tyre në hartë më 1530 te regjistrimi i viteve 1566-74, si dhe zëvendësimi u > o (Punishe > Ponesh). Mund të thuhet se emri i kësaj krahine bie në kazanë a kadillëkun e Novobërdos. Emri i kësaj krahine ruhet sot vetëm në xeheroren e gurit Gllama, e cila mendohet se kishte edhe argjend, si dhe në hidronimin reka e Gllamës.

Etimologjia. Emri i kësaj krahine nuk mund të ndahet nga emri i fshatit Gllamnik të Llapit, sepse tema e që të dy toponimeve është Gllam-. Duke marrë parasysh faktin se Gllam-n-iku (i Epërm dhe i Poshtëm) shtrihet në mes Llapit dhe Përronit, që e kufizon me Konushevcin, si dhe faktin se në përbërje të kësaj krahine janë fshatrat me burime të shumta ujore, mendojmë se te ky horonim ruhet shumësi i parashtesuar g-llap-na me evoluimin e rregullt të togut bashkëtingëllor  –pn- > -m- (khs. Karma < Karp-na). Te ojkonimi Gllamnik, -n është një rishfaqje e shumësit, sepse ky fshat i madh ndahej në dy fshatra. Mendimi i Skënder Gashit se emërvendi Gllamnik lidhet me togfjalëshin argentum de glame “argjend gllame” (cituar sipas J. Osmani, VK, 17, 247) nuk më duket i qëndrueshëm, sepse ai, në të vërtetë, vetëm tregon origjinën e nxjerrjes së argjendit, Gllamën, por jo Gllamnik, ku nuk dimë se ka pasur ndonjëherë ndonjë xeherore, kurse, veç si gurore, Gllama njihej edhe si xeherore e argjendit. Të shtojmë se Gllama, si hidronim ndeshet edhe në Norvegji dhe mundësia e ndonjë ndikimi got nuk mund të hidhet plotësisht.

Gllogovica

Dokumentimi historik. Gllogovica përmendet historikisht mjaft herët, që më 1411, në një dokument të despotit Stefan (Monumetna serbica, 570, cit. sipas Urosheviq, NKR 80 dhe TK 32). Përmendet edhe në defterin e Kadillëkut të Novobërdës më 1498. Në hartën e vitit 1530 del me formën Glogoviça si fshat i krahinës Kremenat.

Topografia. Fshat i tipit të derdhur kodrinoro-malor. Shtrihet në shpatijet e Lapsidesë dhe në verilindje të rrëzës së malit Osoj. Në të ka gjetje të ndryshme arkeologjike: qypa të mëdhenj, tulla, dy gurë të mëdhenj të gdhendur, monedha të kohës romake etj.

Mikrotoponimet: Ara Gurëve, Ara Kurtit, Ara Mullinit, Ara Sallahut, Ara Shtogut, Ara Vorreve, Bregu, Dardha Ga:t, Dardhishta Jakupit, Fusha, Fusha Madhe, Fusha Vogël, Gurra, Gurra Shillove, Gjyteti, Harmoqi (mal), Kodra Gjytetit, Kallugjerica, Kisha, Kron’i Ahit, Kron’i Hed’s, Kron’i Keq, Kron’i Smajlit, Kuleqt, Lkejt, Livadh’i Firit, Livadh’i Madh, Lugashta Hysenit, Lug’i Lerthave, Lug’i Brincakut, Lugjet, Ogragja, Orrnicat ‘livadhe me bari të egër’, Osoj ‘mal i ahut, ahishtë’, Rrazhga ‘vend nga janë zvarritur drurët’, Shkozina, Ulica, Vorret e Grave, Vorret e Isakut, Ykdyli, Zabel’i Isakut, Zabel’i Lufit etj. Burimi: Hasan Bekteshi i Gllogovicës, 5 maj 2008.

Etimologjia. Sipas Urosheviqit, ky fshat e mori emrin nga pylli i murrizave, mendim ky që u përkrah nga Komisioni për emërtime, sepse u kalkua në Murrizaj, sikundër dhe nga Arif Demolli në romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie”. Duke u nisur nga faktet se kemi të bëjmë me një vendbanim të hershëm antik, nga mikrotoponimi Ulica, gjetja e monedhave të kohës romake, ne kemi shprehur dyshimin se ky ojkonim është më e drejtë të shihet si një formë e shtrembëruar e toponimit Glogovia (khs. format latine Glogovia Maior, sot Grossglogau, dhe Glogovia Superior, sot Oberglogau). Megjithatë, etimologjia e këtij vendbanimi, si dhe e një vargu të tërë vendbanimesh me këtë temë, ngel mjaft e errët.

Me këtë hov po u qasemi edhe horonimeve a emrave të maleve të këtij vendbanimi. Horonimi i parë, Harmoç duket sheshit se përmban në vete apelativin grek oros ‘mal’, kurse gjymtyra e dytë tash për tash ngel mjaft e errët. Horonimi i dytë, Lapside po ashtu mund të thuhet se përmban apelativin latin lapis, -idis ‘gur’, kurse gjymtyra e dytë po ashtu ngel e errët. Horonimi i tretë Os-oj (për prapashtesën –oj, khs. murr-oj, bal-oj, lar-oj), sipas gjasash, është një me toponimin e dëgjuar ilir Os-inium, sot qyteti Sinj, falë aferezës proverbiale të parashqipes (për prapashtesën –inium, khs. Ulc-inium, Birzim-inio, Delm-inio etj.).

Ritrajtimet gjuhësore bazuar në etimologjinë popullore

Në studimin e emërvendeve të ndryshme studiuesit mund të keqdrejtohen nga riformësimet a ritrjatimet gjuhësore të këtyre emërvendeve a toponimeve, bazuar në etimologjinë popullore, varësisht nga popullsia. Kështu, ojkonimi Hajvali u ritrajtua gjuhësisht si Ajvali, duke u bazuar në apelativin turk ajva ‘ftua’ dhe prapashtesën turke –li (khs. yerli ‘banor vendës’, dikur Prishtinali, Prizrenali etj.). Po kjo mund të thuhet edhe për ojkonimin Gradeniko, përftuar nga patronimi omonim, ritrajtuar gjuhësisht në Ogragjenik, bazuar në etimologjinë popullore të apelativit sllav ogradjen ‘i rrethuar, i gardhuar’, ose ojkonimi Gurgulloc, bazuar në apelativn shqip gurgull, që në të vërtetë është Gogulloc. Një ritrajtim a riformësim shumë më të ndjeshëm gjuhësor ka përjetuar ojkonimi Gjyrishec/Gjurashec, i cili del i dokumentuar si Gurashec etj. Mund të thuhet se ky ojkonim u riformësua, falë përngjasimit të tij me shenjtin Shën Jeronim, i cili njihet në popull si Shën Gjeri, kurse në sllavisht kemi përgjegjësen e tij Gjuro. Një shformim edhe më të ndjeshëm pati ojkonimi Grabo(v)nica, i cili u shformua a u ritrajtuar si Gërbavac etj.

Gregjeniku/Gradenik

Dokumentimi historik. Dokumentohet në formën Ogragjenik qysh në regjistrimin e parë të vitit 1455 (Pulaha, 679) si fshat i Vilajtetit Topolnica. Në hartën e vitit 1530 ai del me formën Okraknik si fshat i Nahijes Kremenat. Megjithatë, duket se po në Topolnica në regjistrimin e viteve 1555-64 haset në formën Kragjia. Në Kosova Vilajeti Salnamesi të viti 1896 e ndeshim në formën Grakanik, që mund të lexohet edhe si Gragjanik.

Mikrotoponimet. Ara Shkaut, Ara Smajlit (të shkreta), Arat e Fezës, Arat e Musës, Arat tu Roga, Arat e Shytit, Arat e Zabelit, Baret, Brincaku, Glladençe (kodër), Buçe, Çeshmja Ramadanit, Gur’i Qireqit, Gur’i Smajlit, Gurra Gregjenikut, Han’i Sherifit, Kah Shkalla (burim uji), Kallugjericë, Kisha, Kodra Ahishtës, Kron’i Alisë, Kron’i Lypovicëve, Kron’i Ozmanit, Livadh’i Hajdinit, Livadh’i Maksimit, Marshalla, Mrizat e Alisë, Mullin’i Gregjenikut, Mullijt e Vrell’s (shtatë mullinj), Petrovit, Polja, Prron’i Madh, Prron’i Nezirit, Prrojt Nusiqe, Quburja Latifit (burim i madh uji), Rogat e Sylës, Rrafshina, Samakova, Selishta, Udha Ahishtës, Ura Ramadanit, Vrella Shabanit, Vrella. Burimi: Faik Mujku.

Etimologjia: Sipas të gjitha gjasave, duket se emri i këtij fshati vjen nga mbiemri i përhapur aristokrat Gradenigo/Gradeniko me një metafoni të pritur të a-së së ndjekur nga /e/ dhe me një ritrajtim të bazuar në etimologjinë popullore nga popullsia sllave (khs. nj. frat, por sh. freten/fretër, duke u marrë forma me –en si një mbaresë shumësi (shih: Oliver Jens Schmitt “Arbëria Venedike 1392-1479”, K&B, Tiranë, 2007, f. 373-374.). Është ky ritrajtim a riformësim gjuhësor nga etimologjia popullore, që Komisionin për emërime e kanë shtyrë ta riemërojë atë si Gardhesh, duke u nisur nga mbiemri ogradjen ‘i rrethuar, i gardhuar’ (Osmani, VK, 13, 100-1001). Është të theksohet se ky vendbanim njihej në gjysmën e parë të shek. XV si Kallugjerice (Chalugerize, Diniq, 44, 77) dhe duket se bënte një jetë të organizuar kishtare. Po vëmë në pah se patronimi Gradenigo/Gradeniko ishte nga më të përhapurit në këtë periudhë dhe ka një shtrirje të gjerë edhe sot, madje edhe në Amerikë.

Goguloci/Gagolovce

Dokumentimi historik. Së pari shfaqet në regjistrimin e vitit 1455 me formën Gogolofc (Pulaha, 677). Sipas defterit të kadillëkut të Novobërdës të fundshekullit XV, ai shfaqet me formën katuni Gaguloc/Gagolofc(?) (Rexha, 130) si fshat i Nahijes Bana/Banja. Del edhe në hartën e vitit 1530 si Gagolofça, fshat i kadillëkut të Novobërdos. Në regjistrimin e viteve 1566-74 ai del me trajtën Gagolofc në Nahijen Banja/Bana. Meqenëse diminutivi gogica ka kuptimin gobav “i gungët”, mendojmë se emri i ri i fshatit Gubavac është një calque linguistique i këtij etnonimi.

Mikrotopnimet: Më të rëndësishmet emërtime topografike janë: Çukaricë, Dejë, Orashje dhe Selishtë, kurse oronimet: Parozhak dhe Vllanishtë (Urosheviq, NKR, 102-103).

Etimologjia. Sipas të gjitha gjasave, ky emërvend duket se lidhet me toponimet e motivuara nga një etnonim, sepse tema e tij Gog-/Gag- me konglutinatin prapashtesor –uloc, si dhe patronimin e dëgjuar Gagica, duket se lidhet me apelativin gog të shqipes, me të cilin emërtoheshin arumunët a rumunët e Maqedonisë nga shqiptarët (shih edhe Skok, ERHSJ, 585). Është e habitshme, por një mendim pothuajse të ngjashëm shpreh edhe Urosheviq, i cili thotë se emri i vendit është marrë sipas mbiemrit më të hershëm, sipas gjase, të fisit vllah (TK 32).

Edhe ky ojkonim përjetoi një riformësim të bazuar në etimologjinë popullore shqiptare, duke marrë formën Gurgulloc.

Gërbavac/Grabovnica

Dokumentimi historik. Emri i këtij fshati shfaqet në librin e detorësve të Lukareviqit më 1436 (Diniq, “Iz Dubrovackog arhiva, 53) në formën Grabouniza, kurse në regjistrimin e vitit 1455 si Grabovac / Grabofc (Pulaha, 664) në Vilajetin e Moravës, pjesa e haseve. Në Vilajetin e Moravës ai del pastaj me format Grbovci dhe Grabofc (Pulaha, 673). Në regjistrimin e viteve 1566-74 ai shfaqet si fshat i Nahijes Ostrelic me emrin Gubofc.

Etimologjia. Duket se ky toponim ka karakter teoforik, sepse rrënja e tij është e lidhur me emrin e hyjnisë ilire Grabos, të cilin do ta ndeshim në një varg toponimesh dhe formash, si Grab-ona/Grab-ana, Grab-anica,  Grab-ena/Grebena etj. Sipas Skokut, Ribezzo, duke folur për hyjninë umbiriane me emrin Jupiter Grabovius, sugjeroi edhe Grabaei proprique dciti Illyru (Plin. III 144) dhe emrin e mbretit ilir Grabos, duke theksuar se kemi këtu, si te mogila një përgjasim iliro-parasllav (Skok, ERHSJ, I, 599).

Gjyrisheci/Gurashi

Dokumentimi historik. Përmendet për herë të parë më 1437 në librin e detorësve të Mikel Llukareviqt në formën Guraseuzi, kurse një vit më vonë, pos me këtë formë shfaqet edhe me format Gurauseuzi dhe Gurauxeuzi. Në hartën e vitit 1530 del në formën Gurashofça, kurse në regjistrimin e viteve 1566-74 përmendet si Gjurashofc (Pulaha, 697). Në që të dy këto dokumentime ai del si fshat I Nahijes Leskofça.

Topografia. Fshat i derdhur kodrinoro-malor, i cili, siç mund të shihet edhe mikrotoponimet, si: Gjyteti, Breg’i Gjytetit, Arat e Gjytetit, Kisha , ishte mjaft i vjetër dhe kishte një jetë të organizuar kishtare dhe xehetare (Samakovë).

Mikrotoponimet. Arat e Gjytetit, Bashçja Kolit, Breg’i Gjytetit, Kisha, Dardhat e Zeza (egra), Dyqan’i Selimoviqe, Firajat, Gërpushka, Grellë ‘vend i gërryer nga uji’ (tu Firajat), Han’i Alisë, Jezer (livadh), Jezer’i Epër, Kodra Madhe, Kron’i Asqerve, Kron’i Bletës, Kron’i Bishtakut, Kron’i Dardhës, Kron’i Ftoht, Kron’i Jezerit, Kron’i Mlladenit, Kron’i/Vorret e Radecëve, Ligata Smajlit, Ligata, Lis’i Sokolit, Lis’i Tupanit, Lis’i Vetëm, Livadh’i Therr’s, Livadhet e Muzlioviqe (Otava Hesetit), Llugat e Namanoviqe, Llugat e Ramoviqe, Lug’i Borocëve, Lug’i Kosumit, Lug’i Madh, Lug’i Mehmetit, Molla Kuqe, Mal’i Madh, Mullin’i Rafunëve, Mullin’i Tahirit, Mullin’i Bajramoviqe, Orrnicat, Prron’i Madh, Prron’i Sykës, Qarr’i Muzlisë, Qarrishta, Reka e Gjurishecit, Roga Zhuj’s, Rrafsh’i Bislmit, Rrafsh’i Veselit, Rrafshina Namanaoviqe, Samakova (trellë), Seçi (mal), Shpat’i Musës, Tu Gjyteti, Tu Roga Thiut, Tu Therra Madhe, Udha Frengut (kerrit). Burimi: Vehbi Jusufi.

Etimologjia. Format më të hershme të dëshmimit të këtij vendbanimi na shtyjnë që atë ta përftojmë nga apelativi i shqipes ‘gur’, i cili në formën Gurash është i shpeshtë në antroponiminë dhe patroniminë shqiptare dhe i takon modelit të emrave Gure (Gurash), Lule (Lulash), Mire (Mirash), Marë (Marash), Mrikë (Mërkash < Mrikash, krahas Mërkojë), Age (Agash), Prete (Pretash), duke shënuar zakonisht të birin bonjak me emrin e së vesë, i ati i të cilit kishte rënë në luftë ose kishte vdekur para lindjes së foshnjës (shih edhe Jusuf Shpuza, “Vëzhgim për emrat familjarë të shqiptarëve”, “Idromeno”, Shkodër, 1998).

Kalatica

Dokumentimi historik. Kalatica dëshmohet për herë të parë në librin e detorësve të Mikel Llukareviqit në formën Kaletinzi qysh më 1434 (Dinic, 44). Në regjistrimin e vitit 1455 ai dëshmohet si Kaljetic (pjesë), por edhe si Kaltenica (Pulaha, 688). Në hartën e vitit 1530 e gjejmë të dëshmuar si Kaletinçe.

Mikrotoponimet. Arat e Ajetit, Arat e Konakut, Fusha Kalaticit, Kodra Tuçit, Kodra, Lluga, Malet e Kishës, Miara, Mullini, Orrnica, Prron’i Ajshes, Prron’i Muzlisë, Prron’i Sekullare, Prron’i Zeqirit, Ranishta, Reka, Sekullare, Smonica, Supinat, Kisha etj. Burimi: Shukrije Hajzeri.

Etimologjia. Edhe më parë kemi shfaqur mendimin se ky ojkonim është formuar nga apelativi latino-roman callis ‘rrugë’ me evoluimin e rregullt –ll- > -l- në pozitë ndërzanore. Këtë apelativ dyshojmë se e hasim edhe tek emërvendi Kalicë (Galicë), kurse nga studiuesi ynë E. Lafe ai është supozuar se atë e gjejmë edhe në toponimin Valkal, Valbona, kurse ne kemi shprehur dyshimin se ai është i pranishëm edhe te patronimi Kaleziq (khs. Iveziq, Nikeziq, krahas Ivezaj, Nikezaj).

Po vëmë në pah se Kaletinci, njësoj si Dminci (sot Gmica) është një dëshmi e kalimit të grupit –nc- > -n-.

Kamenica

Dokumentimi historik. Kamenica dëshmohet historikisht që më 1433 në librin e detorësve të Llukareviqit si Chameniza (Diniq, 43). Dy format e tij të hershme si Cha dhe Cham mund t’i marrim për të saka, kurse më 1438 dëshmohet si Chameniza di Turchi (72) dhe Chameniza in Toponiza (73, 76 dhe 84). Më regjistrimin e vitit 1455 ai del me formën Kamenica si fshat i Vilajetit Topolnica (Pulaha, 678). Por, regjistrimin e viteve 1566-74 ai përmendet si Komanica, i braktisur si fshat i Nahijes Topolnica (Pulaha, 700). Po në këtë regjistrim hasim edhe një fshat me emrin Kamenica, i braktisur, por të Nahijes Sirça (696).`Me sa duket, si te libri i detorësve i Llukareviqit, po ashtu edhe te regjistrimet e viteve 1455 dhe 1566-74, kemi të bëjmë me dy toponime të ndryshme, që u takonin dy krahinave të ndryshme. Me një fjalë, nga këto toponime, vetëm ai i Nahijes Sirça është i sak, sepse ai i Nahijes Toponiza/Topolnica nuk ka të bëjë me të, sepse kjo krahinë atëherë ndodhej larg vendbanimit të parë. Pra, Kamenica ‘jonë’ është ajo që te libri i detorësve del si Chameniza di Turchi ‘Kamenica e turqve’.

Topografia. Ky fshat, sot qytezë, shtrihet në luginën e lumit Kriva Reka dhe në shpatijet e afërta.

Mikrotoponimet. Ura Moçme, Ura Drunit, Fusha Poshtme, Fusha Epërme, Kodra Moqarit, Ura Rubocit, Llokma, Bezistani, Vrtaça, Ravnishta, Kulina ose Gradishta, Orllovishtë, Breg’i Ba:rdh. Te Kulina janë gjetur stela të shek. II. Në njërën prej tyre thuhet se nënës Pirusteta i ka vdekur e bija Mekasta (J. Osmani, VK, 13, 85).

Etimologjia. Duke marrë parasysh se ky vendbanim, siç e dëshmojnë edhe mikrotoponimet, shtrihej në luginë dhe në fusha, kujtojmë se forma e tij parësore, siç dëshmohet edhe në formën Cham të librit të Llukareviqit do të mund të lidhet me apelativin kelt (britonik) cam ‘(lumë) i lakuar, i përkulur’, që do të mund të shpjegonte edhe emrin e lumit Kriva Reka si një kalk sllav, që shfaqet si hidronim vetëm në gjysmën e dytë të shek. XVI, kurse forma Kamenica, falë ritrajtimit a riformësimit gjuhësor, bazuar në etimologjinë popullore sllave, është një formë dytësore. Kjo i shkon më shumë, sepse Kamenica e sotme shtrihet në të dy anët e lumit Kriva Reka (http://en.wikipedia.org/wiki/List_of_river_name_etymologies). Me një fjalë, edhe ky toponim, si dhe shumë të tjerë, del i motivuar nga një hidronim.

Se ç’përdorim e denduri kishte apelativi kelt ‘camm’ në toponimi, po përmendim vetëm disa nga emërvendet a toponimet e Anglisë: Cambois/Cammes merret si derivat a rrjedhojë e rrënjës kelte *camm ‘i përkulur, i lakuar’, Camborne ‘kodër e përkulur’, Cambridge ‘urë mbi lumin Kam’, Camelford ‘va mbi lumin Kam’ (OEPN, 68-69) etj.

Sipas Urosheviqit (NKR, 89): “Në bregun Kulina ose Gradishte janë ende muret e një qyteti në gjendje të shkatërruar. Flitet se këtë qytet e kanë muruar serbët dhe se gurin e sillnin nga Bregu i Domorocit ‘nga dora në dorë’”. Por, siç mund të vihet re nga emrat e gjetur në stela, banorë të hershëm të këtij vendbanimi ishin pirustët, xehetarë të njohur ilirë.

Një çështje më vete është etimologjia e toponimeve Kamëz në Shqipëri, Kamnik në Gjilan.

Karaçeva

Dokumentimi historik. Përmendet së pari në librin e detorësve të Llukareviqit si Charazeou in Toponiza që më 1432 (Diniq, 37, 40, 43, 46, 49, 72, 73, 76, 78, 82, 90) me formën e rrëgjuar Chara. Është të theksohet se në këto përmendje dalin shpesh antroponimet: Gurash, Prodan etj. Emri i këtij vendbanimi shfaqet edhe në regjistrimin e parë të vitit 1455 si Karaçeva/Kraçeva (Pulaha, 678) si fshat i Vilajetit Topolnica.

Topografia. Fshat i tipit të ngjeshur, ndarë në lagje, që ndahet në Karaçevën e Epërme dhe të Poshtme. Që të dy këto vendbanime janë të vendosur në lumin e Karaçevës, kurse nëpër Karaçevën e Epërme rrjedh Prroni.

Mikrotoponimet: Ara Eminit, Arat e Gegiçve, Arat e Grave, Arat e Malokut, Balli Pusave (mal), Bria e Rogës, Bregi Rekes (mal), Cungeli, Çamurrati, Çeshmja Sarajit, Çuka, Drrasat e Zymerit, Fusha Epërme, Fusha Garramelit, Fusha Ga:t, Fusha Lipetrave, Fusha Pinikut, Fusha Rrumullake, Fusha Metës, Gojfilet, Gropishta, Grosha, Gur’i Bardhë, Gurt e Groshes, Hordhinat, Kallarhanet, Karrabati (mal), Katuni, Kodra Madhe, Kodra Vogël, Kroni Eminit, Kroni Ftoft, Kroni Hasanit, Kroni Hordhinave, Kroni Hoxhes, Kroni Lugit t’Arrës, Kroni Melles, Kroni Mulla Alijes, Kroni Rrahit, Lkenet, Ligatat (ara), Lisi n’Kodër, Mahalla Gegiçve, Mahalla Hajdukave, Mahalla Veioviçe, Milca, Muhaxher Mahalla, Prrocka Keqe, Prroni Arres, Prroni Çamarratit, Prroni Hordhinave, Prroni Karrabatit, Prroni Katunes, Prroni Madh, Prroni Mlojsave, Prroni Rrahit, Prroni Vogel, Sonet e Thive, Sarajet, Stanica, Shpati Katunes, Shpati Madh, Shavari, Te Anomat (mal), Te Balli Lisavet (mal), Te Dreni Ukës (mal),Te Ara Halimit (mal), Te Ara Latifit (ara), Te Ara Sadikut (ara), Te Guri Ba:rdh (mal), Te Guri Madh (mal), Te Kodra Hashanit (mal), Te Kroni Haxhes (mal), Te Korrizi Kovaçit (mal), Te Livadhet (mal), Te Lugi Arrës (mal), Te Pllanica (mal) Te Udha Banit (mal), Te Ugari (mal), Te Vetlla (mal), Te Vorret e Shkieve (mal), Trojet (ara), Tushajt (lagje), Udha Katunes, Udha Jakupit, Udha Shtekit t’Linit t’Hoxhës, Vetullat, Voset, Xhyzdant (lagje), Zidinat (ara), (Halimi, KD, 262 e tutje, Osmani, VK, 13, 120-123).

Etimologjia. Duket sheshit se etimologjia e këtij fshati mund të shpjegohet lehtë në saje të apelativit turk carash ‘(lumë) i zi/i errët’ dhe ky ojkonim të jetë i motivuar, sikur Kamenica më lart, nga një hidronim (http://en.wikipedia.org/wiki/List_of_river_name_etymologies). Përpjekjet për ta shpjeguar këtë si kompozitë kara + çevre ‘mjedis i zi’ më duket se çon më shumë nga etimologjia popullore. Gjasat janë që i njëjti hidronim ka motivuar edhe emrin e fshatit Karaçicë të Drenicës. Edhe mendimi i Rexhep Doçit që sheh në këtë emër, si dhe në atë të Karaçicës së Drenicës kemi një paraformë *kar- të fjalës shqipe ‘qarr’ nuk më duket bindës (Onomastika e Drenicës, I, IAP, 2005, f. 300). Megjithatë, nuk mund të hidhet poshtë edhe mundësia e apelativit turk karaca ‘drenushë’ me një desonorizim –xh- > -ç-, sado që në rastin e Karaçevës vihet re se element përcaktues është lumi.

Evoluimi u > o në osmanisht

Për ata që sado pak e njohin osmanishten, është e qartë se në këtë gjuhë zakonisht /u/-ja kalon në /o/: pers. ruspi > turq. rospi, pers. zur > turq. zor, pers. dust > turq. dost, pers. khuruz > turq. horoz, pers. (k)hush >  turq. hosh etj., prandaj, si format e para, si të dyta, shikuar në këtë dritë, janë të barasvlershme. Madje, pikërisht shkrimi i emërvendeve jo me /u/, por me /o/ në trup të tyre, ka bërë që shumë emërvende ta humbin kuptimin e tyre dhe të kenë një tingëllim të çuditshëm, të huaj. Por, me t’i kthyer format e tyre parësore, këto emërvende fitojnë kuptimet e tyre të vërteta. Këtu nuk e kemi fjalën vetëm për Keçekollën, gjymtyra e dytë e së cilës është pa dyshim –kullë, kurse forma me –kollë, siç mund të shihet edhe nga emërvendet e mësipërme, është dytësore. Madje, në “Kosova Vilajeti Salnamesi (1896)” forma e këtij katundi del Keçe Kolla (f. 184). Sipas një paradigme të njëjtë është ndërtuar edhe emërvendi Katërkollë (Vladimir) < katër + kulla (cf. emërvendin Jedi Kule ‘Shtatë Kulla’ ose edhe atë më të lashtë Tetrapyrgos ‘Katër pirgje’ te Prokopi i Cezaresë), Sharbani bashkë me Linekollë (KVS, f. 184), Virnovakola (KVS, f. 205). Po kjo mund të thuhet edhe për emërvendet: Kuliq (sot Koliq), Kulevicë (sot Kolovicë), të cilat, siç mund të shihet edhe nga emërvendi Kulinë, lidhen që të gjitha me apelativin e shqipes –kul, dëshmuar në përkul, ngul, shkul dhe që, po morëm parasysh toponimet Orllat, Orllan, Orlloviq, mund të përfundojmë se kemi të bëjmë me emërvende përshkruese, pozita e të cilave është zakonisht në kthesë rrugësh.

Të shtojmë se fjala <keçe> në turqisht ka këto kuptime: shajak, plis i bardhë, kurse <keçi> ‘dhi’. Megjithatë, nëse formë parësore do të ketë qenë <kaçi>, atëherë është e arsyeshme që kjo, për shkak të /i/-së fundore t’i shtrohet metafonisë dhe forma <keçi> të jetë një rrjedhim i natyrshëm i saj. Megjithatë, për mungesë të ndonjë dokumentimi më të hershëm, është e vështirë të thuhet diçka me saktësi.

Problem jo i vogël gjuhësor është zhvillimi i fjalës kullë nga turq. kule, sepse /l/ ndërzanore është zhvilluar vërtet në shqip në /ll/ (l > ll /V _ V), por kryesisht te fjalët e fondit të trashëguar latin. Kjo na bën të mendojmë në mos kjo fjalë depërtoi në gjuhën shqipe nga një periudhë mjaft e errët, pandaj dhe forma e saj kullë/kollë nuk u hetua si fjalë e burimit arab, via osmanishtes nga regjistruesit e ndryshëm. Një trajtim tjetër patën fjalët si kale/kala, kalem, fitili, ku /l/-ja ndërzanore nuk u velarizua në /ll/, me gjithë kushtet e njëjta fonologjike.

Një problem tjetër është denduria e përdorimit të këtij apelativi në zonën e Anamoravës dhe të Gallapit, që na shtynë të mendojmë se kështjellat e rindërtuara nga Justiniani, siç mësojmë nga vepra De Aedificiis, duket se janë përqëndruar kryesisht në këtë zonë, që ka dhe një kuptim logjik, sepse dyndjet e fiseve barbare, që kishin si synimin plaçkitjen e Selanikut dhe të Stambollit, janë bërë nëpër luginën e Moravës. Këtë e pohojnë edhe historiani Aleks Buda, i cili, duke iu referuar H. Bariçit, pohon me të drejtë se “marrëdhëniet intime instensive sllave-shqiptare me siguri nuk kanë ndodhur në shekujt e parë të ngulitjes së sllavëve, por kryesisht në shekujt XIII-XIV, për rrethana politike-shoqërore të njohura”, njësoj sikur dhe historiani Noel Malcolm.

Keçekolla, një emërvend që më ka habitur me formën e tij, të cilën e kam pasur të vështirë ta përthekoj lehtë, megjithëse vihet re lehtë se kemi të bëjmë me një kompozitë, gjymtyra e dytë e së cilës është –kolla, element ky i rëndësishëm dhe i shpeshtë në krijimin e emërvendeve nga më të ndryshmet. Po përmendim këtu vetëm disa, nxjerrë nga “Defteri i fundshekullit XV”, me autor Iljaz Rexhën: Gjurgjeva Kolla (f. 76), Iproka Kolla (f. 78), Nikshina Kolla (f. 98), Miloça Kolla (f. 99), Rajkova Kolla (f. 100), Martiniça Kolla (f. 102), Litoça Kolla (105), Gus(h)ina Kolla (f. 114), Crkvena Kolla (f. 128), Litofc Kolla (f. 158). Këtu nuk po i përfshijmë emërvendet, që autori i ka transliteruar si: Kola Martinova, Kolo Stanimir, Kolo Janova, Kolo Avranos (f. 155), që kanë një rend të kundërt me ato të tipit të parë, si dhe shënohen me likuiden a lëngëtoren alveolare /l/ dhe jo me velaren /ll/.

Te Pulaha, në pjesën për vendbanimet që nuk dalin në regjistrimin e vitit 1455, por që përmenden në regjistrimin e viteve 1566-74, pjesa më e mirë e këtyre emërvendeve dalin në këtë formë: Gusina Kulla (Rexha – Gus(h)ina Kolla), Milovça Kulla, Nikshina Kulla (të gjitha në f. 695; Rexha Nikshina Kolla), Crkovina Kulla (Rexha, Crkvena Kolla), e braktisur (f. 697), Gjinofc Kulla, Trenova ose Ilia Kulla, Gjurgjeva Kulla (Rexha – Gjurgjeva Kolla), e braktisur (të gjitha në f. 698), Bonshev Kulla (f. 700), Mali Kulla (f. 703), Umurova Kulla (f. 711), Evrenos Kulla (te Rexha - Kolo Avranos), Litovça Kulla (Rexha – Litofç Kolla), Ravna Kulla dhe Stanimirov Kulla (të gjitha në f. 712; Rexha – Kolo Stanimir).

Duke marrë parasysh këtë regjistrim, mund të themi se trajtat që nuk i prfshimë në kompozitat me –kolla ose në tofjalëshat që kanë si gjymtyrë të parë ose të dytë një –kolo, mund të themi se kanë trajtën burimore: Evrenos Kulla, Stanimirova Kulla. Pra, edhe Janova Kulla, Martinova Kulla.

Sipas Atanasije Urosheviqit, Keçekolla njihet me emrin “Kaçikoll dhe është fshat në Llap. Krahas muaxherëve shqiptarë nga Toplica në fshat ka edhe fise të vjetra shqiptare, të ardhur nga fundi i shek. XVIII nga rrethi i fisit Krasniqe. Nuk dihet në e kanë gjetur shqiptarët para ardhjes së tyre këtë fshat. Në hapësirën e fshatit ka toponime srbe: Stogova, Duboka, Megjoglava (meçja glava). Emri i fshatit është turk, i sajuar nga kaçik (i rrëpitë) dhe kol (anë, vis), prandaj domethënia e fjalës do të ishte vis i rrëpitë” (Toponimi Kosova, f. 60).

Të shtojmë se edhe Kulla e Baçkës në Vojvodinë del edhe me formën Kolla.

Kishnica

Dokumentimi historik. Sipas Emil Çershkovit, ndërtimi dhe shuarja e Ulpianës, krahas emërvendeve Damastion, Scupi, Astibos, Vendenis dhe Naiss, njëri nga qytetet më të rëndësishme të periudhës antike, lidhet ngushtë me ekzistencën e Kishnicës dhe të Janjevës, sepse ajo u ngrit falë shfrytëzimit të xeheve të këtyre xeheroreve. Sipas S. Rizajt, këto miniera duhet të kenë ekzistuar që nga periudha e sundimit të perandorit Trajan, i cili kishte shpërngulur një grup pirustësh në Daki si mjeshtër të shpëlarjes së arit dhe të argjendit.

Etimologjia. Vargut të toponimeve gote i bashkohet pa dyshim edhe Kishnica. Ky toponim është formuar nga apelativi jo sakson, por duket got Kies ‘zhur, zhavorr’, mbaresa e shumësit –n e shqipes dhe prapashtesa zvogëluese –ica. Formën pa këtë prapashtesë e hasim tek emri i fshatit Kishna Rekë. Është toponim got, sepse evoluimi –s- > -sh- dihet se nuk i preku sllavizmat në gjuhën shqipe (khs. seno > sanë), prandaj dhe vetiu as huazimet saksone. Kjo duket se e bën bindës shpjegimin e Çershkovit se Ulpiana u krijua dhe u shua me krijimin dhe shuarjen e Kishnicës.

Koliqi

Dokumentimi historik. Në regjistrimin e vitit 1455 del me formën Kolce (Pulaha, 681) si fshat i Nahijes Prishtina, kurse sipas Urosheviqit (TK, 66), Kolqe. Sipas regjistrimit të shekullit XV të Kazasë së Novobërdos, ai shfaqet me formën Katuni Kalusino i Nahijes Treboshnic (I. Rexha, 103). Në regjistrimin e viteve 1566-74 del me formën Kolosna si fshat i Nahijes Troboshtiçe/Treboshnica (Pulaha, 698).

Topografia. Fshat i tipit të derdhur kodrinoro-malor, i ndarë në lagje.

Mikrotoponimet. Ashta ‘mal i ahut’, Çuka Avdullve, Çuka, Kodra Likenit, Drumi, Duboku, Fusha Madhe, Gur’i Keq, Kisha, Livadh’i Kish’s, Kisha e Çokut, Breg’i Kish’s, Kaleja Kallçakut, Kodra Vogël, Kodra Vorreve, Kron’i Dardhishtes, Kron’i Pâj’s, Kumullari, Lakinat, Lug’i Gashit, Lug’i Vorreve, Orrnicat, Podmahalla, Prron’i Çokut, Prron’i Gomurit, Reka Glasit, Shullaja (< lat. solanum), Trojet e Gjenovizit, Vorret e Krushqve, Vorret e Rimit. Burimet: Faik Goxhufi dhe Shefqet Beka, mbledhur më 12 prill 2008.

Etimologjia. Po morëm si temë qoftë Kolce, qoftë Kolqe, mendja na thotë se rrënja e tij është kol-, prapashtesuara në –ce ose –qe. Forma e sotme Koliq është një formë në –iq (< gr.-lat. -ikos/-icus), një prapashtesë që ka kuptimin ‘karakterizohet, i përket, lidhet’ (khs. akademik, sizmik, sulfurik etj.). Si toponim deskriptiv a përshkrues ai mund të shpjegohet me apelativin e shqipes kul ‘lak’ (khs. më sipër Lakinat), që si morfemë e lidhur shfaqet te foljet ngul, shkul, përkul. Këtë apelativ e gjejmë të pranishëm, sipas bindjes sonë, edhe në emërvendet Kulina, Kolovica me evoluimin e rregullt –u- > -o- të osmanishtes. Dhe, vërtet, qoftë hyjra në të, qoftë rruga e tij është me leqe. Për më tepër, në fshatrat e Berishës, formën Kuliq e gjejmë qoftë si mikrotoponim, qoftë si patronim. Me të njëjtin emër, Koliq, shfaqet edhe si fshat i Junikut.

Kranidell

Dokumentimit historik. Përmendet për herë të parë te libri i detorësve të Llukareviqit më 1437 si de Chladni (f. 48). Më 1438 del si: Priexda Raianouvich de Chladni Dol in Chatun ( 79). Po këtë vit shfaqet edhe në format Chladnj Dol (82), si dhe Chladni Dol (84), Chladni Dol (87) dhe Chladnj Dol (88). Në regjistrimin e vitit 1455 del si Kranidol, i braktisur dhe a) Krajindol (Pulaha, 678), fshat i Vilajtetit Topolnica. (Rrëfehet për rrëmbimin e një vajze të Lekajve të Kranidellit gjatë kohës së Serbisë së Dytë, që e shtrëngojnë të martohet me të birin e Vojvodë Kojicës. Por, një çetë e Gjilanit e rrethon Vojvodë Kojicën dhe e vranë bashkë me të birin. Atëherë, e bija e Lekajve, mori pushkën dhe doli malve bashkë me luftëtarët e tjerë të lirisë, A. Haxhiu, f. 99.)

Topografia. Fshat kodrinor në rrjedhat e Përroit të Kranidellit më një anë dhe Përroit të Rogaçicës e lumit të Kraçevës.

Toponimet. Ahishta, Ara Banucit, Arat e Çarrit, Ara Muhaxherit, Ballovani, Barishta, Bota Kuçe, Buçilla, Dardha Stanit, Grosha, Kalaja, Habunga, Kodra Vooreve t’Rimit, Lisat Truq, Prron’i Gradishit, Rrezja Kalas’, Selishta, Surloc, Shkojza, Usoja Gradishit, Vorret e Gjolit.

Etimologjia. Sipas gjasash, ky emërvend pësoi disimilimin a shpërngjashmimin l – l > r – l (khs. bilbil dhe birbil), prandaj forma e tij, edhe e dokumentuar, Chladni Dol, dëshmon se ai iu shtrua këtij disimilimi. Megjithatë, mendja na thotë se ky ojkonim iu shtrua edhe metatezës së liukuideve a – l > l – a dhe forma e tij e kryehershme mund të çohet te forma e mbindërtuar Chald-ni Dal ‘luginë e ftohtë’ e gotishtes (< gjermanikisht *calda- ‘i ftohtë’ dhe *dalam ‘luginë’). Asimilimi –dn- > -nn- > -n- është karkateristik për protoshqipen (khs. zotnë > zonë, motnë > monë ose *(s)pudna: > punë etj.)

Kremenata

Dokumentimi historik. Nuk përmendet në librin e Llukareviqit, as në regjistrimin e vitit 1455. Në hartën e vitit 1530 përmendet si qendër e krahinës Kremenat. Në regjistrimin e viteve 1566-74 përmendet si Nahije Kremenat, në kuadër të së cilës janë fshatrat: Bogdanofc, Bokanic/Bogjanic, Boshanic, Dabzhijofc, Daganesh (me gjasë Vaganesh), Dankofc (i braktisur), Digaka, Goranic, Kalogjeric, Leshofc (sot Leshtar), Mitrovc, Markofçi, Miholenica Kyçyk (Miholenica e Vogël), Miholeniça Byzrek (Miholenica e Madhe), Nikrashor, Pavlofc, Stefanofc, Shukojofc, Ugurila/Ogorila (e braktisur), Urkofc/Orkofc dhe Turkofç (Pulaha 699).

Topografia. Fshati shtrihet në kodrat, shpatijet, si dhe pranë lumit Kremenata. Sipas wikipedia italiana, Kremenata mirëpriti në Mesjetë një koloni saksone, e cila përsosi shfrytëzimin e minierës në malin Cerovi.

Etimologjia. Duket se më së afërti rri me emrin e qytetit Cremona në lumin Po në lindje-juglidnje të Milanos, që ishte origjinarisht një koloni romake dhe që në Mesjetë fitoi statusin e një komune të pavarur, derisa nuk u pushtua nga Milano më 1334.

Kolovica

Dokumentimi historik. Për herë të parë përmendet si Kolce (Pulaha 681) si fshat i Vilajetit Prishtina. Megjithatë, në regjistrimin e viteve 1566-74 ai del me formën Kolosna (Pulaha, 698) si fshat i Nahije Treboshnica. Forma e tij e sotme, Kolovicë, duket se është e re.

Mikrotoponimet. Ara tu Kron’i Ramazanit, Arat e M’dha, Baranoci, Çuka Pjetrit, Fun Lugit t’Sllopodinës, Kodra Haxhi:s, Kron’i Balt’s, Kron’i Lugit t’Keq, Kron’i Sllopodinës, Leska, Lloburet, Lug’i Gatë, Lug’i Gjor’s, Lug’i Keq, Lug’i Muç’s, Lug’i Sllanisht’s, Lug’i Therr’s, Madenet, Mal’i Beqirit, Mriz’i Lugit t’Keq, Nermadene, Pozderka, Prishtypet, Qafa Baranocit, Qafa Qeli:s, Qelia, Roga Madhe, Rrezja Sllopodinës/Spollopodinës, Sllanishta, Tu Balta, Tu Çadrat, Tu Mulli:t Binak, Tu Shkozat, Tu Ura Ibishit etj. Burimi: Ali Sh. Berisha (Bashkia e Llukarit).

Etimologjia. Sipas Ali Sh. Berishës o.c. 309, një gojëdhanë thotë se emri shënon kryefamiljarin Kolë, i cili vdes, kurse të shoqen e tij e thërrasin Kolovicë, e shoqja e Kolës. E drejta, në Maqedoninë Perëndimore, prapashtesa –icë, por jo –ovicë shërben për të emëruar gruan, bashkëshorten e dikujt. Sikur të përfillëm këtë karakteristikë, atëherë emri i fshatit do të duhej të ishte Kolicë, por jo Kolovicë. Mendja na thotë se ky emërvend, por morëm parasysh topografinë e tij, sidomos pozitën e saj që fillon me kthesën e rrugës së Prishtinës, sikur dhe Koliqi më sipër, si dhe Kulina e Llapit, e Krilevës dhe e Kamenicës, lidhet me apelativin e shqipes kul, që shfaqet si morfemë e lidhur në për- + kul, sh- + kul, n- + kul > ngul etj.

Krileva

Dokumentimi historik. Përmendet, sikundër dhe Gllogovica, që më 1411 në një dokument të despotit Stevan (Urosheviq, NKR 78 dhe TK 71). Nuk përmendet në librin e detorësve të Llukareviqit. Po ashtu nuk përmendet as në regjistrimin e vitit 1455. Në hartën e vitit 1530 del në formën Krileva, si qendër e krahinës (Nahiye Merkezi), kurse në regjistrimin e viteve 1566-74 përmendet si Krilova, fshat i Nahijes Kriva Rjeka (Pulaha, 695).

Topografia. Katund, që shtrihet në rrjedhë të dy lumenjve, në një luginë të pëlleshme bujqësore, nja 11 km në veriperëndim të Dardanës, që kufizohet me Gllogovicën, Marecin dhe Leshtarin.

Mikrotoponimet: Ahishta, Ara Kish’s, Ara Jovanit, Ara Metihes (e vetmja pronë me emër të një gruaje), Ara Rrezes (që është në rreze), Ara Zenelit, Arat e Latifit, Arat e Lufit, Arat Nerjaz, Arat e Ruhanit, Arat e Sherkut, Arra Çylkoviqe, Bare (kodrina), Baçevishta (ara), Bahçja Petrit, Bishtok, Bok’rrinat (kodra të zhveshura), Bota, Breg’i Alisë, Breg’i Sinanit, Breg’i Lam’s, Breg’i Lisit t’Fat’s, Bungishta, Çarrishta, Çezma, Çoburet (vend në luginë të malit), Çubur (krua), Dardha Plakë, Dardhishka, Dërrnoc (nënlagje), Drumi (rrugë), Grablak (mal ahu), Gur’i Bardhë, Gur’i Birum, Gur’i Leksit, Gur’i Madh, Gur’i Nuses, Gur’i Mahall’s Epërme, Gur’i Nuses, Gur’i Sheqerit, Gjyteti, Humza, Jezeri, Kron’i Fto:ft, Kabujë, Kërtej (brinjë mali), Krojt, Kron’i Halles, Kron’i Memalisë, Kron’i Stefanit, Kulina, Kulla, Kyshpatok, Ledina Madhe, Ledina e Vogël, Lig’i Pajës, Lin’i Jasharit, Livadh’i Shkaut, Livagje, Lug’i Qulkit, Mal’i Sosun, Melishta, Mella, Mirash (mal), Mullit Binak, Mullin’i Ri, Pontica (lagje që fillon nga ura, me gjasë nga lat. pons, -tis ‘urë’), Predina (va i lumit, me gjashë nga ilirishtja pri- ‘va’, dëshmuar edhe në Prishtinë, Prizren, Prilepnicë me disimilimin i – i > e – i, khs. sll. liçiti > shq. leçis ), Prron’i Madh, Prron’i Popit, Prron’i Kish’s, Rapuha (ku u gjetën vegla pune nga neoliti dhe enë të periudhës mesjetare), Pus’i Poleve, Qylki (mal), Qylkovit (lagje), Reka e Litecit (me ujë të ftohtë dhe të pastër, derdhet në Krilevë, me gjasë nga lat. litus, -oris ‘breg lumi, zall’), Reka Madhe (rrjedh prej Bullajve në drejtim të Krilevës), Reka Vogël (rrjedh prej Prapashtice në drejtim të Krilevës), Rogat, Samakova, Smonica, Shpat’i Hasanit, Tu Kisha, Tu Pojata, Tu Puset, Tu Udhëkryqi, Tu Vakfi, Tu Vorret, Tu Vorr’i Magjupit, Uj’i Bardhë, Zabeli (copë pylli zakonisht mes arave ose në fillim të ndonjë mali). Kurretët, Gurgurocët, Borocët (quhen disa familje që kanë një prejardhje jo nga fshati ynë). Burimi: Pastor dr. Femi Cakolli.

Etimologjia. Sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me një ojkonim të motivuar nga hidronimi, sepse format e dëshmuara me shkrim k-+ ril-eva/k-+ ril-ova flasin për një formë të parashtesuar të rrënjë IE *ri-l-, formë e prapashtesuara e shkallës zero e rrënjës IE *rei- ‘me rrjedhë, rendë’, që ne mendojmë se vihet re edhe tek hidronimi D-ril-on (khs. gjermanikisht *ril- ‘përrua rrjedhës’.).

Leshtar

Dokumentimi historik. Si formë e tij e parë duhet të merret Leshtije, që përmendet më 1441 në një dokument të despotit Stefan Lazareviq, ku përmenden edhe fshatrat e afërta, Krileva, Gllogovica, Mileovci, Creshnja dhe Modra Gora (Monumenta serbica, f. 571, cit. sipas Urosheviq, NKR, f. 85). Duket se forma e tij e dokumentuar më 1455 është Lanishta (Pulaha, 674), si fshat i Vilajetit Morava. Pra, mund të flitet për një kalk mjaft të hershëm. Më 15 prill 1949 ky fshat, sipas S. Gashit, përmendet me emrin Leshi. Në hartën e vitit 1530, megjithatë, ai del në formën Leshtar, kurse në regjistrimin e viteve 1566-74 ai shfaqet si Leshofc (Pulaha, 699), fshat i Nahijes Kremenat, kurse në Nahijen Morava kemi formën Leshniça (Pulaha, 710).

Mikrotoponimet. Ahishta, Arat e Manastirit, Duble, Grablak, Gur’i Dubles, Jezeri, Kron’i Mirë, Kron’i Syve, Lejthishta, Mal’i Zhablakut, Manastiri, Padalishta, Prron’i Manastirit, Osojnica (mal), Rogat, Strane, Stremnicë, Shkozina, Tu Lama, Tu Marshalla, Tu Mullin’i Jashareviqe, Tupallët, Tu Zabeli. Burimi: Muharrem Shaip Mahmuti. Janë të vihen re toponimet Duble, pas gjasash një formë e parashtesuar d- + ubla, karakteristike për këtë zonë. Duket se edhe toponimi Grablak është një shformim i formës së parashtesuar gr- + ublak.

Etimologjia. Nëse forma e tij më e hershme e dëshmuar me shkrim është Leshtije (1441), atëherë duket se edhe ky emër fshati u përftua në këtë trajtë, duke i shtuar prapashtesën –ar, si te Lluk-ar, Gjerek-ar, Gjin-ar etj. Megjithatë, pavarësisht se forma Lanishta mund të na çojë te apelativi i shqipes ‘lesh’, prapëseprapë, mendja na thotë se kemi të bëjmë më shumë me një mbiemër familjar Leshi < Alessio. Por, mundësia mund të jetë edhe nga format Lissos/Lissus. Mbaresa –t duket se është mbaresë e vendores.

Llabjan

Mikrotoponimet. Fsahti ndahet në lagjet e banorëve rrënjës dhe ardhacakë. Rrënjës janë lagjet: Mustafovit, Katunovit, Baçevishtë, Abazovit, Degellt, Sallkovit, kurse të ardhur: Talovit, Haxhiovit, Koznica, Behovit, Stojkovit (serbë) dhe Lekovit (serbë).Lug’i Kosit (mal), Lug’i Fell (mal), Breg’i Hajdinit (mal), Mal’i Çuk’s (mal), Mal’i Hijes, Lug’i Spicave (mal), Lug’i Sokolave (mal), Lug’i Kronit (mal), Hija Nur’s (mal), Sitnari (mal), Vrella, (burim ujor), Çeshmja Keqe, Kron’i Ftoft, Lug’i Magarit (burim), Livadhet e Vrell’s, Pozhari (arë), Ramalivada (arë), Golinat (arë), Ograxhat (arë), Ara Maslame, Arat e Gruj’s, Arat e Lamit (tokë me re), Sheshtë e Love (ara), Orrnicat (ara), Te Mejtepi, Te Hani. Burimi: Zijadin Mustafa, 27 korrik 2008.

Topografia. Fshat kodrinoro-malor, mespërmes të cilit kalon rruga Prishtinë-Gjilan. Ky fshat kufizohet me Prekocin, Parallovën, Brusin, Lajshecin.

Etimologjia.

Llukari

Dokumentimi historik. Duket se përmendet për herë të parë më 1455 si Luka (Pulaha, 674), fshat i Vilajetit Morava. Po me likuide laterale shfaqet si Lukovac (Pulaha, 689), fshat i Vilajetit Labi më 1455. Një fshat me të njëjtin emër dhe po me lëngëtoren anësore e gjejmë te Lukar në Nahijen Bellasnica (Pulaha 703). Në mbamendje e kam edhe togfjalëshin e lexuar diku Lukina Crkva, por që tash për tash nuk po më kujtohet burimi.

Mikrotoponimet. Ara Asllanit, Ara Ibishit, Ara Lugit t’Mullive, Ara mi Maden, Ara n’Kodër, Ara ner Jaz, Ara Ramushit, Ara Rrahmanit, Arat e Katunit, Arat e Vrakelës, Arat ner Shpija, Baltaku, Ball’i Lugjeve, Bashqet ner Jaz, Bunari i Shabanit, Çamurlia, Çuka Madhe, Çuka Vogël, Dranavoda, Gardamaci, Gërmeni, Gjollat, Gobari, Gravdoll, Gur’i Verdhë, Jakfillaz, Jazbinat, Jezeri, Dranidoll, Kron’i Lugit t’Mullive, Kron’i Lugit t’Magjupit, Kron’i Seçinës, Kron’i Sigës, Kulla, Leqishta, Lisat Binak, Lug’i Ahit, Lug’i Birave t’Epër/t’Midismë/t’Poshtmë, Lug’i Blinit, Lug’i Gatë, Lug’i Halimit, Lug’i Jazbinave, Lug’i Jazit, Lug’i Kaprojve, Lug’i Kerreve, Lug’i Kishës, Lug’i Magjupit, Lug’i Mullive mi Vneshta/ner Vneshta, Lug’i Qershi:s, Lug’i Shkoz’s, Lug’i Shpi:s, Lug’i Ukit, Lug’i Torishtave, Lug’i Vogël, Lugjet, Lug’i Vorreve, Osoj’i Manit (mal, khs. Osoj në Gllogovicë), P’rron’i Leqevisht’s, P’rroni Madh, Podaku, Qafa Kallpakut, Qafa Lisit, Qafa Lugit t’Mullive, Reka Dautit, Roga Bullit, Roga Madhe, Shyp’i Halimit (mal, khs. ojkonimin Shypashnicë), Siga, Spollpodinë, Stekrevina, Tabet, Therrishta, Tu Ara Jov’s, Tu Dardha Feretaçe, Tu Dheu, Tu Kroni, Tu Plepi, Tu Reka, Tu Tanta, Tu Udh’t e Bardha, Tu Vorret, Tunelli etj. Burimi. Ali Sh. Berisha (“Bashkia e Llukarit”).

Etimologjia. Sipas Ali Sh. Berishës o.c. Lluka, Maka, Kola, Grashna e Radashi ishin vëllezër të një gjaku, nga i morën emrat fshatrat: Llukar, Makoc, Grashticë dhe Radashec. Sipas gjasash, ky ojkonim me prapashtesën –ar, e cila, si prapashtesa –an, shfaqet jo vetëm në etnikë, por edhe në topikë të ndryshëm: Gjerek-ar, Gjin-ar, Dom-ar-oc, Vak-ar-icë, Zgat-ar etj. Prandaj dhe Lluk-ar. Po morëm parasysh mikrotoponimet e shumta me apelativin ‘lug’ të këtij fshati, si dhe shumësin ‘lugje’, mendojmë se ai mbulon plotësisht pozitën e tij në lugina. Këtë sikur e pohojnë edhe mikrotoponimet: Gravdolli, Dranidolli, pavarësisht nga origjina gjermanike a sllave e gjymtyrës –doll/-dal. Megjithatë, nuk duhet të mos përfillet edhe mundësia që te forma Llukar të kemi një formë dalmatine të emrit të ungjilltarit Lukë të Besëlidhjes së Re. Por, në Shpat hasim edhe fshatin Lluk-an nga patronimi Lluka etj.

Makoci

Dokumentimi historik. Dëshmohet për herë të parë në hartën e vitit 1530 si Dl./Gr. – Maofça, fshat i Nahijes Toboshtiçe, kurse në regjistrimin e viteve 1566-74, po ashtu si fshat i Nahijes Treboshnica del si Dolina (me siguri gabimisht për Dolna) Makofc dhe Gorna Makofc (Pulaha, 698).

Mikrotoponimet. Arat e Kish’s, Della, Funlugshtina, Gjyshinaci, Gurrel’i Hoxhajve, Kodër mi Shpi, Kunga Ashtit, Kungullari, Lisaci, Lug’i Dafinave, Lug’i Gjanë, Lug’i Keq, Lug’i Kish’s, Lug’i Koritic’s Lug’i Moll’s, Lug’i Qurshi:s, Lug’i Rovin’s, Lug’i Therr’s, Lug’i Thive, Lug’i Veshkellug’s, Lug’i Vogël, Lugshtina, Mllinat, Obzovik’i Madh, Obzovik’i Vogël, Obzoviki, Prron’i Zi, Roga Deli:s, Roga Lejthishtave, Roga Veshkellug’s, Rogat e Gata, Rrafshinat, Rrez’e Madhe, Veshkelluga, Zabel’i Rrahmanit etj. Burimi: Ali Sh. Berisha o.c.

Etimologjia. Edhe më herët kemi shprehur mendimin se ky emërvend është sajuar nga apelativi i shqipes makë ‘zgjyrë, llum; cipë që formohet mbi lëngje’, njësoj sikur dhe Makreshi i Epër dhe Makreshi i Poshtëm.

Poliqka apo Paliqka

Dokumentimi historik. Emri i fshatit Poliçkë dëshmohet në  regjistrin e vitit 1455 si Poliçka dhe Dolina Poliçka (Pulaha, f. 679), kurse në Vjetarin e vitit 1896 si Boliçka (f. 205).

Sipas Urosheviqit, fshati Poliçka është shqiptar në Kriva Rekën e Novo-Bërdos. Pas ngulimit rreth vitit 1780, një klishe kjo më shumë ideologjike se shkencore, nga krahina e fisit Krasniqe të Shqipërisë, shqiptarët takuan shqiptarë të tjerë të fisit Gash, të cilët, me të shitur pronat këtyre ardhacakëve të rinj, u shpërngulën në Oslare (Preshevë). Këtë emër të fshatit shqiptarët e gjetën. Kuptimi i tij është: sergjen i vogël, raft (f. 109).

Është e habitshme se si nuk shënon asnjë mikrotoponim, me anën e të cilëve zakonisht mundohet të dëshmojë origjinën sllave të pothuajse të gjitha vendbanimeve të kësaj ane. Është kjo arsyeja që u shtrënguam të vizitojmë këtë fshat kodrinoro-malor dhe të mësojmë nga goja e banorëve më të vjetër të tij, Shukri dhe Fehmi Bunjaku, disa nga emërvendet e këtij fshati.

Mikrotoponimet. Bregu i Çukinave, Bregu i Kishës, Cumurruk (vija e kufirit me Velegllavën), Dardha e Madhe, Dardhat Varg, Dragoci (vend ku gjendet një shpellë), Gropa e Kumxhisë (me siguri e kujunxhisë ‘artarit’), Gurët e Mokovishtës, Gurët e Ramabuçës, Guri i Lakut, Guri i Madh, Kodra e Curreve, Kodra e Karollit, Kodra e Klaiqve, Kodra e Shemës, Kodra e Vakoviqe, Kolibat, Kroni i Cemës, Kroni i Jovës (momkë ‘djalosh’, këtu me kuptimin ‘shërbëtor’), Kroni i Lakut, Kroni i Ramazanit, Kroni i Ri, Kroni i Rrahmanit, Ligatat e Zymerit, Lisi i Mehmetit, Livadhi i Alisë, Lugu i Llaburës, Lugu i Voneve, Mademi (minierë antimoni), Maja e Kikës (venburim i ujit natyror “Kika”), Pusat e Ymerit, Reka e Kuale (kuajve), Reka e Poliçkës, Rogat e Love (lopëve), Rrafshi i Avdullit, Shavarina, Stani i Dykës, Vorret e Vakoviqe.

Etimologjia. Si patronim, në Prizren, kemi hasur formën Paliqka, e cila kujtojmë se është parësore, meqenëse karakteristikë e gjuhëve sllave është evoluimi a > o (khs. Narona > Norin, Salona > Solin, Parentium > Poreç etj.). Duke marrë parasysh se apelativi më i shpeshtë i mikrotopnimeve të këtij fshati është ‘kroni’ (shih më sipër Kroni i Cemës/Jovës/Lakut/Ramazanit/i Ri/Ramazanit), pastaj Ligatat e Zymerit, Pusat e Ymerit, Reka e Kuale, Reka e Poliçkës, Shavarina, mendojmë se ky ojkonim a emërfshati nuk mund të ndahet nga rrënja indoevropiane *pel- ‘i zbehtë, vezullues’, përkatësisht shkalla o e kësaj rrënje *pol-, ku e ka burimin edhe Liqeni i Paliqit në Vojvodinë. Faktin se banorët e mbajnë mend se rrafshi ishte një kënetë dikur, sikur e provojnë edhe Ligatat dhe Shavarinat, që këtë interpretim e bën edhe më bindës. Megjithatë, mundësia që mund të jetë një toponim teoforik, në shenjë respekti për Shën Palin (Bregu i Kishës) nuk mund të hidhet plotësisht, sikundër as dhe mundësia që kjo rrënjë të jetë kontaminuar nga rrënja *pel(i)s- ‘gur, shkëmb’, krahaso numrin e mikrotoponimeve me apelativin ‘gur’.

Tugje(v)ci

Lidhur me emërvendin Tugjec, ngjitur me Zajeçevcin, për të cilin kemi shkruar më parë, me format Tugjevc/Tugjefc dhe Tugjevce (formë sllave), A. Urosheviq thotë: “Tugjevce – fshat shqiptar në Kriva Rekën e Novo-Bërdos. Gjatë ngulimit shqiptarët më 1770 kanë gjetur serbë në fshat, të cilët më vonë janë shpërngulur. Vendi ku qenë varrezat e tyre edhe sot quhet nga shqiptarët Vora t’Shkieve. Emri i fshatit ndoshta është i deformuar nga Togjozevci (Togozevzi), siç quhet një fshat rreth kësaj ane, që përmendet në gjysmën e parë të shek. XV në librin e tregtarit dubrovnikas të Novo-Bërdos Mikel Llukareviqit (Diniq, Nga Arkivi i Dubrovnikut I, 52 .).

Duke marrë parasysh kullën e këtij fshati, gjurmët e së cilës mund të vihen re edhe sot, që shërbente për sinjalizimin e rrezikut nga pushtuesit e huaj, për të njoftuar banorët e Novo-Bërdos, ne mendojmë se ky emërvend ka karakter përshkrues dhe është një fjalë e përbërë nga parafjala tu- (khs. tu-mirë, tu-keq) e burimit indoevropian dhe –gje, që si morfemë e lidhur, ndeshet edhe te fjala shqipe sogje ‘roje; kullë vrojtimi a një vend i ngritur ku rrinë rojat’.

Të shtojmë se këtë mendim e kemi shprehur edhe kur kemi shkruar për derivatet a rrjedhojat e rrënjës i.e. *ser- ‘bëj rojë, mbroj’ në veprën tonë të pabotuar ende “Albanian Inherited Lexicon” dhe këtë mendim e kam shprehur edhe në forume të ndryshme shkencore në Internet.

Literatura parësore:

A. D. Mills, Dictionary of English Place-name, Oxford, 1998.

Abdullah Konushevci, “Gjuha shqipe 11”, “Dukagjini”, 2004.

Ajet Haxhiu, Shota dhe Azem Galica, ShB “8 Nëntori”, Tiranë, 1976.

Aleks Buda, Vepra, 4, ASHSH, Tiranë, 2000, f. 295.

Aleksandër Stipçeviq, Ilirët, Rilindja, Prishtinë, 1980.

Aleksandër Xhuvani, Vepra, I, Akademia e Shkencave e RPSH, Tiranë, 1982.

Ali Sh. Berisha, Bashkia e Llukarit, Prishtinë, 1998.

Anton Mayer, Die Sprache der alten Illyrier , Zagreb, 1959.

Atanasije Uroševic, Novobrdska Kriva Reka, SAN, botim reprint, Gjilan, 1996.

Atanasije Urosheviq, Toponimi Kosova, SANU, Beograd, 1975.

Bahtijar Kryeziu, Onomastika e Hashanisë, IAP, Prishtinë, 2000.

Begzad Baliu, Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës, Argeta-LMG, Tiranë, 2006.

Bislim Pireva, E folmja shqipe e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës, UK, Fakulteti Filozofik i Prishtinë, Prishtinë, 1985.

Branislav Nušić, Kosovo, “Prosveta”, Beograd, 1986.

Calvert Watkins, The American Dictionary of Indo-European Roots, second edition, Houghton Mifflin Company, Boston•New York, 2000.

Dubravka Ujes, Katarina Romić, Položaj grada Damastion (Glasnik Srpskog arheoloskog drustva 11 (1996).

Emil Lafe, Toponime latine-romane në truallin e shqipes në “Studime ilire, II”, “Rilindja”, Prishtinë, 1978.

Eqrem Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, A-B, II, ASHRPSH, Tiranë, 1976,

Eqrem Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, C-D, III, ASHRPSH, Tiranë, 1996.

Eqrem Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, Dh-J, IV, ASHRPSH, Tiranë, 1996.

Eqrem Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, N-Rr, VI, ASHRPSH, Tirnaë, 2002.

Eqrem Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, S-Zh, VII, ASHRPSH, Tiranë, 2006.

Eric Hamp, Studime krahasuese për shqipen, ASHAK, Prishtinë, 2007.

Eric Hamp, Studime krahasuese për shqipen, ASHAK, Prishtinë, 2007.

Ermanno Armao, Vende, kisha, lumenj, male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore, Korbi, 2006.

Femi Cakolli, Krileva – dhjetë gjurmë lashtësie in “Gallapi”, nr. 2, 2007.

Hans Bahlow, Deutschlands geographische Namenwelt, Baden-Baden: Suhrkamp. 1985.

Hans Krahe, Die alten Balkanillyrischen geographischen namen, Heidelberg, 1925.

Haxhi Mehmetaj, Artana, qytet me traditë që nga antikiteti ilir in “Gallapi”, nr. 2, 2007.

Hysen Këqiku, Velia Glaua, ëndërr e ripërtërirë, Ura, Gjilan, 2001.

Hysen Latifi dhe mr. Latif Sermoxhaj, Hogoshti, Prishtinë, 2002.

Hysen Matoshi, Kthimi në burim in “Gallapi”, nr. 2, 2007.

Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Rilindja, Prishtinë, 1979.

Iljaz Rexha, Regjistrimi i vendbanimeve dhe i popullsisë së kazasë së Novabërdës sipas defterit të fundshekullit XV, AKK, Prishtinë, 2002.

Jahja Drançolli, Raguzanët në Kosovë (prej fundit të shekullit XIII deri në vitin 1455), Instituti i Historisë i Kosovës, Prishtinë, 1986.

Julius Pokorny, Indogermanisches Etymologisches wörterbuch, Francke Verlag, Tübingen und Basel, 2002.

Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës. Besiana (Podujeva), 17, Prishtinë, 2005.

Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës. Dardana (Kamenica) dhe Artana (Novobërda), 13, 2004.

Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës. Gjilani, 6, Prishtinë, 2004.

Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës. Prishtina, Kastrioti dhe Fushë-Kosova, 1, Prishtinë, 2003.

Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës. Vitia, 7, Prishtinë, 2004.

Jusuf Shpuza, Vëzhgim për emrat familjarë të shqiptarëve, “Idromeno”, Shkodër, 1998.

Kosova Vilajeti Salnamesi 1896, Stamboll, 2000.

Mehmet Halimi, Kërkime dialektologjike, IAP, Prishtinë, 1985.

Mihailo Dinić, Iz Dubrovačkog arhiva, SANU, Beograd, 1957.

Muharrem Cërrabregu, Kosova në hartat e vjetra, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1977.

Oliver Jens Schmitt, Arbëria Venedike 1392-1479, K&B, Tiranë, 2007.

Onomastika e Kosovës, IAP, Prishtinë, 1979.

Petar Skok, Etimologijski rjecnik hrvatskoga ili srpskoga jezika, A-J, JAZU, Zagreb, 1971

Petar Skok, Etimologijski rjecnik hrvatskoga ili srpskoga jezika, K-poni1, JAZU, Zagreb,1972.

Petar Skok, Etimologijski rjecnik hrvatskoga ili srpskoga jezika, poni2- Zh, JAZU, Zagreb, 1973.

Petar Skok, Studije iz ilirske toponomastike in Arhiva za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju, Knjiga I, sv. 1-2, Beograd, 1923.

Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve, Rilindja, Prishtinë, 1990.

Prof. dr. Hivzi Islami, “Fshati i Kosovës”, Rilindja, Prishtinë, 1985, sidomos pjesa “Disa çështje nga retrospektiva demografike e Ballkanit Qendror, f. 14- 22.

Qemal Murati, Shqiptarët dhe Ballkani Ilirik, AZA-Sesoft, Tetovë, 1999.

Rexhep Doçi, Onomastika e Drenicës, I, IAP, Prishitnë, 2006.

Rexhep Doçi, Onomastikë ilire-shqiptare në Ballkan, IAP, Prishtinë, 2006.

Selami Pulaha, Popullsia e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, ASH e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1984.

Shefki Sejdiu, Sprova etimologjike, “Era”, 2002.

Shpati i Sipërm, ASH e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1987.

Skënder Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, “Rilindja”, Prishtinë, 1982.

Toponimia e Gjakovës me rrethinë, Kuvendi Komunal i Gjakovës, Gjakovë, 2002.

Zef Mirëdita, Studime dardane, Rilindja, Prishtinë, 1979.

Literatura dytësore

 

Burimet elektronike:

http://en.wikipedia.org/wiki/Goths

http://www.sumadinac.de/manastiri/manastiri_a.htm

http://it.wikipedia.org/wiki/Sasi

http://en.wikipedia.org/wiki/List_of_river_name_etymologies

http://www.docendi.org/illyrian-t31362.html

http://www.centerslo.net/files/File/simpozij/sim20/paliga.pdf



[1] Atanasije Urošević: Novobrdska Kriva Reka, borim reprint, “Grigorije Božović”, Priština, 1996 dhe, Toponimi Kosova, SANU, Beograd, 1975. I njëjti është autor edhe i librit famëkeq Kosovo, SANU, Beograd, 1965, i cili bëri edhe një version të ri me titull “Kosovo II”, SANU, Beograd, 2001. Për qëndrimin e hapur antishkencor të së ashtuquajturës shkollë antropogjeografike serbe shih edhe Ajet Haxhiu, Shote dhe Azem Galica, ShB “8 Nëntori”, Tiranë, 1976; Hivzi Islami, Fshati i Kosovës, “Rilindja”, Prishtinë, 1985; Bislim Pireva, E folmja shqipe e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës, UK, Fakulteti Filozofik i Prishtinë, Prishtinë, 1985; Qemal Murati, Shqiptarët dhe Ballkani Ilirik, AZA-Sesoft, Tetovë, 1999.

[2] Mihailo Dinić, Iz Dubrovačkog Arhiva, SAN, Beograd, 1957.

[3] Ali Sh. Berisha, Bashkia e Llukarit, Prishtinë, 1998; Mr. Hysen Latifi dhe mr. Latif Sermoxhaj, Hogoshti, Prishtinë, 2002; Halit Sylejman-Maliqi, Busovata ndër shekuj, “Era”, Prishtinë, 2006; Dr. sc. Sadri Shkodra, Hasan Bunjaku dhe Dr. sc. Faik Shkodra, Desivojca nëpër shekuj, Prishtinë, 1988; Hysen Këqiku, Velia Glau, ëndërr e përtërirë, “Ora”, Gjilan, 2001; Zeqir S. Muçolli, Hertica, Prishtinë, 2000; Bahtijar Kryeziu, Onomastika e Hashanisë, IAP, Prishtinë, 2000.

[4] Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, ASH e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1984; Skënder Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, “Rilindja”, Prishtinë, 1982. Dr. Muhamet Tërnave, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, IAP, Prishtinë, 1995; Jahja Drançolli, “Raguzanët në Kosovë (prej fundit të shekullit XIII deri në vitin 1455)”, IHK, Prishtinë, 1986.

[5]  Këtë parashtesë e kemi trajtuar gjerësisht në punimin Illyrian prefix d-http://www.docendi.org/illyrian-t31362.html; me këtë problem është marrë edhe Sorin Paliga në http://www.centerslo.net/files/File/simpozij/sim20/paliga.pdf, si dhe të krahasohet Aleksandër Xhuvani-Eqrem Çabej “Parasthesat e gjuhës shqipe” në Aleksandër Xhuvani, “Vepra, 1”, ASH e RPSSH, Tiranë, 1980.

 
  Today, there have been 2 visitors (2 hits) on this page!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free