GALLAPI ON
  Ballina
 



 Gallapi të inkorporohet në Strategjinë Zhvillimore të Kosovës

 

Letërkujtesë institucioneve tona: Presidencës së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, Kryeministrisë, Ministrisë së Telekomunikacionit dhe kryetarëve të komunave Prishtinë, Dardanë, Besianë, Artanë dhe Gjilan

Më 24 qershor bëhen tri vite qëkur është themeluar shoqata “Galabri”, organ i së cilës është kjo revistë.

 Si shoqatë po bëjmë përpjekje ta kryejmë një pjesë të misionit tone qytetar për sensibilizimin e institucioneve të vendit tonë për këtë zone të harruar të atdheut. Por njëkohësisht, duam që t`i trandim nga letargjia e thellë një pjesë e biznesit dhe të inteligjencies me origjinë nga ky cep i Kosovës, gjithsesi shumë të suksesshëm në fushat e tyre, por që me kohë e kanë harruar Gallapin. Zona e Gallapit ka më se 43 katunde, që shtrihen në brezin kufitar me Serbinë dhe njihet si njëra prej zonave ku janë zhvilluar disa beteja në mbrojtje të atdheut (Beteja e Sfircës e vitit 1911, e udhëhequr nga Idriz Seferi; Beteja e Kikës e vitit 1944, e udhëhequr nga Mulla Idrizi; Beteja e Ushit, malësi e Bujanocit (1944), ku qenë bllokuar bandat e ashtuquajtura partizane serbe; ajo e Dabishecit (1944) etj. Në shenjë hakmarrjeje për këtë shpirt kryengritës, pushteti jugosllav për më se 50 vjet radhazi, këtë zonë e pati shndërruar në zonë të “ndjekjes së shtrigave”. Burgjet jugosllave përherë ishin të mbushura me djemtë më të mirë të zones (Metush Krasniqi, Tefik Shehu, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka dhe shumë dëshmorë të UÇKsë që tani i kanë përmendoret në trevën e Gallapit). Natyrisht nga ai pushtet nuk pritej që të vinte dorë të mbarë dhe ta shkëpuste Gallapin nga mesjeta e stërzgjatur. Të rikujtojmë se nga kjo krahinë, meqë nuk ka politika afatgjata inkurajuese për biznes, meqë infrastruktura është e dobët, tashmë janë shpërngulur më se 90 për qind e popullsisë. Në vitet 70 të shekullit të kaluar, prodhonte më se 60 mijë qengja për eksport, sot mezi ofrohen 1000. Sado që kjo trevë ende nuk e ka marrë trajtimin e duhur parësor si rajon i harruar në të kaluarën, shprehim kënaqësi të veçantë që MTPT-ja, në bashkëfinancim me komunat e Prishtinës dhe të Dardanës kanë ndërtuar rrugën e re Hajkobillë-Tygjec të gjatë rreth 12 km, e cila sivjet finalizohet nga MTPT-ja si dhe rrugën tjetër Jallaçë- Tygjec e gjatë rreth 10 km, e cila sivjet gjithashtu finalizohet. Me ndërtimin e këtyre 22km rrugë mund të themi se MTPT-ja e ka hapur çështjen e trevës së Gallapit. Shoqata apelon që kjo trevë të inkorporohet në Strategjinë Zhvillimore të Kosovës me prioritet, meqë ka qenë zonë e injoruar në të kaluarën dhe tani është zonë strategjike kufitare. Gallapi sot është një zone me potencial zhvillimor të prodhimtarisë ekologjike, gjë që institucionet tona duhet ta kenë domosdoshmërisht  parasysh.

Rëndësia e zhvillimit të kësaj treve është e shumëfishtë:
1. Gallapi ka një rëndësi të veçantë strategjike meqë rreth 20 fshatra të zonës shtrihen në vijën kufitare.

2. Gallapi është një zonë me potencial të madh të zhvillimit  ekonomik. Treva është një malësi e butë, e dëshmuar në fushën blegtorale-bujqësore.

3. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore në këtë trevë përmirëson pozitën e fshatrave shqiptare që shtrihen në anën tjetër të kufirit që nga Sfirca e Brendshme e deri te Tupalla.

4. Treva është afër kryeqendrës së Kosovës, pjesa dërrmuese e saj dhe edhe është zonë me potencial për banim të shëndetshëm në një mesatare të lartësisë mbidetare 850m.

5. Zhvillimi i zonës do ta ndihmojë edhe Komunën e Dardanës (tani Dardana po konsiderohet si një zorrë qorre dhe atë për shkak të shkatërrimit të potencialit ekonomik që ofronin përpara fshatrat e Gallapit).

6. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore na Gallap është i lehtë meqë ka një terren të përshtatshëm. Pra, me një shumë modeste kjo trevë lehtë do të mund të bëhej e qarkullueshme në tërë sipërfaqen e saj.

7. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore është i domosdoshëm edhe për arsye të drejtave qytetare dhe humanitare të atyre pak banorëve që kanë mbetur atje e që jetojnë të shkëputur nga bota. Shoqata angazhohet me theks të veçantë për fshatrat e braktisura të cilat kanë qenë të lëna pas dore nga të gjitha pushtetet. Ato fshatra shtrihen në territorin e pesë komunave: Prishtinës, Gjilanit, Artanës, Dardanës dhe Besianës. Që kjo trevë të nxirret nga izolimi duhet koordinim i punëve ndërmjet këtyre komunave, MTPT-së dhe komunitetit me një platformë të qartë. Një projekt për ndërtimin e tetë rrugëve për 3 vjet përfundimisht do të nxirrte këtë zonë nga izolimi infrastrukturor në të cilin gjendet tani.


Image and video hosting by TinyPic


Këto rrugë janë:

1. Prapashticë-Gllogovicë-

Krilevë-Strezoc

2. Rruga e Desivojcës

3. Rruga e Poliçkës

4. Rruga Tygjec-Kapi

5. Hapja e trasesë së rrugës Kapi-

Tërstenë e gjatë 40km e gjitha rreth

kufirit

6. Rruga Bullaj-Krilevë

7. Rruga Artanë-Krilevë

8. Rruga Koliç-Dyz

Sipas parallogarive të ekspertëve, ndërtimi i këtyre rrugëve do të kushtonte rreth 10 milion eurosh. Mbështetur në trendet e rrjedhave buxhetore të Kosovës në tri vitet e ardhshme MTPT do t’i ketë së paku 100 milionë euro buxhet.

Duke qenë se treva e gallapit është 1/10 e Kosovës, i bie se 1/10 e këtij buxheti I takon kësaj treve. Hiq pa i dhan tretman prioriteti treves vetëm me një ndarje të drejtë propocionale të buxhetit, rrugët e permendura do të mundë të ndërtoheshin brenda 3 viteve të ardhshme. Kjo shumë nuk do ta rëndonte shumë buxhetin e Kosovës, ndërsa asaj do t’ia kthente një potencial të madh ekonomik dhe përfundimisht Gallapit do t’i hiqeshin epitetet si “Trevë në komë” dhe “Toplicë e dytë”. Me pak mirëkuptim dhe me më shumë angazhim i koordinuar si duhet Gallapi mund të kthehet në një trevë të shpresës e të përparimit.
 

z.Islam Veliu

 

 Kryetar i Asociacionit për Zhvillimin e Gallapit “Galabri”

 

 
 
  Today, there have been 2 visitors (2 hits) on this page!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free